Zaev insiston në shtyrjen e zgjedhjeve në Maqedoni

441
Kreu i opozitës maqedonase Zoran Zaev insiston për shtyrjen e afatit të zgjedhjeve në vend. Ai madje thotë se shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve do ta diskutojë edhe me komisionarin për zgjerim, Johannes Hahn i cili pritet të vizitojë Shkupin gjatë javës që vjen.
Sipas Zaev, shtyrja eventuale e zgjedhjeve varet nga marrëveshja me Hahnin, por pa përjashtuar edhe nënshkruesit tjerë të marrëveshjes politike të qershorit. Zaev si datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, përmendi shtatorin, transmeton ksp.
“Tash për tash nuk ka marrëveshje konkrete për shtyrje të datës së zgjedhjeve të caktuar për 24 prill. Në organizatat tona komunale ndoshta kemi folur rreth afateve se deri kur mund të bëhet pastrimi i listës zgjedhore dhe asaj se kur mund të arrihet zgjidhje për mediat. Rreth datës konkrete do të diskutojmë në takimin me Johanes Han-in në Shkup, mirëpo kjo nuk do të thotë se zgjedhjet nuk do të mbahen në prill ose qershor. Ndoshta do të merremi vesh që data ideale për zgjedhje të jetë shtatori. Këtë duhet ta diskutojmë me komisionarin evropian dhe me nënshkruesit tjerë të marrëveshjes së Përzhinës. Nëse do të kem garanci se zgjedhjet do të jenë të barabarta dhe demokratike, atëherë ato mund të mbahen me 24 prill”, ka thënë Zaev për agjencinë e lajmeve “Meta”.
Nga ana tjetër, tre liderët tjerë nënshkrues të marrëveshjes politike Nikolla Gruevski, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi janë treguar këmbëngulës që zgjedhjet të mos shtyhen dhe të njëjtat të mbahen në datë 24 prill, të caktuar sipas marrëveshjes së fundit politike.
Sigal