Arkiva 1946, nga Javer Malo/ Jugosllavët propozuan në Konferencën e Parisit ndarjen e Shqipërisë. Pas kësaj Enver Hoxha pinte kafen pranë vendit ku Avni Rustemi qëlloi Esat Toptanin

1714
Sigal

(vijon nga numri i kaluar)

Seanca e 10 gushtit ishte ndoshta seanca që pati më shumë luftë, më shumë pasion e më shumë kthesa të papritura. Ja, p.sh, pas fjalimit të Caldarisit, në tribunë u ngjit delegati jugosllav Moshe Pijade, i cili lëshoi atë që, duke u mburrur e quajti “bombën” e tij “Drejtuesit e Greqisë ndjekin një politike që ishte karakteristikë e monarkive të vogla ballkanike”, tha ai dhe shtoi: “Edhe tani, bile, ne na u bënë propozime nga ana e përfaqësuesit zyrtarë të Greqisë për ta ndarë Shqipërinë midis Jugosllavisë e Greqisë. Do të thosha gjithashtu se, ishte zoti Caldaris ai që na e bëri këtë propozim disa ditë më parë”. Sensacioni ishte i plotë për diplomatët e për gazetarët. Për këta të fundit Caldarisi po kthehej në një minierë floriri. Në sallat e shtypit dhe në bufenë e gazetarëve bisedat vazhduan gjatë mbi këtë çështje. Si ishte e mundur që Caldarisi të gabonte në këtë mënyrë në adresë, duke iu drejtuar një vendi komunist për të copëtuar një vend tjetër komunist? Pavarësisht nga mënyra se si i shkruanin artikujt, për gazetarët më seriozë, duke përfshirë edhe gazetaret greke, po bëhej e qartë se Caldarisi kishte ardhur në Paris me mentalitetin e monarkisë së vogël të transplantuar nga Evropa në tokën e lashtë greke, të lagur me gjakun e mijëra luftëtareve e heronjve. Por ajo që nuk dihej atëherë ishte se udhëheqja jugosllave, në mënyrë të fshehtë, ndiqte politikën e një monarkie të madhe ballkanike, të tillë që as knjazët e Serbisë nuk kishin guxuar ta imagjinonin. Ata, siç ka argumentuar shoku Enver Hoxha në veprën “Titistët”, dilnin në mbrojtje të Shqipërisë dhe u kundërviheshin synimeve të monarko- fashisteve grekë, për qëllimet e tyre aneksioniste. Ata nuk donin të gëlltitnin një pjesë, por gjithë Shqipërinë! Debatet për çështjen shqiptare morën fund me një fjalim të Vishinskit, i cili me elokuencën dhe logjikën e fortë, por dhe me humorin e hollë, dominonte në debate. Fjalët e delegatit grek ai i hidhte poshtë me këto fjalë plot përbuzje: “Caldarisi përpiqet të argumentojë se forcat partizanë shqiptare u krijuan nga aleatët. Po ta thoshte këtë për Greqinë nuk do ta kundërshtoja, por ta thuash për Shqipërinë është të shtrembërosh në mënyrë trashanike të vërtetën.” Në mes të debateve delegacioni çekosllovak paraqiti një rezolute, të formuluar në këtë mënyrë: “Konferenca vendos të ftojë Shqipërinë për t’i lejuar të paraqesë pikëpamjen e saj e seancat plenare të Konferencës e në komisionet kompetente lidhur me Traktatin e Paqes me Italinë. Ishte një rezolute kompromisi. Atëherë në pamë sekretarin amerikan të shtetit të tërhiqte propozimin e tij, që kërkesa e Shqipërisë t’i kalonte komisionit të përgjithshëm dhe të pranonte rezolutën greke, me kusht që asaj t’i bëhej një amendament, duke shtuar pas Shqipërisë edhe Meksikën, Kubën dhe Egjiptin. Në diskutimet për rezolutën greke dhe amendamentin amerikan, përfaqësuesit e dy shteteve perëndimore mbajtën një qëndrim që ishte me afër çështjes shqiptare. I pari ishte përfaqësuesi i Norvegjisë, Hambro, i cili tha shprehimisht: “Çështja e Shqipërisë duhet të ndahet nga ajo e tri shteteve të tjera (që propozoi Bernezi). Ne mendojmë se kërkesa e Shqipërisë duhet të miratohet njëzëri. Shumë vende të vogla do te çuditeshin po t’i jepnim Italisë të drejtën të shprehej në këtë tribunë, para se të mbaronim shqyrtimin e kërkesës shqiptare”. I dyti, për çudi, ishte i kudogjenduri i Australisë, Evati.

