Agustin Gjinaj: 4 Dhjetori dita e Ushtarisë, që i’u përkushtua Shqipërisë

478
Sigal

 

Ushtarakët janë  të përkushtuar ndaj detyrave të shtetit, idealizimin e dashurisë për Shqipërinë, durimin dhe respektin madhor për ligjin e rregullin,

 “Ne jemi nga ushtria…”

Agustin Gjinaj-ish ushrarak i lartë

 

Në ditën e Ushtrisë Kombëtare mbase do të ishte e udhës të flitej për zhvillimet në Forcat e Armatosura, por mbase në vënd të disa rrjeshtave për formacionet e teknikën e ushtrisë, ndoshta ja vlen të flitet edhe për njerëzit e kësaj ushtrie. Ishte shkurti i vitit 1987, kur një të dielë paradite im atë u nda nga jeta. Si në çdo rast të tillë në familje u tronditëm në momentet e para që erdhën shokët. Fillimisht erdhën gratë e burrat e shkallës, të gjithë ushtarakë, më pas shokë të skuadriljes e repartit. Pas 10-15 minutash erdhi një grup mjekësh dhe infermierësh që do të kryenin formalitetet e rastit. Pas një gjysëm ore më thanë të dal te shtëpia e komshiut për të pirë një kafe. Tek shtëpia përballë banonte Dhimitër Panxhi, shef i shtabit të Bazës Ajrore të Gjadrit. Për pak minuta, dy dhomat kryesore të shtëpisë së tij ishin rregulluar për pritje. U futa brenda dhe Panxhi më vendosi në krye të vendit, afër dritares.”Këtu do rrish të presësh njerëzit, ndërkohë do rregullojmë edhe shtëpinë matanë”, – më tha dikush, dhe besoj se bëhej fjalë për shtëpinë time. Gra të bazës filluan të servirin kafe e raki për njerëzit, që filluan të vijnë si zakonisht në këto raste.

Pak më vonë erdhi Klement Aliko, komandanti i bazës, që pas takimit me mua e familjen, bashkë me Panxhin filluan të merren me organizimet e mëtejshme të këtyre rasteve.

Diku andej nga dreka erdhi vëllai im nga Tirana e më pas edhe të afërm nga Shkodra, Tirana, etj. Gratë apo burrat e fisit duket bënë një përpjekje për të marrë drejtimin e situatës në dorë, por mjaft prej tyre duke mos ditur ca vogëlsira të domosdoshme të këtyre rasteve, si për shembull, ku është kafeja, ku mund të sigurohet kafeja për raste me letrat e këshillit të rrethit, të ndërmarrjes tregtare të qytetit, ku ishte restoranti që duhej porositur për drekën, ku duheshin bërë porositë për lulet e kurorat e plot vogëlsira të tilla, por edhe duke parë se edhe pa ta, gjithçka shkonte në rregull, shpejt hoqën dorë  nga përpjekja “për grusht shteti” në drejtimin e punëve, megjithëse një përjashtim i tillë i bënte ata të ndjeheshin si mysafirë në “shtëpinë e tyre”.

Fëmijët e mi kisha kohë pa i parë, deri sa në paradrekën e të nesërmes, m’i zuri syri diku në hyrje të varrezave. Nuk e di se kush apo pse ishte kujtuar t’i sillte aty, por pothuajse menjëherë pas ceremonisë së varrimit vrapova drejt tyre. Ishin fare të vegjël, djali gjashtë dhe vajza katër vjeçe, ndaj nuk besoj se e kuptonin fare mirë se ç’kishte ndodhur, por gjithësesi në fytyrat e tyre të përlotura ndjehej trishtimi e mërzitja e thellë. Një burrë i vjetër, një nga veteranët e qytetit që kishte folur në emër të tyre gjatë varrimit, mesa duket pasi e kishte marrë vesh se kush ishin po mundohej t’i ngushëllonte.

Në këto raste bisedat janë pothuajse fare koti, njerëzit këmbejnë llafe e muhabet sa për të kaluar radhën e për t’i hequr vëmendjen nga ngjarja e ndodhur. Veterani i ulur galuc për të qenë në lartësinë e fytyrës së fëmijëve, kishte pak minuta që merrej me ta dhe kur arrita unë ai po pyeste vajzën:

“Po mirë moj xhan, do t’i thuash ti xhaxhit se nga jeni ju?”.

Mesa duket vajza ime, Adjola, nuk ishte ndeshur ndonjëherë me një pyetje të tillë se, rrotulloi kokën majtas e djathtas për një farë mbështetjeje, por kur pa se nuk kishte se ku të merrte “kopje” i tha atij me një zë të avashtë:

” Ne jemi nga Ushtria, nga Aviacioni”.

Fjalët e vajzës time 3-4 vjeçare më mbetën në mend e kohë më vonë më nxitën të shkruaj librin ” Ne jemi nga ushtria”, por ma bënë më të ”kapëshme” edhe lidhjen time me këtë ”minikomunitet” që ashtu si shumë të tjerë, si ai i artizanëve, mjekëve, artistëve, naftëtarëve, juristëve, policëve etj., etj., ka ”tiparet ” e veta dalluese.

Ushtarakët janë grupimi që ka si veçori përkushtimin ndaj detyrave të shtetit, idealizimin e dashurisë për Shipërinë, vetëpërmbajtjen, durimin dhe respektin madhor për ligjin e rregullin, duke bërë kështu që edhe familjet e ish-ushtarakëve të jenë pjesë solide e shoqërisë shqiptare. Fakt është se në 30 vitet e fundit komuniteti i njerëzve ”nga Ushtria” është pjesa e shtresave të popullsisë më e paprekur nga krimi dhe më e pandëshkuar nga ligji.

