Sefer Pasha: Ju tregojë për herë të parë anën e panjohur të ish-kreut të Drejtorisë së Dytë, Jaup Dabulla

1213
Sigal

 Miqësia me Halil Hoxhën babanë e Enverit dhe pakënaqsitë e tij pas pushkatimit të Bari Omarit.Dunavati, krijimi i Bllokut dhe pse nisën pushkatimet

 

– Ishte i kënaqur me jetën e tij, por i zhgënjyer me ato që ngjanë me Enver Hoxhën, dhe “trimat” që e rrethuan

 

Sekretet, ana e panjohur  dhe shoqëria në bllok e Halit Hoxhës babait te Enverit, dhe miqësia e madhe me Jaup Dabullën

Kronika e kujtimeve të Jaup Dabullës të mbledhura nëpër boçet me gjëmba të një jete në ankth e teh shpate.

– Ditën që doli në pension më 10 tetor 1982, ka thënë: – “Si është e mundur që jam gjallë, pasi  shefi dhe miku im Llambi Peçini u arrestua”

– Jaup Dabulla shërbeu në kufi, në Ministrinë e Brendshme e në të famshmen e quajtur Drejtoria e Dytë, e cila merrej me sigurimin e udhëheqjes së shtetit të kohës

– Kur Enver Hoxha u pengua e ra në buzë të krevatit në Klinikën Qeveritare, Jaupi, ishte në Francë

– Në Korçë. Sekretar i Parë ishte Haki Toska, Jaupi, Komisar i Kufirit, debatuan për tavolinën e komandantit

-Si e caktoi Mehmet Shehu,  Dabullën në vend të Sali Ormënit që vrau veten

– Qe me shërbim në Ministri kur e njoftojnë se Nako Spiro vrau veten

-Pulsi i zemrës së Nako Spiros kishte pushuar në duart e Ministrit të Shëndetësisë, doktor, Ibrahim Dervishit

– Në moment mbërrin Liri Belishova që i thotë Jaup Dabullës: “-Vrau veten Lenini?”

-Jaup Dabulla i përgjigjet se garda ka në banesë Nako Spiron dhe jo Leninin.

-Në të gjitha shërbimet sytë mos i mbani nga Enver Hoxha që flet në tribuna por vështroni lartësitë, fytyrat e dyshimta, personat që mund të kenë armë në miting, kaosin në mitingje, parkimet e ndaluara të makinave

-“ U plaka dhe Enver Hoxhën nuk e pashë një herë në fytyrë”,- thoshte Jaup Dabulla

-Jaupi për gjashtë muaj e stërviti syrin e tij dhe të punonjësve me fotografinë e agjentit Avdyl Banushi për të cilin kishte të dhëna se gjatë paradës ushtarake do t’i bënte atentat Enver Hoxhës.

-Flinte me fotografinë e atentatorit. E dhëna ishte e sigurt. Avdyl Banushi ishte i strehuar në Tiranë. Agjenti do të hapte zjarr me snajper që nga Pallatet e Shallvareve

-Tek Ura e Zogut, Haki Toska kishte zbritur për  nevoja personale, nga stuhia dera e makinës u mbyll shoferi u nis.

-Në fakt Hakiu kishte mbetur jashtë, në buzë të lumit të Matit në këmbë

– Haki Toska: -“Unë u ngrija dorën makinave  por më shikonin të shkurtër dhe me siguri që thoshin se ky xhuxhi nuk ka para për të paguar.”

– Kaluan me dhjetra shyta e nuk më begenisën. Unë realisht nuk kam asnjë lek me vete

– Jaup Dabulla ka pasur miqësi me Halil Hoxhën, të atin e Enver Hoxhës e  kishte njohur Halilin qysh në rini në Gjirokastër

-Halil Hoxha i qahej shpesh Jaup Dabullës. “I kërkova lekë Enverit”, se do të shkoj tek vajza. Nuk ka lekë i kishte thënë Enver Hoxha, puno se nuk e ke mbushur moshën për pension

– “Ndezëm belanë me këtë Enverin” -i thosh Halili, Jaupit.  –“I bën mbledhjet në shtëpi dhe gjithë natën me Gjylon mbetëm pa gjumë”.