Gjatë debateve, njëri nga përfaqësuesit e delegacioneve që mbronin kërkesën e pranimit të Shqipërisë, i bëri një slide delegatit australian, duke i thënë se përse “nuk ia dëgjojmë zërin mbrojtësit të vendeve të vogla!” Prandaj edhe Evati u detyrua të ngrihej e të thoshte: “Mendoj se rasti i Shqipërisë është krejt i ndryshëm nga të tjerët e do të jetë më mirë që të votojmë një rezolutë të veçantë për të”. Konferenca votoi më në fund rezolutën greke, të amenduar nga SHBA. Sido që formula nuk ishte e kënaqshme dhe Shqipërisë nuk i jepej plotësisht vendi që i takonte në Konferencë, vendimi për thirrjen e saj, edhe pse i cunguar, ishte një disfatë për kundërshtarët tanë. Mund të merret me mend se ç’zemërim ziente ato ditë në gjoksin e atyre, që vinin nga malet e Shqipërisë, ku kishin parë kaq shumë shokë të vrarë e të plagosur (K. Ylli ishte plagosur vetë në sulmin për çlirimin e Sarandës, e në krye të Brigadës së 14-të Sulmuese), që kishin parë fshatra e qytete të tëra të bëra shkrumb e hi nga fashistet, që kishin parë vendin të rrënuar, çlirimin e tij dhe fitoren përfundimtar kundër pushtuesve, kur dëgjonin nga tribuna e Konferencës absurditete dhe shpifje si ato të Caldarisit apo fjalët hipokrite të anglezit, Aleksandër. Në të njëjtën kohë duhet theksuar se sulmet e Caldarisit kundër Shqipërisë nuk ishin pa asnjë efekt jashtë Konferencës, të paktën në një pjesë të opinionit publik. Në ditët e prillit të vitit 1939 shtypi francez i kishte mbushur faqet e para me lajme dhe artikuj që ngrinin lart luftën e patriotëve shqiptarë kundër invadorëve fashistë. Por tani ky shtyp ose riprodhonte thëniet e Caldarisit, ose heshtte. Nuk ishin të paktë francezët që e njihnin Shqipërinë, që kishin jetuar vetë në Shqipëri në ditët e qëndresës së popullit shqiptar kundër pushtimit italian, qe e dinin mirë se Korça dhe Gjirokastra ishin shqiptare.

Asnjë nga këta nuk pati guximin të ngrihej e të shkruante në shtyp, qoftë edhe një letër të thjeshtë kundër gënjeshtrave të delegacionit grek, me përjashtim të politikanit plak, Zhysten (Justin) Godar, ministër i Shëndetësisë në kabinetin e Klemansoit gjatë Luftës së Parë Botërore, senator i Lionit në periudhën midis dy Luftërave Botërore, i cili ka qenë një mik i vjetër dhe i mbeti besnik Shqipërisë gjersa vdiq, në vitet ‘50. Në një libër të tij “L’Albania en 1921” (Shqipëria më 1921) ai kishte mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar kundër lakmive të fqinjëve. Figura e tij ishte e njohur në Shqipëri edhe te nxënësit e shkollave. Gjatë Luftës se Dytë Botërore, megjithëse plak, ky anëtar a vjetër i Partisë Radikale, partia më e madhe e borgjezisë franceze gjer në vitin 1940, kishte marrë pjesë në rezistencë, kishte bashkëpunuar me komunistët dhe me çlirimin e Francës ishte zgjedhur kryetar i bashkisë së Lionit, qytet i dytë pas Parisit për nga rëndësia. Me 1946 ai ishte president i organizatës “Fronti Kombëtar”. Zhysten Godari pruri ato ditë në hotelin “Klarizh”, ku qëndronte përkohësisht përfaqësia jonë, një artikull të gjatë me titull “Pour l’Albanie” (Për Shqipërinë), që m’u dha mua për ta dërguar në redaksinë e gazetës “Fronti Nacional”. Redaktori i jashtëm, të cilit ia dorëzova sapo e pa më tha: “Artikull i presidentit tonë?! Do të botohet që në numrin e nesërm”. Dhe artikulli u botua në faqe të parë të gazetës. Nga 11-14 gusht Konferenca e Paqes dëgjoi përfaqësuesit e shteteve të mundura. Kryetari i delegacionit italian Alçide de Gasperi, në një fjalim me shumë fluturime letrare oratorike, nuk gjeti qoftë edhe një fjalë të vetme për të dënuar fashizmin dhe ekspansionin italian. Për më tepër, duke votuar si të paqena mosmarrëveshjet midis aleatëve të luftës që tani kishin dalë sheshit dhe dukej se nuk ishin të vogla. De Gasperi shtroi tezën, se nuk mund të arrihej në një rregullim të Evropës pa përfunduar më parë paqen me Gjermaninë. Me një fjalë, taktika e diplomacisë italiane në Konferencë ishte që kjo të mos merrte asnjë vendim në lidhje me Italinë, në mënyrë që të fitohej kohë, duke pritur ditë më të mira e më të favorshme për të, ditë që nuk do të mungonin të vinin. Pas De Gasperit, Konferenca dëgjoi përfaqësuesit e katër vendeve të tjera ish-armike: Tatareskun për Rumaninë, Kulishevin për Bullgarinë, Gyongyosin për Hungarine dhe Enkelin për Finlandën. Pas këtyre, Konferenca do të dëgjonte, sipas fjalëve të presidentit të seancës, “deklaratat e vendeve aleate që nuk marrin pjesë në punimet e kësaj Konference, por që kanë shprehur dëshirën të shfaqin pikëpamjet e tyre”.

