Vjosa Osmani aprovon marrëveshjen me Serbinë për energjinë elektrike

45
Sigal

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë, duke thënë se zbatimi i saj është hapi kyç përpara. Në një postim në Twitter, Osmani ka shkruar se Kosova gjithmonë është treguar konstruktive dhe e angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë.

“Progresi i arritur sot në dialogun Kosovë-Serbi përmes arritjes së marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë është i një rëndësie vendimtare”, ka thënë ajo.

“Si gjithmonë, Kosova ka treguar të jetë konstruktive dhe e angazhuar në mënyrë aktive në këtë proces. Tani zbatimi është hapi kyç përpara!”.

Kosova e Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur të nënshkruajnë të martën marrëveshjen për energjinë, e cila parasheh faturimin e energjisë elektrike për komunat veriore të Kosovës. Lidhur me këtë marrëveshje ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në reagimin e saj, ambasada u ka kërkuar dy vendeve që të vazhdojnë angazhimin urgjent dhe të hapur në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Marrëveshja e sotme e udhërrëfyesit për energjinë është dëshmi se kur Kosova dhe Serbia angazhohen me kreativitet dhe fleksibilitet, qytetarët në të dy vendet përfitojnë”.

“SHBA u kërkon të dyja vendeve që të vazhdojnë të ndërtojnë këtë sukses përmes angazhimit urgjent dhe të hapur në dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e ambasadës në Twitter.