-“Na i mori pronat në Gjirokastër. Kishim gjithë ato toka në Dropull. Edhe Urën e Lumit ne e kishim. –Po ku i flitet me gojë Enverit. I thashë një ditë se pesë napolona m’i dha Beqiri (Balluku) dhe Enveri m’i skërmiti dhëmbët si ato rrufetë që bien në Këcullë”.

-“Po se mos i thuash gjë more Jaup, Enverit, se më ndau nga Gjylua”.

-“Ty, Jaup, Enveri të do shumë. E kam dëgjuar me veshët e mi kur ja tha këtë gjë Adil Çarçanit, kur ai erdhi për drekë në shtëpinë tonë.”

 

Nga SEFER PASHA

 

Dy miqtë e mi nga Prishtina, historianët Liman Rushiti dhe Haki Kasuni, po kërkonin në Varrezat e Sharrës një njeriun e tyre, i vrarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kishin me vete skicën dhe e gjetën pllakën, që mbulonte ushtarin e UÇK – së. Të dy historianët me duart që u dridheshin pastronin barin e egër dhe gjëmbat rrotull varrit të braktisur nga njerëzit dhe fati. Askush nuk qe interesuar për luftëtarin e vrarë. Historianët thoshin se luftëtari i UÇK – së i ka të vetët në Gjermani. Kur ata po thoshin ca sekrete për varrimin në Sharrë të ushtarit të UÇK – së, unë i lashë në dramën e tyre duke folur e pastruar gjëmbat si bajoneta. Vetë fillova të endem kot së koti nëpër varrezë, dhe kur nuk e prisja në pllakën e një varri më zunë sytë emrin e Jaup Dabullës. Dikur e kisha pasur epror në Drejtorinë e Dytë, që mbulonte dhe shërbimet e Gardës së Republikës. Me firmën e tij pata vazhduar shkollën e Ministrisë së Brendshme. Jaup Dabulla u bë shkak që në jetë të bëj karierë dhe nuk isha pa fat. Nuk i ndaja sytë nga fotografia e Jaup Dabullës. Më dukej si i gjallë, i qeshur, i menduar, i veshur pastër, me humor e ironik siç qe në jetë. Fotografia e Jaup Dabullës në faqen e varrit m’i zgjoi kujtimet. Njeriu fisnik i kishte rënë pashë më pashë Shqipërisë, që nga milimetrat e piramidave në kufi, e deri tek koka e krevatit të Enver Hoxhës.

Dy vjet e kisha shef Jaup Dabullën. 

