Washington Post: Shtetet e tjera duhet të jenë të kujdesshme pas incidentit në Kosovë

605
Schenkan komentoi, se operacionet e “rrëmbimit” të Erdoganit në rastin e Kosovës përbëjnë një kërcënim ndërkombëtar. Ndër të tjera ai shkroi:

“Pretendimet për deportim janë kthyer në rrëmbime të dukshme. Këto janë shembuj të kërcënimeve në kohë reale, se si Ankaraja ka injoruar haptazi normat ndërkombëtare. Përndjekja nga Ankaraja e shtetasve turq në çdo cep të botës, duhet pasur parasysh, se përbën kërcënim për sigurinë e brendshme të të gjithë atyre shteteve që kanë mikpritur shtetas turq.”

“Për dy ditë rresht nuk u mësua se ku ndodheshin”
Nate Schenkan e përmblodhi kështu rastin e rrëmbimit:
“Ditën e enjte në mëngjes, 6 shtetas turq në Kosovë u zhdukën papritur. Të njëjtën ditë, agjencia turke e lajmeve [AA] postoi një foto të këtyre gjashtë personave me flokë të shpërndarë që qëndronin pranë një flamuri turk. Nuk ishte e qartë se ku bë fotografia. Lajmet që shoqëruan fotot thanë se gjashtë prej tyre ishin emra të nivelit shumë të lartë të Lëvizjes Gylen. Në tekst, thuhej se këta persona janë ekstraduar në Turqi, si rezultat i një pune të përbashkët midis shërbimeve sekrete turke dhe kosovare. Por ku ishin ata? Më shumë se dy ditë pas lajmit fillestar që ata u arrestuan, edhe pse ishte e sigurt që ata mbaheshin në paraburgim nga organet turke, nuk ishte e qartë se ku ndodheshin, në Turqi apo në Kosovë. Vetëm të shtunën, u bë e qartë se ata ishin dërguar në Turqi.”

“U dërguan në qendrën e torturave”
“Deklarata e parë e zyrtarëve turq dhe të Kosovës, pohoi se gjashtë njerëz janë dërguar në Turqi. As avokatët e tyre nuk ishin të informuar, e as autoritetet nuk njoftuan familjarët e tyre në Kosovë rreth vendndodhjes apo kushteve të tyre shëndetësore. Kjo përforcoi thashethemet se gjashtë personat mbaheshin ende në Kosovë, ndoshta në Konsullatën Turke ose në Aeroportin e Prishtinës. Këtyre njerëzve iu cenuan haptazi të drejtat e njeriut. Ata u arrestuan pa i dhënë të drejtë takimi as avokatëve të tyre. Atyre nuk iu dha as e drejta për të kundërshtuar ndaj akuzave që iu ngritën, për t’i marrë në paraburgim apo për t’i deportuar. Dhe ata u dorëzuan në burgun e një vendi ku keqtrajtohen kundërshtarët e qeverisë, një vend ku torturat janë nga më të ndryshmet dhe më të frikshmet.”

“Në 3 kontinente, në 15 shtete rrëmbime dhe presion”
Artikulli i “Washington Post” rreth rrëmbimit në Prishtinë deklaroi, se është pjesa e fundit e “pastrimit global” nga ana e Turqisë. Ka përmendur edhe faktin që Ankaraja i ka ndjekur kundërshtarët e saj jashtë vendit që nga viti 2014 dhe se kjo përndjekje është intensifikuar në mënyrë dramatike pas përpjekjes së grushtit të shtetit në vitin 2016. Kohët e fundit, Turqia ka vënë në shënjestër kundërshtarët jashtë vendit në mënyrë të paligjshme. Raportimet e medias tregojnë se të paktën në 15 vende, në tre kontinente, Turqia ka arritur t’i burgosë ose deportojë shtetasit e saj. Qytetarëve të Turqisë në pesë shtete nuk iu panua azili dhe u deportuan në Turqi në shkelje të ligjit dhe kërkesave ndërkombëtare. Në të paktën tre vende, inteligjenca turke organizoi operacione të paligjshme dhe i dërgoi njerëzit në Turqi. Mediat turke kanë shkruar më parë, se një njësi speciale, MIT u krijua për të rrëmbyer Gylenistët jashtë vendit.

“Kriza në Kosovë ndoshta mund të mos përfundojë me kaq”
Në rrëmbimin në Kosovë, Kryeministri, Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit janë shprehur se nuk kanë pasur dijeni për rrëmbimin. Ministri i brendshëm dhe shefi i inteligjencës u shkarkuan nga detyra. Por kriza nuk mund të mbarojë me kaq. Incidentet kanë bërë që kosovarët të vënë në dyshim integritetin midis institucioneve shtetërore dhe se qeveria është subjekt i një fuqie të jashtme.”

“Ideja e rrëmbimit të njerëzve pa pikën e përgjegjësisë, përbën shkelje të frikshme të të drejtave të njeriut”
Opozita kërkoi ngritjen e një hetimi parlamentar mbi çështjen. Ditën e shtunë, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, duke sulmuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Haradinaj për shkarkimin nga detyra të ministrit dhe shefit të inteligjencës, dhe se kishte guximin t’i dilte kundër operacionit të Turqisë, i kërkoi popullit të Kosovës që t’i kërkonin llogari Haradinajt.

Ishte një sulm i tmerrshëm kundrejt të drejtave njerëzore ndërkombëtare dhe normave të ndërsjella përballë rrëmbimit të qytetarëve të një vendi tjetër, që mendohet të ketë një marrëdhënie të mirë me inteligjencën turke.”

“Qeveritë duhet t’u sigurojnë shtetasve turq strehim politik”
Incidenti në Prishtinë, e bëri të qartë se Turqia po ndërmerr një fushatë spastrimi kundër kundërshtarëve të saj politik në të gjithë botën. Ankaraja po kryen shumë operacione në kuadër të “luftës kundër terrorizmit” si brenda dhe jashtë vendit, kundrejt qindra e mijëra akademikëve, aktivistëve kurd, gazetarëve dhe anëtarëve të lëvizjes Gylen. Së bashku me raportet e rrëmbimit të aktiviteteve të inteligjencës turke në shumë vende, qeveritë duhet të jenë të gatshme për t’u dhënë azil qytetarëve të Turqisë. Përveç kësaj, ata duhet të jenë vigjilentë për vendimet e qeverisë turke për arrestimin ose ekstradimin. Duke cekur fjalët mburrëse të Erdoganit për operacionin në Kosovë, “Unë shpresoj se ku do që ata të shkojnë, ne do t’i paketojnë dhe t’i sjellim këtu. Dhe do të japin llogari”, Schenkkan, e përfundoi shkrimin me fjalët e mëposhtme: ” Duket se Turqia është e gatshme për të shkelur çdo të drejtë ndërkombëtare për të arritur qëllimin e saj fatkeq. Çdo vend ku qytetarët turq janë strehuar duhet t’i kushtojë vëmendje kësaj çështjeje.”

Lidhja: https://www.washingtonpost.com/?utm_term=.7780b44f6b40
Sigal