60-vjetori i sistemit energjetik shqiptar

919
Sigal

Çlirimi i vendit, pas Luftës së Dytë Botërore, e gjeti Shqipërinë me një energjetikë të prapambetur, pa asnjë trashëgimì në fushën e studimeve, projektimeve, ndërtimit dhe shfrytëzimit të veprave energjetike, bazuar në teknikën e përparuar të kohës. Duhej të fillohej çdo gjë nga e para. Hapi i parë i rëndësishëm për atë periudhë ishte ndërtimi i hidrocentralit në Lanabregas (Selitë) të Tiranës. Fillimi i punimeve të tij u bë në vitin 1947 dhe filloi shfrytëzimin në vitin 1951. Të gjithë kuadrot drejtues, specialistë e punëtorë ishin të rinj, të moshës 20-25 vjeç, pa përvojë për ato punime të rëndësishme që do të bëheshin. Punimet duhej të kryheshin në terren malor e në kushte të vështira meteorologjike. U gërmuan dhe u betonuan rreth 7 km tunele, të cilat kalonin në formacione të vështira gjeologjike. Ai hidrocentral ishte i tipit derivacion. Vepra e marrjes ndodhet në faqen e Malit me Gropa, ku burimet e ujit dalin në kuotën 980 m2 mbi nivelin e detit. Që këtej uji futet në tunelin me gjatësi rreth 1660 m Për ndërtimin e tij u bënë rreth 82 mijë m3 gërmime nëntokësore, 36 mijë m3 mbushje të ndryshme, 29 mijë m3 betonime nën e mbi tokë, 2140 montime, tubacione dhe konstruksione metalike e shumë punime të tjera ndihmëse. Tubacionet e hidrocentralit, së bashku me gjithë veprat e tjera, janë vendosur në sallën e centralit, në ndërtesën nëntokësore, brenda në mal. Rënia e ujit është 639 m me prurje mesatare shumëvjeçare, rreth 500 litra në sekondë. Prodhimtaria mesatare vjetore, nga 20 milion kë/orë në vit, u rrit në rreth 40 milion kë/orë me futjen e ujit të Qafë-Mollës. Është për t’u theksuar se niveli i ndërtimit të punimeve ishte i prapambetur, pa mekanizime. Gërmimet e tuneleve bëheshin me pistoletë. Për plasjen e minave, në vend të dinamitit, përdorej baruti i predhave të mbetura nga lufta. Për gërmime kryesisht përdoreshin kazmat, ndërsa materiali i gërmuar nxirrej me vagonë, të cilët shtyheshin me krahë. Drejtues i gjithë punimeve ishte Rahman Hanku dhe Emin Musliu, kuadro të mesëm, por pa përvojë. Në këto punime Sali Vata, fshatar i varfër, u pagëzua “Luani i tuneleve” dhe u bë specialist kryesor i tuneleve. Kuadro të parë drejtues të shfrytëzimit ishin Petrit Radovicka, Foto Lulo e Pandi Çesmaxhi. Ky hidrocentral, që u inaugurua më 7 Nëntor të vitit 1951, siguroi energji të bollshme për Tiranën e Durrësin, si dhe ujë të pijshëm të burimeve të Selitës.