Ai na jepte mësim e na stërviste. Po ç’ka mbetur në memorien e kujtesës time nga ato që na tregonte Jaup Dabulla. Stërvitjet i kam harruar. Edhe ato në Tepelenë, në Lozhan të Korçës, e në Dajt. Qysh tek koka e varrit të Jaup Dabullës më lindi mendimi që të hidhja në një libër gjithçka të mirë që ai la pas. Po si? Jaup Dabulla nuk la asgjë të shkruar. Për shkak të profesionit delikat, ai, nuk la as shënime të profesionit, që nëpër rreshta të gjenim qoftë dhe një fjalë, fjali, emër vendi, ndonjë dramë, apo sikur të kishte shkruar fjalën “Enver”. Tregimet që stivosen në këtë libër, Jaup Dabulla, i molloisi me kolegët, me të vëllezërit, Fejzon, Arshin, Aqifin dhe motrat, Mahmuden dhe Paquzen. Doemos dhe me të birin, Gëzimin. Kolegët që janë ende gjallë, miqtë dhe familjarët thonë se ai tregonte si të gjithë dunavatasit natyrshëm. Gjithçka siç kishte ngjarë, pa lule e pa “ohe” e “ahe”. Ishte i kënaqur me jetën e tij, por i zhgënjyer me ato që ngjan me Enver Hoxhën, dhe “trimat” që e rrethuan. Jetoj në mes të zjarrit dhe doli nga flakët pa asnjë plagë. Ditën që doli në pension më 10 tetor 1982, Jaup Dabulla, ka thënë:  – Si është e mundur që jam gjallë!  Shumë u arrestuan dhe u burgosën. Shefi dhe miku i tij Llambi Peçini u pushkatua. U bën mote që qëmtoj si bleta lule më lule për të mbledhur “nektarin” e jetës së tij të trazuar. Më trokasin ato që lidhen me botën shpirtërore të Jaup Dabullës. Stërviteshim në Petrelë. Në pushim Jaup Dabulla i pyet gardistët një për një për vendlindjen. Një gardist qe nga Gjirokastra, bile nga lagja Dunavat, nga ishte dhe vetë koloneli. Jaup Dabullës i bëri përshtypje dhe e pyet gardistin se i kujt ishte nga Dunavati. Në fund i kërkoi t’i thoshte ndonjë këngë nga ato të Dunavatit. Por gardisti nga Dunavati u zu ngushtë. Nuk dinte asnjë këngë. Dhe pastaj Jaup Dabulla për ta qetësuar, se e vuri në siklet, na tregoj të gjithëve një këngë, që e kishte mësuar qysh në vegjëli, dhe e këndonte me shokët nën urat e Dunavatit e nëpër Sokakun e të Marrëve. Koloneli  i recitoi vargjet: /Atje poshtë dhe atje lart/ /Tek Urat në Dunavat/ / Të kam thanë një mijë herë/ /Pse si  ndez ata fener?/ /Më kë thënë si s’më kë thënë!/ /Po pse t’i ndes kur ka hënë?/ /Mirëpo hënë ka kudo/ /Pse i ndez në Palorto?/.

Fotografia dhe emri i Jaup Dabullës në gurin e varrit më shtytën, që pas këtij çasti, i cili më emocionoi, nisa të qëmtoj rreth jetës së këtij gjirokastriti të rrallë. Jaup Dabulla shërbeu në kufi, në Ministrinë e Brendshme e në të famëshmen e quajtur Drejtoria e Dytë, e cila merrej me sigurimin e udhëheqjes së shtetit të kohës. Pjesën më të madhe të karierës Jaup Dabulla gjersa doli në pension e kaloi në Bllok.

Blloku u bë për të si një Dunavat i dytë.

Një jetë plot mistere e dallgë ai e kaloi në dy – tre hektar vend. I kam pyetur shokët e tij që janë gjallë, edhe Skënder Alikën, që tani është 94- vjeç, edhe shokun e tij të fëminisë në Dunavat të Gjirokastrës, Gjyzedin Muçaj, i cili gjithashtu i ka kaluar të nëntëdhjetat. Tregimet për jetën e Jaup Dabullës rrjedhin si rrëketë dhe prrenjtë e Dunavatit, ku ai lindi. Nëpër blloqe kam shënime që ua kam “rrëmbyer” nga kafshata e gojës miqve të kolonelit,  të cilët nuk janë më në jetë. Mbresat e tyre mbajnë erën e udhëve e të shtigjeve, ku kanë luftuar krah për krah me Jaup Dabullën. Emrat nuk do t’ua përmend se ata janë një “batalion”. Kur i “zhvasja” nëpër kafene nuk u thoja se “malet” e rrëfimeve do t’i stivosja në një libër. Se si më vjen tani që ata kanë vdekur. I shfletoj fletët e blloqeve si ajo era që s’di ku të kapet në korien me driza. Më shpojnë “gjëmbat” e kujtimeve. Nuk ndihem mirë. Se qëndis dot mushkën e ngarkuar vesh më vesh. E kam të pamundur ta shkarkoj në libër. Rrëfimtarët mbi jetën e Dabullës ngatërrojnë vite, data, vende, ngjarje, emrat e shoqëruesve personal e të mjekve. Dhe fillojnë grindjet në tavolinë: – “ka ndodhur kështu e jo ashtu”, “Kur Enver Hoxha u pengua e ra në buzë të krevatit në Klinikën Qeveritare, Jaupi, ka qenë në Francë” e të tjera. Por kur mi kanë treguar ngjarjet e jetuara, ata, përshkruanin me imtësi vendet me bëma, rrudhat e ballit të Enver Hoxhës, si ishte koha, çfarë tha Enver Hoxha, sa larg qe Jaup Dabulla nga udhëheqësi, ç’masa disiplinore u dhanë për të metat në shërbim, bile nënvizojnë se Enver Hoxha ua dinte emrat edhe gardistëve në vendroje, të cilët shërbenin në rrethimin e tretë.

