Zhdukja e biznesmenit, mediat italiane: Mund të jetë grabitur dhe vrarë

204
Sigal

Mediat italiane flasin për një “skenar të errët” në lidhje me zhdukjen e biznesmenit italian, Davide Pecorelli në Shqipëri.

La Nazione në artikullin e saj bën me dije se ekziston mundësia që ai të jetë grabitur dhe vrarë në zonën e Gjegjanit në Pukë.

Po sipas saj, gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet një takim mes policisë shqiptare dhe asaj italiane për të diskutuar për fatin e italianit të zhdukur në fillim të janarit në zonën e Pukës. Ai kishte marrë një makinë me qira, një Skoda Fabia, e cila u gjet e shkrumbuar.

Policia shqiptare hodhi dyshime se djegia e makinës dhe vdekja e italianit mund të ketë qenë aksidentale.

Por ky skenar po humbet rëndësinë e tij. Gazeta italiane shkruan se italiani mund të jetë grabitur dhe vrarë. Kjo për shkak të disa lëvizjeve të dyshimta në zonën e Gjegjanit.

Edhe prokuroria italiane ka nisur hetimet për vrasje.

Një grup ekspertësh- të koordinuar nga Interpoli, do të vijnë në Shqipëri për të vazhduar hetimin.

Biznesmeni italian, i cili kishte pasur vështirësi financiare në vendin e tij, kishte ardhur në Shqipëri me shpresën për të zgjeruar biznesin.

Ai po negocionte shitjen e disa pajisjeve për sallone bukurie, mes tyre edhe makineri të shtrenjta lazeri.