Zv.presidenti amerikan: Mueller të mbyllë hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje

520
Zëvendës Presidenti amerikan Mike Pence tha sot se është koha që Prokurori i Posaçëm Robert Mueller të përfundojë hetimin e tij lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, si dhe nëse Presidenti Donald Trump ka penguar drejtësinë duke u përpjekur të prishë hetimin.
Gjatë një interviste për rrjetin televiziv NBC, ai tha se “është në interesin e vendit që kjo çështje të mbyllet”.
Megjithatë nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se zoti Mueller ndodhet pranë përfundimit të hetimit të tij njëvjeçar. Ekipi i tij ligjor ka negociuar me avokatët e zotit Trump për një intervistë të mundshme me presidentin dhe si do të zhvillohet ajo, si: temat që mund të diskutohen, kohëzgjatja e marrjes në pyetje dhe nëse zoti Trump do të dëshmojë nën betim.
Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, zoti Mueller ka sugjeruar se mund të kërkojë detyrimin e Presidentit për të dëshmuar nën betim përpara një jurie të madhe. Kjo mund të nxiste një mosmarrëveshje ligjore që do të kërkonte vendimin e Gjykatës së Lartë nëse një president në detyrë mund të detyrohet të dëshmojë.
Sigal