 

Qortimi

Gjatë kohës që shërbeja në Gardë, kur Jaup Dabulla ishte Kryetar Dege në Drejtorinë e Dytë qysh që nga gushti i vitit 1968, kam folur vetëm një herë me të, ose më saktë ai më ka bërë një qortim. Zhvillohej Kongresi i Dytë i Lidhjes së Shkrimtarëve në sallën, ku është sot Kuvendi i Shqipërisë. Erdhi dhe Enver Hoxha. Disa gradistë civilë, midis tyre dhe unë, ishim shpërndarë nëpër skuta për të vëzhguar veprime të dyshimta. Në një moment më afrohet Jaup Dabulla. Ai më tha: -“Gardist Pasha! Ule pak më poshtë palën e pantallonës së këmbës së djathtë se të duket lidhja e benevrekut të bardhë. Për ty më ka thënë Komisari i Batalionit (Baftjar Gjoka) se shkruan vjersha. Shikoji sa bukur që janë veshur shkrimtarët”. Nuk e doja veten, por nuk kisha faj. Ashtu i prisnin kostumet për gardistët, të cilët kryenin shërbime civile. Kostumet nuk priteshin me masë. Kostumin civil, që e kisha veshur unë e vishinin me dhjetra gardistë të tjerë. Meqënse i kishim kokat të qethura sipas rregullores na vinin në kokë ca kapele si të punëtorëve operativë të Sigurimit të Shtetit. Në rrobaqepësinë ushtarake të Tiranës, nuk donin t’ja dinin se kush do t’i vishte ato kostume të prera me një të rënë të gërshërës, sikur të gjithë të kishim një gjatësi e një gjerësi. E mbajta mend gjithë jetën, se në atë shërbim mes shkrimtarëve isha i vetmi “poet” 18- vjeçar, “spiun”, me kobure në brez (gardistët në çdo shërbim ishin të paisur me pistoleta T.T.)

Jaup Dabulla në rini, fill pas luftës, qe komisar i Brigadës së Kufirit në Korçë. Sekretar i Parë ishte Haki Toska, i cili e njihte mirë Jaup Dabullën. Në një rast Haki Toska shkon në zyrën e Jaup Dabullës. Atë e gjen në zyrë, kurse Komandantin e Brigadës, jo. Haki Toskës i bën përshtypje që në zyrën, ku rrinin së bashku komandanti dhe komisari kishte një ndryshim të dukshëm. Aty ku rrinte komandanti, podiumi qe nja dy pëllëmbë më i lartë. Kurse tavolina e komisarit, Jaup Dabulla, ishte e mbështetur në dysheme. Që nga dera binte në sy, që karrikja dhe tavolina e komandantit ishin goxha më lart. Jaup Dabulla e sqaron Haki Toskën. Këtë kompozim e kishte bërë komandanti i Brigadës për t’u thënë vartëve se, ai, ishte më i madh nga komisari dhe bënte ligjin. Haki Toska nuk kishte bërë asnjë koment. Pas ca ditësh u bë një mbledhje në korpus. Diskutimin e kishte përgatitur Jaup Dabulla dhe natyrisht që ai do ta mbante. Por në orën që do të bëhej mbledhja dhe kur do të vinte dhe Ministri i Brendshëm, Jaup Dabulla, bëhet si i sëmurë dhe mer një raport. Komandanti i Brigadës doemos që do ta lexonte diskutimin e përgatitur nga komisari, Jaup Dabulla. Dhe kështu ndodhi. Por komandanti i Brigadës qe pa shkollë dhe mëk – mëk e mëk – mëk.  Ai nuk e lexonte dot diskutimin e përgatitur mjeshtërisht. Në sallë filluan të përshpërisin. Ulu, i kishte thënë Haki Toska komandantit të Brigadës. Ky është kurth i ngritur nga Jaup Dabulla kishte belbëzuar me vete. Mori hakun e podiumit të ngritur në zyrë.

