Vendimi i Gjykatës së Lartë për abortin, reagon Biden: Ditë e trishtë për SHBA…

51
Sigal

Gjykata e Lartë amerikane i dha fund mbrojtjes kushtetuese gati 50 vjeçare për abortin, një vendim që erdhi prej shumicës konservatore të anëtarëve që përmbysi një prej çështjeve historike. Vendimi i së premtes pritet të sjellë ndalimin e abortit në afërsisht gjysmën e shteteve amerikane. Diçka e tillë ishte e paimagjinueshme pak vite më parë, ndërsa përpjekjet për të kundërshtuar të drejtën e abortit kanë vijuar prej disa dekadash.

Duke folur pas vendimit, Presidenti i ShBA-së Joe Biden tha se Gjykata e Lartë i hoqi një të drejtë kushtetuese popullit amerikan dhe e ktheu atë 150 vjet mbrapa.

“Ata nuk e kufizuan, thjesht e hoqën. Është një ditë e trishtë për gjykatën dhe për vendin. Mos gaboni, ky vendim është një kombinim i përpjekjes së qëllimshme gjatë dekadave, është realizimi i “një ideologjie ekstreme.” Vendimi është një “gabim” që heq një të drejtë “aq themelore” për amerikanët.”

Gjykata e mori vendimin mbi një muaj pas rrjedhjes së informacionit për një projekt-opinion nga gjyqtari Samuel Alito që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për të hedhur hapin e rëndësishëm.

Sipas sondazheve të opinionit, vendimi e vë gjykatën kundër shumicës së amerikanëve që favorizojnë mbrojtjen e së drejtës së abortit. Pritet tani që kjo të jetë çështja kryesore që do të dominojë zgjedhjet e mesmandatit në nëntor të këtij viti kur amerikanët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kongres.

“Ky vendim është vdekjeprurës e serioz, por ne nuk do ta lëmë këtë të kalojë. E drejta e një gruaje për të zgjedhur, liria riprodhuese do të mbrohet në zgjedhjet e nëntorit. Ne nuk mund t’i lejojmë ata të marrin përgjegjësinë dhe të zbatojnë qëllimet e tyre për kriminalizimin e lirisë riprodhuese”, tha kryetarja e Dhomës së Ulët të Kongresit, Nancy Pelosi.

Gjykatësi Alito, në opinionin përfundimtar të lëshuar të premten, shkruante se çështja “Roe dhe Planifikimi Familjar kundër Kejsit”, vendimi i vitit 1992 që ripohoi të drejtën e abortit, ishte i gabuar ditën që u vendos dhe duhet të anulohet. Autoriteti për të vendosur rregulla mbi abortin u takon degëve politike, jo gjykatave”, shkroi gjykatësi Alito. Me gjykatësin Alito u bashkuan gjyqtarët e ekstremit të djathtë të zgjedhur pas propozimit nga ish-presidentit Donald Trump. Sipas statistikave, vendimi pritet të prekë në mënyrë jo proporcionale gratë e pakicave që tashmë përballen me qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor.