Zjarri në restorantin në Shkup, të lënduarit dalin nga spitali

118
Sigal

Zjarri që ra të shtunën pasdite në një restorant në Shkup u shkaktoi lëndime dhjetra personave, dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa nuk pati viktima, sipas njoftimeve të autoriteteve.

Zjarrfikësit dhe organet e rendit e ato shëndetësore bënë të ditur të dielën se 28 vetë kanë kërkuar ndihmë mjeksore pasi kishin thithur tym, ndërsa vetëm një person është ndalur për trajtim në spital.

Bëhet fjalë për njërin prej zjarrfikësve që kishte ndërhyrë në shuarjen e zjarrit, që zyrtarët thonë se është në gjendje të qëndrueshme.

Shtatë persona të tjerë, të cilët kishin marrë trajtimin e duhur, kanë dalë nga spitali. Katër të tjerë pasi u transferuan në spitalin e qytetit “Tetë Shtatori” dhe morën trajtimin e nevojshëm, që të gjithë janë në gjendje të mirë dhe janë lëshuar në shtëpi, sipas autoriteteve shëndetësore.

Zjarri kishte rënë në kuzhinën e restorantit Bushi në çarshinë e vjetër të Shkupit. Organet hetuese ende nuk dinë se si ishte aktivizuar zjarri, por se po hetojnë për të zbuluar shkaqet.

Policia ka bërë të ditur se zjarri kishte shpërthyer gjatë përgatitjeve për një ceremoni dasme që duhej të mbahej në mbrëmje ku do të merrnin pjesë treqind mysafirë.