              Më datën 5 mars 1950 Jaup Dabulla u ndodh në një darkë tek miqtë në Boboshticë të Korçës.

 

E lajmërojnë të kthehet urgjent në Tiranë. Në datën 6 në mëngjes e kërkonte Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu në zyrë. Ata që e kanë parë Jaup Dabullën përpara zyrës së Mehmet Shehut, janë habitur. Jaup Dabuula që vinte nga lufta dhe qe trim, qe zverdhur si limoni. Mehmet Shehu e takoi në korridor. Ai i tha se zëvendësministri Sali Ormëni ka vrarë veten. Sa ta zëvëndësojmë ti Jaup do të drejtosh që nga zyra e Ormënit që ja hoqi vetes. Kaq i tha Mehmet Shehu dhe u largua me hapin e tij të shpejtë. Jaup Dabulla bëri siç i tha ministri. U fut në zyrën e Sali Ormënit, por nuk u ul në karriken e ish -zëvendësministrit. U mbështet pas murit në dritare dhe vështronte lëvizjet në bulevard. Zyra ishte karshi me monumentin e Stalinit. Jaup Dabulla nuk dinte ç’të bënte. Në zyrë ishin katër telefona, por gjatë gjithë orarit zyrtar asnjëri nuk ra. Kështu Jaup Dabulla që nga ora tetë e deri sa mbaroi orari zyrtar qëndroi në dritare duke vështruar monumentin e Stalinit.

            Jaup Dabulla është emëruar në Drejtorinë e Dytë krejt rastësisht.

Pas Korçës ai erdhi në Ministrinë e Brendshme. Vetë Jaup Dabulla mes kolegësh të Gardës ka rrëfyer për atë që i ndodhi me vetëvrasjen e Nako Spiros. Qe me shërbim në Ministri, kur e njoftojnë se në banesën e Nako Spiros gardisti tek dera kishte dëgjuar një krisëm arme. Jaup Dabulla me urdhër mbërrin urgjent. Me komandantin e Gardës merr masat për ruajtjen e vendit të ngjarjes sipas ligjit dhe rregullores së Drejtorisë së Dytë dhe të Gardës. Në moment mbërrin Liri Belishova që nga Komiteti Qendror. Liri Belishova i thotë Jaup Dabullës: -“Vrau veten Lenini?”  Jaup Dabulla i përgjigjet se “garda ka në banesë Nako Spiron dhe jo Leninin. Shikoni shoqja Liri dhe librin e shërbimit që është tek dera. Është e fiksuar ora, kur Nako Spiro është futur në banesë, si dhe kur është dëgjuar një krisëm arme”. Ministria i vlerësoi masat që mori Jaup Dabulla për tragjedinë e Nako Spiros. Dhe vite me vonë ai u emrua në detyrën e lartë për sigurimin e udhëheqjes. Për këtë ngjarje shfletova dokumentat në arkivin e Shtetit. Por emrin e Jaup Dabullës nuk e gjeta. Në dokumenta pash se pulsi i zemrës së Nako Spiros kishte pushuar në duart e Ministrit të Shendetësisë, doktor, Ibrahim Dervishit. Brezat e gardistëve kur kalojnë përballë banesës, ku u vetëvra Nako Spiro, i thonë njëri – tjetrit atë që Jaup Dabulla i tha Liri Belishovës: – “Garda ka në banesë Nako Spiron, dhe jo Leninin!.”

