Zgjedhjet e reja për Bashkinë e Stambollit caktohen të mbahen më 23 qershor

481
Sigal

Autoriteti më i lartë i zgjedhjeve në Turqi i hodhi poshtë zgjedhjet për kryebashkiakun e Stambollit dhe urdhëroi përsëritjen e tyre.

Komisioni i Lartë Zgjedhor vendosi në favor të partisë në pushtet të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, i cili e kundërshtoi rezultatin e zgjedhjeve të 31 marsit të fituara nga Ekrem Imamoglu. Zgjedhjet e reja për Bashkinë e Stambollit janë caktuar të mbahen më 23 qershor.

Ekrem Imamoglu i Partisë Popullore Republikane të opozitës, CHP, e fitoi garën për Kryetarin e Bashkisë të qytetit më të madh të Turqisë, me një diferencë të vogël votash, ndaj kandidatit të partisë në pushtet, ish-kryeministrit Binali Yildirim. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e zotit Erdogan, AKP, tha se një sërë parregullsish në zgjedhje i bënë rezultatet të pavlefshme.

Ajo lërkoi një anulim të zgjedhjeve, me argumentin se edhe pas apelimit të rezutatit, rinumërimi i votave solli të njëjtin rezultat.

Opozita në të kaluarën e ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e komisionit zgjedhor dhe e ka akuzuar partinë në pushtet se pretendon për mashtrime, ngaqë humbi në votime. Edhe gazeta e opozitës “Birgun”, e cilësoi vendimin e komisionit zgjedhor si “grusht shteti”, duke shtuar se me këtë vendim “drejtësia është pezulluar” dhe se “demokracia është anuluar”.

Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu do të kandidojë përsëri si kandidati i partisë kryesore të opozitës CHP, në zgjedhjet e përsëritura muajin e ardhshëm, tha Partia CHP të martën. Në një fjalim para ligjvënësve të Partisë së tij Popullore Republikane (CHP) në parlament, Kemal Kiliçdaroglu tha se ka besimin se Ekrem Imamoglu ka për të dalë dalë fitimtar në zgjedhjet e përsëritura më 23 qershor, dhe e akuzoi komisionin zgjedhor për “shkatërrimin e ligjeve, gjyqësorit dhe drejtësisë”.

Ndërkohë, të martën lira turke vazhdoi të bjerë kundrejt dollarit, mes pasigurisë politike në Turqi. Pas publikimit të vendimit për përsëritjen e votimeve, lira ra 2 për qind kundrejt dollarit. Gjatë muajit të kaluar ajo humbi 10 për qind të vlerës.