Nuk ka qënë një periudhë e lehtë kjo e 30 viteve të fundit për ushtarakët e sidomos në fillimet e tranzicionit. Pas shkurtimeve që ndodhën në Ushtrinë Shqiptare, pjesa më e madhe e oficerëve mbetën të papunë, pa miq e shokë të fuqishëm, ku mund të kërkonin mbështetje, pasi ishin njerëz që rridhnin nga familje të thjeshta punëtorësh e fshatarësh. Familjet e mëdha të ish-sistemit komunist, bllokmenët dhe anëtarët e KQ tëPPSH nuk patën asnjë fëmijë të tyre në ushtri e po kështu as familjet e ish-borgjezëve e tregëtarëve të dikurshëm, apo të dënuarve politikë, pasi siç dihet kërkesa për një biografi të pastër në kuptimin politik ishte parësore për pranim në ushtri.

Të mbetur pa punë pas largimeve nga ushtria, ata ishin jabanxhinj në një qytet larg familjes, që pa rrogën dhe pa pensionin e parakohshëm, mbetën krejtësisht të braktisur. Edhe në fshatrat prej nga kishin shkuar në rradhët e ushtrisë mbetën pa tokë, pasi ligji që e ndau atë në fillimin e tranzicionit parashikoi shpërndarjen e saj sipas frymëve që jetonin aty, ndërkohë që nuk përfituan asgjë as nga privatizimi i vendit e as nga letrat me vlerë.

Edhe gratë e tyre patën një fat kaq të ngatërruar. Mjaft prej grave të ushtarakëve, shpesh i lanë profesionet që ushtronin në Tiranë apo në qytete të mëdha, u sistemuan në qytete të vogla apo edhe fshatra në punë e profesione të tjera të pranueshme. Me privatizimet e ndërmarrjeve, me shkurtimet, apo largimet e burrave nga puna, këto gra ngelën atje pa ndonjë mundësi mbijetese.

Pas shkurtimeve të ndodhura, shumë ushtarakë u kthyen në Tiranë ose në qytetet e origjinës së dikurshme, të fëmijërisë, por ndërkohë kishin humbur aftësinë për ta ushtruar profesionin, ishin harruar nga miqtë e të njohurit e dikurshëm, për të cilët me fukarallëkun e tyre nuk paraqisnin interes dhe në pjesën më të madhe ngelen të papuna, ashtu si dhe një pjesë e madhe e burrave të tyre.

Ushtarakët (përgjithësisht) nuk kishin lidhje as me ata që po ricikloheshin në politikë e as me ish-klasat e përmbysura, që morën edhe ato pjesë në politikë, por as me ndonjë lloj partie; janë i vetmi komunitet që nuk kanë qënë e as janë pjesë e asnjë sindikate. Në këto kushte mbrojtja e tyre nga shteti ka qenë shpresa dhe mundësia e tyre e vetme për të mbijetuar.

Në një farë mënyre ushtarakët mund të thonë ”ne jemi të shtetit, jemi nga Shqipëria”

 

 

Box

Historia e krijimit të Ushtrisë shqiptare

Ne 4 dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u krijua Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës)ë e drejtuar nga Mehmet DRALLA (Tetova) dhe Shtabi i Përgjithshëm i drejtuar nga major Ali Shefqet SHKUPI. Strukturat kryesore përbërëse të saj ishin forcat aktive, rezervë ato vullnetare si edhe Xhandarmëria me 12000 personel gjithsej. Në tetor 1913 me Vendim të Konferencës se ambasadorëve në Londër, një grup ushtarakësh holandez (oficerët holandez dhe Thomson si dhe 15 oficerë të tjerë) ndihmuan në ristrukturimin dhe përgatitjen e xhandarmërisë. Vitet që pasuan shënuan zhvillime të tjera të rëndësishme. Kështu për herë të parë Forcat e Armatosura u ndanë në Forca Tokësore, Forca Detare dhe Forca Ajrore. Pavarësisht ndarjes ato nuk u organizuan në nivelin e dëshiruar. Gjatë periudhës së sundimit monarkik kjo ndarje ekzistoi, por vetë forcat kaluan ndryshime të brendshme të vlerësuara pozitive për kohën. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe edhe rritja e buxhetit për ushtrinë ishte e konsiderueshme. Gjithçka Shteti shqiptar dhe Forcat e tij të Armatosura kishte arritur deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore do të shuhej në ditën e agresionit fashist ndaj vendit tonë më 7 prill 1939. Shteti u bë inekzistent dhe për pasojë edhe Forcat e tij të Armatosura. Në këto rrethana lindën forca të reja të armatosura, që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës dhe që u përballën me pushtuesit. Forca më e madhe me një skemë organizative të qëndrueshme dhe shumë eficente, me formacione sulmuese të disiplinuara, me një ngritje numerike progresive dhe me një Shtab te Përgjithshëm ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional Çlirimtare. Kjo ushtri krijoi 24 Brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata afërsisht me 45 000 luftëtarë dhe konsiderohet më e suksesshmja e ushtrive të pas 1912-s. Në nëntor 1944 bashkë me forcat territoriale ajo arriti deri 70 000 vetë. Kjo shifër përfaqësonte 7 % të popullsisë të Shqipërisë në atë periudhë. Pas çlirimit të vendit ajo ju nënshtrua një procesi reduktimi e riorganizimi. Më 9 korrik 1945 ajo mori emrin Ushtria Kombëtare dhe numri i saj u reduktua në 40 000, në dhjetor në 35 000 ndërsa në 1948 ky numër ra në 27 000 ushtarakë aktiv. Në të njëjtën kohë ajo filloi transformimin në një ushtri të rregullt të kohës së paqes.