Qëmtimet në arkiva dhe në rikujtimet e ish kolegëve zbulohet dhe një vlerë e Jaup Dabullës. Ai qe një pedagog i mirë në fushën e përgatitjes së kuadrove dhe të gardistëve, si në Ministri dhe në Drejtorinë e Dytë, e cila merrej drejtpërsëdrejti me sigurimin e udhëheqjes së lartë të shtetit, por dhe me Gardën e Repubilkës me të cilat kordinoheshin veprimet edhe më të vogla. Stërvitjet shëmbullore që drejtonte Jaup Dabulla komentohen edhe tani që ai nuk është më në jetë. “-Në të gjitha shërbimet sytë mos i mbani nga Enver Hoxha që flet në tribuna,  -u thoshte Jaup Dabulla vartësve. -Jo. Mjeshtërit e sigurimit të jetës së udhëheqësit me sy e dylbi në duar vështrojnë lartësitë, fytyrat e dyshimta, personat që mund të kenë armë në miting, kaosin në mitingje, parkimet e ndaluara të makinave, lëvizjet e njerëzve që e ndiqnin Enver Hoxhën që nga majat e pemëve, sigurimin e urave, vrojtimet në monopatet e rrugëkalimeve, shpellat dhe gjirizet e lumenjëve”.

 

U plaka dhe Enver Hoxhën nuk e pashë një herë në fytyrë thoshte Jaup Dabulla.

“Dy – tre orë në miting dhe kurrë nuk ja hodha sytë. Gjithnji isha me shpinë nga udhëheqësi. Më duhej të kapja me sy e me duar dhe lëvizjen e “erës”.  Dhe ligjëratat s’kishin të sosur. Jaup Dabulla për gjashtë muaj e stërviti syrin e tij dhe të punonjësve me fotografinë e agjentit Avdyl Banushi, për të cilin kishte të dhëna se gjatë paradës ushtarake do t’i bënte atentat Enver Hoxhës. Flinte me fotografinë e atentatorit. E dhëna ishte e sigurt. Avdyl Banushi ishte i strehuar në Tiranë. Agjenti do të hapte zjarr me snajper që nga “Pallatet e Shallvareve”. Prandaj u morën masat dhe parada ushtarake nuk u bë para “Hotel Dajtit”, por u zhvendos aty ku është Kryeministria e ish- Komiteti Qendror. Paçka se Sigurmi i Shtetit nuk e arrestoi dot Avdyl Banushin, atentati ndaj Enver Hoxhës dështoi. –“Qerratai, ishte dhe dhe nga Golemi i Gjirokastrës,” – thoshte me ironi Jaup Dabulla.

Ushtarakët e Gardës që janë gjallë nuk të afrohen e s’guxojnë të thonë “sekrete” nga të udhëheqësve. Enver Hoxhën e kanë pasur perëndi.  Vetë Jaup Dabulla, rrëfente bukur me atë dunavatsen delikate. Haki Toska kishte qenë i deleguar në pleniumin e komitetit të partisë të rrethit të Matit. Në kthim e zë nata në udhëtim dhe tek Ura e Zogut zbret për të urinuar. Për mirësjellje shoqëruesi dhe shoferi nuk lëvizin për të mos e vënë udhëheqësin në siklet. Frynte erë e madhe e rrafshit të Milotit. Nuk vonoi dhe dera e benzit u mbyll me uturimë. Ishte errësirë e madhe dhe shoferi e nisi makinën. Kur hyjnë në Laç shoferi shikon nga pasqyra dhe ulërin sa kishte në kokë. Haki Toska nuk ishte në sediljen e pasme të benzit. Edhe ai, dhe shoqëruesi e morën vesh se çfarë kishte ndodhur. Tek Ura e Zogut, era e madhe e Milotit, e kishte mbyllur stuhishën derën e benzit dhe Haki Toska kishte mbetur jashtë, në buzë të lumit të Matit. Shoqëruesi dhe shoferi kthehen të llahtarisur. I priste burgu. Me të mbërritur, Haki Toska futet duke qeshur në makinë. Shoqëruesi dhe shoferi ishin bërë gur. I pari flet Haki Toska. –“Qe e fortë,-  u thoshte ai shoqëruesit dhe shoferit. -Unë u ngrija dorën shytave, (ka qenë një lloj makine që metaforikisht i thoshnin në ato mote Shytë), të cilat vinin të ngarkuara me krom, por shoferët nuk ndalonin. Më shikonin të shkurtër dhe me siguri që thoshin se ky xhuxhi nuk ka para për të paguar. Kaluan me dhjetra shyta e nuk më begenisën. Unë realisht nuk kam asnjë lek me vete”.

