Greqia “troket” në Berlin e Londër për të shpëtuar sezonin turistik

306
Sigal

Britania e Madhe dhe Gjermania janë dy burimet kryesore të turistëve që vizitojnë Greqinë, kryesisht prej muajve korrik deri në tetor-nëntor të çdo viti. Por, deri më tani Greqia figuron jashtë listës së vendeve për të cilat në kthim nuk ka detyrim karantinimi, si në Britani, ashtu edhe në Gjermani.

Ky fakt ka aktivizuar me urgjencë qeverinë greke, që ka nisur në drejtim të Berlinit, Londrës e Varshavës ministrin e Turizmit, Harris Theoharis. Qëllimi i vizitës është bindja e autoriteteve të këtyre vendeve që në mos heqjen përfundimtare të karantinës për shtetasit që hyjnë në këto vende nga Greqia, të paktën t’i zbusin këto masa.

Gjermania, Britania e Madhe dhe Polonia kanë përfshirë Greqinë, Spanjën dhe Francën në listën e vendeve ku është i detyrueshëm karantinimi 10-ditor për të gjithë personat që hyjnë nga këto vende.

Masat do të jenë në fuqi deri në fund të këtij muaji, por frika se ato mund të zgjaten përtej këtij afati ka vënë në lëvizje Qeverinë greke, që nuk e ka luksin për të djegur një tjetër sezon turistik nga Covid.

Gjermanët janë vizitorët kryesorë të Greqisë, ndjekur më pas nga britanikët dhe vendet skandinave, ndërkohë që një numër pushuesish gjithnjë e në rritje para pandemisë janë regjistruar edhe nga Polonia.