– Haxhi Aliu ishte nga Ulqini, por strehën e kishte gjetur në shpellën në Karaburun.
-Në Ishullin e Sazanit, sapo vije këmbën në bankinën e molit, të shfaqej busti i “piratit” Haxhi Aliu.
Agim Janina-studiues arti
Në një shkrim mund të vendosësh bashkë piratin Haxhi Aliu, këngëtaret Vaçe Zela dhe Luiza Papa, piktorin Hasan Çapari e skulptorin Mumtaz Dhrami dhe kjo nuk përbën çudi.
E bën të mundur skulptori korçar Pandi Kosta.
Pirati Haxhi Aliu, edhe pse ka jetuar shekuj më parë, është një emër i njohur, aq më shumë, që në Gadishullin e Karaburunit është një shpellë e famshme me emrin e tij. Shpella ka qenë vend strehimi i piratit, sa herë ndiqej nga anijet veneciane apo anije të tjera. Haxhi Aliu ishte nga Ulqini, por strehën e kishte gjetur në shpellën në Karaburun.
Në Ishullin e Sazanit, sapo vije këmbën në bankinën e molit, të shfaqej busti i piratit Haxhi Aliu. Kishte një pamje burrërore, tipike detari dhe në kokë i mbështillej një shami koke, si i kemi parë piratët nëpër filma apo ilustrime librash.
E kisha kërkuar në vite autorin e veprës, duke pyetur artistë vlonjatë dhe skulptorë të ndryshëm, por pa sukses. Krejt papritur skulptori Maksim Bushi në bisedë me skulptorin Sotir Kosta, e pyeti për bustin e Haxhi Aliut dhe mori përgjigjen, e ka bërë skulptori korçar Pandi Kosta.

Diçka më thoshte emri, por s’kujtoja asgjë të sigurt. Në shënimet e shumta të mbajtura gjeta takimin me të në Korçë në vitin 1987. Kisha shkuar të njihesha nga afër me krijimtarinë e piktorit Vangjush Mio dhe si zura vend në Hotel Turizmi, fillimisht bëra një vizitë në Galerinë e Artit të qytetit. Aty isha takuar me Pandin, atë kohë Drejtor i Galerisë, një burrë hollak dhe i gjatë me një buzëqeshje të butë, vështrim të dashur dhe me të folurën karakteristike korçare, shoqëruar me lëvizje të lehta të duarve.
Ato kohë botimet për artistët e Arteve Pamore ishin të rralla, por Mio përmendej herë pas here dhe shtëpia e tij muze në qendër të qytetit ishte një mrekulli i veçantë dhe e rrallë për kohën.
– Kam një libër për Mion, më tha befas Pandi ndërsa u ulëm për të pirë një kafe. E ka shkruar kolegu i tij Vangjush Tushi, por… Këtu heshti i pezmatuar e shtoi, është në burg, i dënuar për Agjitacion e Propagandë i shkreti!
Heshtëm të dy. Fjalët ishin të tepërta. S’mund të flisnim për të dënuarin.
– Por, foli Pandi, do të ta sjell librin edhe pse është i ndaluar. Lexoje e merr çfarë të duhet dhe ma kthe nesër. Ka shkruar mirë, por kujdes nuk duhet ta citosh.
E falënderova për mirëbesimin dhe gjithë mbrëmjen u mora me librin e Vangjush Tushit. Sot duket e lehtë, por ato vite nuk ishte e lehtë një veprim i tillë. Të dy nuk njiheshim më parë dhe më preku mirëbesimi i tij. Arti bashkon shpirtrat, do të më thoshte një mik piktor, kur i tregova ngjarjen kur u ktheva në Tiranë.
Pasi gjeta numrin e celularit dhe bisedova me të birin, mbasdite i rashë numrit. Nga ana tjetër erdhi një zë i butë. Ishte po ai zë, po ajo energji dhe mirësjellje.
– Në vitin 1957 si mbarova Liceun Artistik më morën ushtar dhe më caktuan në Komandën e Marinës në Vlorë, do tregonte Pandi. Aty u njoha me një vajzë, por kur e mori vesh Komanda lidhjen tonë, u alarmua. Vajza ishte me biografi të keqe për kohën. Unë isha antar partie. Më vunë kushtin, po e more për grua do të të përjashtojmë nga partia. Zgjodha ta marr për grua. Për dënim, jo vetëm që më përjashtojnë nga partia, por më transferojnë në Ishullin e Sazanit. Aty u njoha me një Këshilltar Sovjetik, i cili më ndihmoi shumë, kur mësoi arsyen pse më kishin dënuar, se nuk më linin as të dilja në Vlorë me liridalje. Ishte dhe shumë i dhënë pas artit. Kur mësoi që isha skulptor u lidhëm më shumë. Një herë më pyeti, a keni figura të vjetra marinarësh? Menjëherë më shkoi mendja te pirati Haxhi Aliu dhe te shpella e tij në Karaburun. E kisha parë shpellën, kur shkonim të merrnim marrinarët e Kepit të Gjuhëzës, ku ishte një Bateri Kundëarajrore dhe marinarët që shërbenin aty, i merrnim ne me anije për t’i nxjerrë në Vlorë, se nuk kishte rrugë tokësore.
Në Bibliotekën e Ishullit kisha lexuar një libër të vogël, shkruar nga Dhimitër Shuteriqi, titulluar “Rruga e rinisë”, ku fliste për piratin Haxhi Alia, si mbrojtës të Kanalit të Otrantos.