Kryeministri shqiptar në Paris

Hoxha pi kafen pranë vendit, ku Avni Rustemi qëlloi Esat Toptanin

Kur u njoftua se Konferenca e Paqes kishte marrë vendim për thirrjen e Shqipërisë, Qeveria jonë caktoi dhe dërgoi në Paris delegacionin e saj që drejtohej përkohësisht nga shoku Hysni Kapo. Por, për të shfaqur pikëpamjen në Konferencë delegacionin do ta kryesonte vetë shoku Enver Hoxha, që mbante atëherë funksionet e Kryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme. Njoftimi i ardhjes së Kryeministrit, i cili ishte edhe udhëheqësi i Luftës NAÇL të popullit shqiptar, shkaktoi shumë interesim midis diplomatëve gazetarëve në Pallatin e Luksemburgut, aq më tepër se çështja e Shqipërisë ishte bërë problemi numër një i atyre ditëve. Me veprimtarinë e tij të denjë për Konferencën e Vergës ose për Kongresin e Berlinit, pa dashur. Caldarisi ishte bërë shkak që vëmendja e diplomatëve, e gazetarëve dhe, si e opinionit publik, të drejtohej nga vendi ynë dhe lufta e tij. Në korridoret e Konferencës, në sallat ku punonin gazetarët, në bufetë e tyre bisedat vinin ato ditë rreth Shqipërisë. Të gjithë e dinin se vendi ynë ishte pushtuar një të premte të zezë, në prillin e 1939-s nga këmishëzinjtë e Musolinit, si mbreti i Shqipërisë kishte ikur bashkë me gruan e tij “të bukur e lehonë”, siç shkruante atëherë shtypi perëndimor, por njohuritë mbi zhvillimin më pastaj të ngjarjeve në Shqipëri nuk ishin, as shumë të qarta, as shumë të sakta. Shqipëria do të paraqiste pikëpamjen e saj në Konferencë, më 21 gusht. Në pragun e kësaj datë, shoku Enver arriti në aeroportin Burzhe (Bourget) të Parisit. Hysni Kapo, Kahreman Ylli, bashkë me anëtarë të delegacionit dhe ne, punonjësit e përfaqësisë, ishim atje për ta pritur. Dhe bashkë me ne shqiptarë të kolonisë sonë në Francë. Veç veturave për delegacionin, që i kishte vënë në dispozicion qeveria franceze, përfaqësia jonë kishte vetëm një veturë të marrë me qira për ministrin fuqiplotë, për arsye se atëherë nuk kishte shumë vetura në shitje.