Hidrocentrali i Ulzës

Është ndërtuar në afërsi të fshatit Ulzë, në pjesën e sipërme të lumit Mat. Fillimi i punimeve u bë më 11 janar 1952. Më pas filloi ndërtimi i rrugës Milot-Ulzë, zonë krejtësisht e izoluar. Për ndërtimin e saj punuan, jo vetëm specialistët që ndërtuan hidrocentralin e Lanabregasit në Selitë, por dhe fshatarë nga rrethet Mat, Mirditë, Krujë, Dibër etj. Brenda një kohe të shkurtër Ulza u bë qendër e re e banuar, me rreth 2900 punëtorë e specialistë. Diga e tipit me gravitet prej betoni, është e lartë 64 m me volum betoni prej 260 mijë m3. Ndërtesa e hidrocentralit është e vendosur brenda në trupin e digës. Vëllimi i liqenit është 360 milionë m3 ujë me sipërfaqe rreth 13.5 km2. Shkarkimi i ujërave bëhet nga portat me aftësi 3200 m3/sekondë. U kryen 150 mijë m3 gërmime, betonime 250 mijë m3, montime 1800 ton. Gjatësia e digës është 264 m kurse gjërësia 57 m lineare. Hidrocentrali ka të vendosur 4 agregatë me fuqi 25 mijë kwh dhe aftësi prodhuese 120 milionë kwh në vit. Drejtori i parë i punimeve të ndërtimit ka qenë Rahman Hanku, kryeinxhinier punimesh Hysni Dine, drejtues i punimeve në digën e hidrocentralit ishte Emin Musliu, i cili sapo kishte mbaruar studimet e larta. Drejtor i shfrytëzimit ishte Bukurosh Peza, ndërsa për montim kanë punuar Spiro Kotro, Jorgji Zaho etj. Kjo nxori në dritë sipërfaqen e liqenit me një hapësirë prej 13.5 km2. Ajo që mbante mbi shpatulla këtë volum uji është diga me lartësi 64 m. Volumi i betonit të hedhur në digë është 260 mijë m3. Për ndërtimin e veprës punuan 2900 punonjës për një periudhë kohe 6-vjeçare. Gjatë ndërtimit të hidrocentralit kanë dhënë jetën 19 punonjës.

Hidrocentrali i Shkopetit

Ky hidrocentral ndodhet rreth 20 km më poshtë nga hidrocentrali i Ulzës, afër fshatit Shkopet. Fuqia e vendosur e tij është 24 mijë kwh, me dy turbine nga 12 mijë kë secila, të vendosura në trupin e digës. Punimet filluan në janar të vitit 1958 dhe shfrytëzimi filloi më 10 korrik 1963. Për ndërtimin e tij u kryen 203 mijë m3 gërmime sipërfaqësore, 30 mijë m3 gërmime nëntokësore dhe 76 mijë m3 betonime. U harxhuan 65 milionë lekë dhe 3.5 milionë dollarë. Drejtues i punimeve ka qenë Sabri Shini, kryeinxhinier Nuri Muço, drejtor i shfrytëzimit Nuredin Pumo.

 

Hidrocentrali Bistrica 1 dhe Bistrica 2

Hidrocentrali Bistrica 1 u ndërtua mbi lumin e Bistricës, me burime në afërsi të fshatit të Muzinës, në Sarandë. Ka një fuqi të vendosur 22500 kë/orë, me 3 agregate nga 7500 kë/orë secili. Prodhimi vjetor është rreth 100 milion kw/orë. Punimet filluan në janar 1958 dhe kaloi në shfrytëzim në maj 1964. U harxhuan 113 milionë lekë dhe 2.8 milionë dollar. Hidrocentrali Bistrica 2 është me turbinë 5 mijë kilovat dhe prodhimtari 35 milion kw/orë në vit. Kaloi në shfrytëzim në vitin 1966. U harxhuan 18 miliardë lekë dhe 1 milion dollar. Për ndërtimin e dy hidrocentraleve të Bistricës u kryen 956 mijë m3 gërmime të jashtme, 55 mijë m3 gërmime nëntokësore dhe 70 mijë m3 betonime të ndryshme. Studimet u kryen nga prof. Petrit Radovicka, Emin Musliu, Egon Gjadri, Gëzim Struga etj. Drejtues i punimeve ishte Muhedin Muço. Pas një pune intensive prej gati tre vjetësh studiuesit përfunduan studimin me disa variante dhe në fillim të vitit 1964 u miratua në institucionet e larta të shtetit.