I tregova Këshilltarit Sovjetik dhe ai bisedoi me Komandën e Ishullit për t’i ngritur një monument piratit të famshëm. Ngrita studion te Kinemaja e Ishullit, porositëm baltë dhe allçi në Vlorë dhe fillova nga puna. Një herë erdhi Nasho Jorgaqi për ta parë dhe kur e mbarova e pëlqyen, i nxorra taselet në allçi dhe e derdha në beton. Busti u vendos në hyrje të portit sapo ngjitesh për në Komandë në një shesh të vogël. Që atëhere s’e kam parë më… nuk e di ç’bëhet.
– Kur kam qenë ushtar busti ishte dhe kur shkova para ca kohe nuk e pashë. Ishulli ishte në gjendje të vajtueshme. Të vinte t’ia merrje të qarët…
Nga ana tjetër e celularit Pandi lëshoi një pshehrëtimë. Ndoshta s’duhet t’ia kisha thënë. Ndonjëherë është më mirë të mendosh se vepra është ende, se sa të mendosh që ta kanë prishur… por e tillë është jeta dhe Pandi nuk u ankua. Tashmë ai i ka kaluar të 95 dhe shpesh i kthehet kujtimeve. Ka përgatitur një album, ku ka shënime nga jeta, fotografi me miq e shokë dhe veprat në skulpturë, që ka realizuar, si buste e lapidare dhe ndërmjet tyre është edhe Busti i Haxhi Alisë, ku duket skulptori duke e modeluar në baltë. Është i ri dhe në një foto tjetër është i veshur marinar, ka lënë mustaqe dhe me krenari ka dalë, duke pasur në sfond flamurin e Marinës Detare, të cilën e ka pikturuar vetë për Komandën e Ishullit. Ka shumë punime si Kompozimet “Veri Jug”, “Fshat qytet”, “Në kufi”, “Komiti”, shtatorja e Mihal Gramenos, portretet “Partizani”, “Malësori”, “Punëtori”, buste të ndryshëm si “Marinari”, “Plaku”, “Pandeli Sotiri”, “Bethoveni”, lapidare në Liqenas
I kalon fotografitë duke shfletuar faqet e albumit dhe ndërmjet fotografive të shumta kalojnë artistë të ndryshëm në të ritë e tyre si Agim Zajmi, Naxhi Bakalli, Mumtaz e Lumturi Dhrami, Hasan Çapari etj. Pranë janë edhe shënime, që shokët e shoqet e maturës së Liceut kanë lënë për njëri tjetrin. Në fund të njërës lexohet Vaçe Zela.
– Kemi qenë në një vit, Vaçja vazhdonte për muzikë, por disa lëndë shoqërore i bënim bashkë. Ishte vajzë e qeshur dhe shumë e talentuar. Vaçja i ka shkruar, Pandit! “Koha në të cilën unë të njoha qe shumë e shkurtër dhe ja tashti ne duhet t’i themi njëri tjetrit lumtumirë! Sa keq më vjen që do ndahem nga shoqet dhe shokët midis të cilëve je dhe ti. Unë mendoj se në një të ardhme të afërme do shihemi dhe do kujtojmë jetën shkollore. Do dëshiroja që midis të tjerëve të më kujtosh edhe mua, një shoqe të klasës. Vaçe Zela 20 maj 1957”.
Janë shkrime zemre, shkrime ku artistët e ardhshëm përkundeshin në ëndrra të bukura, pa ditur se sa të famshëm do bëheshin disa prej tyre. Kur kthen faqen është një shënim tjetër, lënë nga këngëtarja Luiza Papa. Me një shkrim të bukur lexohet, “Pandi! Ashtu si të gjithë shokët edhe unë po të shkruaj këto pak rreshta, të cilat kur t’i lexosh të të kujtojnë shoqërinë e shkollës.
Gjatë katër viteve që mësuam bashkë të njoha si një njeri të mirë, serioz, punëtor dhe të sinqertë, prandaj të uroj që edhe në jetë të jesh shembull i shoqërisë!
Pandi! Kujtoje gjithmonë Luizën, modelin tënd të diplomës… Shoqja jote Luiza Papa. Tiranë 24 maj 1957.
– Përse të ka pozuar Luiza? – të vjen vetvetiu pyetja.
– Në Lice kam bërë shtatoren e Margarita Tutulanit. Më kishte lënë mbresë vrasja e saj bashkë me të vëllanë Kristaqin nga fashistët italianë. Gjeta ca foto të saj dhe fillova ta modeloj. Në Lice ne nxënësit pozonim për njeri tjetrin. Mendova se Luiza i përshtatej më mirë bukurisë së Margaritës dhe ajo më pozoi me shumë dëshirë. Ndodh në art që bashkohen dy njerëz të ndryshëm në një apo dikush tjetër të shërben për të krijuar e ndërtuar shembëlltyrën e për të sendërtuar personalitetin e dikujt tjetër dhe në këtë lidhje ngjizet vepra e artit.
Takimi me njerëz si Pandi të mbushin me emocione, të dhurojnë kujtime të bukura dhe ndjen çudinë e jetës, që të vë përpara krejt papritur personazhe, ngjarje e vepra që të kanë shoqëruar në jetë dhe nën “heshtjen” e tyre zbulon karaktere që mbajnë histori mbresëlënëse.




