Që të mund të shkonim në aeroport edhe ne punonjësit e tjerë të përfaqësisë, një shqiptar i kolonisë së Parisit nxori nga garazhi veturën e tij të paraluftës dhe u vu në shërbimin tonë si shofer vullnetar. Pasi u përshëndet me ngrohtësi me të gjithë ne, shoku Enver u nis për në Paris. Qeveria franceze kishte caktuar për delegacionet që merrnin pjesë në Konferencën e Paqes hotelet më të mëdha të Parisit. Delegacioni ynë do të qëndronte në “Grand Hotel du Louvre”, që ndodhet përballë muzeut të përmendur dhe jo larg hotelit “Kontinental”, ku 26 vjet më parë i riu Avni Rustemi kishte vrarë Esat pashë Toptanin, feudalin tradhtar të Shqipërisë së Mesme. Ishte një rastësi që shoku Enver Hoxha të banonte, sapo erdhi në Paris, vetëm disa metra larg vendit ku shkrepi arma e Avniut. Të nesërmen duke u nisur për në Pallatin e Luksemburgut Kryeministri i Shqipërisë së re kaloi përbri rrugës “Mesje le Prens” (Monsieur le Prince), ku ndodhej e ndodhet një hotel i vogël me të njëjtin emër dhe një restorant, gjithashtu i vogël, i shqiptarit Llazar, të cilët i frekuentonte i riu Enver Hoxha kur ishte student në Francë, jo shumë, por rreth 10 vjet më parë. Shoku Enver erdhi në Paris me një pjesë të anëtarëve të delegacionit dhe vetëm me dy roja personale. Ata që shoqëruan Komandantin, siç e quante atëherë me dashuri populli nuk mund të futeshin të gjithë në një veturë. Por në Hotelin e Luvrit erdhën shqiptarët të Parisit, Lionit e të Seint-Etienit, punëtorë të fabrikave e të minierave, njerëz të thjeshtë, demokratë të vjetër, të cilët ishin larguar nga Shqipëria bashkë me Fan Nolin, në dhjetorin e vitit 1924, në kohën “triumfit të legalitetit”, siç u quajt kthimi, me bajonetat e huaja, i Zogut në Shqipëri. Ishin këta njerëz që u bënë roja të Enver Hoxhës në Hotelin e Luvrit në Paris.

21 gusht 1946/Seanca e Shqipërisë

Enveri kërkon barazi, u bën karshillëk SHBA-ve e BS-së

Seanca plenare e njëzet e një gushtit u hap në ora dhjetë. “Ftoj përfaqësuesin e Shqipërisë të paraqesë deklaratën e tij në Konferencë”. Sapo Ernest Bevini, që kryesonte seancën e asaj dite, shqiptoi këto fjalë, shoku Enver Hoxha u ngjit në tribunë, dhe me atë oratorinë e tij të zjarrtë, me një frëngjishte të shkëlqyer, siç shkruante shtypi parizien, filloi atë fjalim të njohur, të cilin rapsodi popullor e ka përjetësuar dhe e ka sintetizuar sidomos me dy vargjet: “Në Paris u mblodh UNO-ja/ Fol Enver të lumtë goja!”. Tri pika ose tri çështje kryesore përbënin thelbin e atij fjalimi.

Së pari, udhëheqësi 38 vjeçar i Shqipërisë së re, në pak fjali por të ngjeshura, i bënte Konferencës dhe nga tribuna saj, opinionit publik ndërkombëtar një paraqitje të plotë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe akuzonte me kurajë ato Fuqi të Mëdha që mohuan të drejtat e Shqipërisë në konferencë. -“Shqipëria e quan të padrejtë mendimin për të mos ta ftuar atë si pjesëtare të Konferencës. Populli shqiptar që rroku i pari armët kundër fashistëve italianë… dhe që e pushoi luftën vetëm kur u mposht Gjermania hitleriane, meritonte një drejtësi më të madhe… ajo e kish fituar me luftë të drejtën të marre pjesë në këtë Konferencë, me titull dhe me të drejta të njëjta me ato të njëzet kombeve fitimtare. Pasi bëri një ekspoze të Luftës së popullit tonë, duke cituar deklaratat e burrave të shtetit të tre aleatëve të mëdhenj dhe dokumente të tjera, ai vazhdoi: “Do të mundja, zotërinj, të tregoja edhe një numër të madh dokumentesh që provojnë se sa janë çmuar përpjekjet tona nga ana e aleatëve. Po trimëritë e popullit tonë s’kanë nevojë për dokumente”. Si tha këto, shoku Enver iu drejtua kështu përfaqësuesve të dy Fuqive të Mëdha perëndimore: “Me qëllim që të shtrembërojnë historinë e të mohojnë faktet, që janë të qarta si dielli, bëhen gjithë këto përpjekje për të mos i trajtuar në mënyrë të barabartë ata që trimërisht kanë luftuar për kauzën e përbashkët. Në këtë Konferencë të lartë është folur shpeshherë për mbrojtjen e interesave të popujve të vegjël, por në fakt, për sa i përket popullit tonë, është vepruar krejt praptazi.

Populli shqiptar, i vogël në numër, por i madh në veprat që ka bërë, duhej të ndodhej tani në këtë Konferencë me të njëjtat të drejta me kombet e tjera fituese, të drejta, të cilat i ka paguar shumë shtrenjtë”.

(vijon nesër)