 

Hidrocentrali i Vaut të Dejës

Ky objekt ngrihet në pjesën e poshtme të lumit Drin, para se ai të bashkohet me lumin e Bunës, rreth 18 km larg qytetit të Shkodrës. Punimet e ndërtimit filluan në janar 1967. Në Zadejë u ndërtua diga me material vendi, me lartësi 60 m me vëllime rreth 9.2 milionë m3 mbushje të ndryshme, me bërthamë argjile. Nën shtratin e lumit u ndërtua perdja prej betoni me thellësi 50 m dhe sipërfaqe prej rreth 10 mijë m2. Në dy shpatullat e digës është ndërtuar perde çimentimi me rreth 12 mijë m2 Në krahun e majtë është ndërtuar tuneli i devijimit të lumit, i betonuar, që më vonë do të shërbente dhe si shkarkues fundor i prurjeve të mëdha me aftësi shkarkuese 2.4 mijë m3/sekondë. Është ndërtuar diga me materiale vendi, me lartësi 46 m dhe vëllim prej 1.2 milionë m3. Vepra e marrjes së ujit në turbinë është vendosur në digën prej betoni me lartësi 47 m, me 178 mijë m3 betone. Tri porta segmente janë me aftësi shkarkimi 4200 m3 ujë në sekondë. Në ndërtesën e centralit lartësia është 48 m, 20 m gjerësi dhe e gjatë mbi 110 m. Poshtë saj është hapur kanali i shkarkimit të ujit. Vëllimi i ujit në liqen është 560 milionë m3 dhe sipërfaqe 25 km2. Prurja maksimale e lumit është llogaritur 10 mijë m3/sekondë.

 

Hidrocentrali i Fierzës

Ky hidrocentral është ndërtuar në brigjet shkëmbore të Drinit, pak para se lumi të bashkohet me Valbonën. Në vitin 1970 u hap rruga automobilistike nga Qafa e Malit në Vaun e Fierzës deri në qytetin e Bajram Currit. U studiua mundësia e ndërtimit të tij në 7 variante kryesore; digë hark, digë grataçieli prej betoni me materiale vendi me zhavor, argjil, gurë etj. Përfundimisht, pas diskutimeve të shumta u vendos të ngrihet diga me materiale vendi, me lartësi 171 m Instituti i Projektimit të Hidrocentraleve e transferoi qendrën e tij në Fierzë, pranë objektit të ndërtimit. Gjatësia e lumit Drin brenda vendit deri në derdhje është 285 km.

 

Hidrocentrali i Komanit

Ky hidrocentral u ndërtua në Grykën e Melgunit, rreth 2 km afër fshatit Koman. Punimet e para gjeologo-inxhinierike filluan në vitin 1974, ndërsa ato normale në vitin 1981. Diga është e tipit me ekran. Liqeni grumbullon rreth 430 milionë m3 ujë. Lartësia e digës është 115 m gjerësia në kurorë 12 m ndërsa në bazë 240 m Vëllimet e punimeve janë 364 mijë m3 gërmime sipërfaqësore, 5 milionë m3 mbushje në digë, 720 mijë m3 betonime, 55-60 mijë m çimentime të thella dhe 27 mijë ton konstruksione metalike. Ka 4 turbina me fuqi 600 mijë kilovat/orë, nga 150 mijë secila, me prodhimtari vjetore mesatare rreth 1.8-2 miliardë kilovat/orë. Konsumi për çdo turbinë është 180 m3 në sekondë. Ndërtesa e centralit është 58 m e lartë, 120 e gjatë dhe 24 m e gjerë. Hidrocentrali i Komanit filloi punë në vitin 1986. Projektuesi kryesorë ishte prof. Petrit Radovicka dhe Farudin Hoxha, drejtues punimesh Ismail Ahmeti, kryeinxhinier Kujtim Bejtja. U harxhuan 875 miliardë lekë dhe 70 milionë dollarë.

Sefer Kola,

veteran i HC, Ulëz