Të nesërmen pasi Jaup Dabulla u njoh me ngjarjen skandaloze i shkon si kryetar dege Haki Toskës në zyrë. Ministri i Financave përsëri kishte bërë shaka. Haki Toska e kishte dëgjuar dhe mendimin e Jaup Dabullës, i cili i kishte kënduar këngën e Dunavatit: – “Të keqen moj zemër e gjerë/ /Me para nuk ke të blerë/”.

Në karrierën e tij të gjatë, Jaup Dabulla kreu detyra të klasit të parë si Komisar Brigade, Kryetar Dege e Drejtor Drejtorie. Punoi në Ministri në Degën Operative qysh nga muaj prill i vitit 1965. Kolegët që kanë punuar me të e që duan të mbeten anonimë thonë se Jaup Dabulla, ka pasur dhe një dell letrar. Por ai nuk la shënime. Por prozat e tij janë në zyrat e ministrisë, në piramida, në vendrojet e Bllokut, ku ai la mbresa tek brezat e gardistëve. Përveç prirjes letrare Jaup Dabulla ka ditur të vjelë në Bllok dhe “çudira” nga banorët, që jetonin me udhëheqësit. Jaup Dabulla ka pasur miqësi me Halil Hoxhën, të atin e Enver Hoxhës. Siç del nga ato që rrëfejnë, Jaup Dabulla e ka njohur Halilin qysh në rini në Gjirokastër. Dunavatin nga Palortoja i ndan Sokaku i të Marrëve. Halil Hoxha i qahej shpesh Jaup Dabullës. “I kërkova lekë Enverit”, -i thosh Halili, Jaupit, -se do të shkoj tek vajza. –“Nuk ka lekë- i kishte thënë Enver Hoxha. -Ik dhe puno se nuk e ke mbushur moshën për pesion. Ndezëm belanë me ketë Enverin” -i thosh Halili, Jaupit.- I bën mbledhjet në shtëpi dhe gjithë natën me Gjylon mbetëm pa gjumë. Na i mori pronat në Gjirokastër. Kishim gjithë ato toka në Dropull. Edhe Urën e Lumit ne e kishim. Këtë ma thonë dhe kushërinjtë në Gjirokastër, kur shkoi e pi ndonjë gotë raki me ta tek Qafa e Pazarit. Po ku i flitet me gojë Enverit. I thashë një ditë se pesë napolona m’i dha Beqiri (Balluku) dhe Enveri m’i skërmiti dhëmbët si ato rrufetë që bien në Këcullë.  Avash i thaç mo gaz” se nuk guxon njeriu të bëj një shaka. Po se mos i thuash gjë more Jaup, Enverit, se më ndau nga Gjylua. Ty, Jaup, Enveri të do shumë. E kam dëgjuar me veshët e mi kur ja tha këtë gjë Adil Çarçanit, kur ai erdhi për drekë në shtëpinë tonë.”

 

 

Nesër do lexoni:

-Halili i qe qarë Jaupit për të birin, Enver Hoxhën. Vazhdonte pikëllimi për vrasjen e dhëndrrit, Bahri Omarin.

-Të kushërinjtë në Palorto i kishin thënë më mirë ty Halil të kishte vdekur ky Enveri, se ai djali tjetër që qe flori

– Jaup Dabulla dhe Garda e siguroi Enver Hoxhën gjatë vizitave në Tropojë, Korçë, Vlorë, Grapsh e kudo që ai shkoi.

-Nuk lënë pa përmendur dhe skenarin e shoqëruesve në mbledhjen e 81 partive në Moskë. Ata i hedhin poshtë me neveri librat biografik që janë botuar për Enver Hoxhën.

– Një nga shoqëruesit që kishte qenë në Dragobi e kishte parë Enver Hoxhën të mbushte sytë me lot kur malësori i tha atë shprehjen e famëshme se: – “Shqiptarin se ka lindur Lokja prej barkut, por huta prej çarkut”.