U njohën kur ajo ishte stjuardesë, kush është mbretëresha e re e Tajlandës

566
Sigal

Mbreti i Tajlandës, Maha Vajiralongkorn, u martua këtë javë me partneren e tij Suthida Tidjai dhe e quajti mbretëreshë përpara kurorëzimit të tij, një veprim i cili tronditi tajlandezët pasi mediat e censuruara të vendit deri më tani nuk kishin shkruar asgjë për të.

“Daily Mail” shkruan se Suthida Tidjai ishte stjuardesë kur tërhoqi vëmendjen e mbretit të ardhshëm ndërsa ai punonte si pilot. Ajo u bë më pas ‘truprojë’ në njësinë e tij personale të mbrojtjes dhe më vonë iu dha titulli i gjenerales në ushtri.

Nuk dihet aspak për jetën private të Suthida-s, përveç faktit që ajo ka lindur në vitin 1978 dhe ka studiuar në Assumption University, një kolegj privat katolik në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok.

Ajo fitoi një diplomë në artet e komunikimit në vitin 2000, përpara se të punonte si stjuardesë për kompaninë kombëtare “Thai Airways”.

Mendohet se ajo u takua me Princin Vajiralongkorn ndërsa punonte për linjën ajrore, sepse ai ishte një pilot i licencuar i cili nganjëherë fluturonte me aeroplanët “Boeing” dhe “Airbus”.

Vajiralongkorn përflitet se zgjidhte për dashnore disa nga stjuardesat pavarësisht se ende ishte i martuar me Suwadee, me të cilin ai ka një djalë të quajtur Adityadornkitigun.

Suthida mendohet se i ka pushtuar zemrën dhe është bërë ‘zonja kryesore’ e Vajiralongkorn, pasi kalonte një kohë të madhe me të në banesën e tij private në Bavari, ndërkohë që e shoqja Suwadee dhe djali i tyre jetonin në Bangkok.

Suthida hyri në ushtrinë tajlandeze në vitin 2010 ku mori gradën Toger i Dytë dhe u promovua tek Togerët e parë vetëm gjashtë muaj më vonë.

Në vitin 2012 ajo mori njohjen e saj të parë zyrtare për shërbime ndaj Princit Vajiralongkorn kur iu dha “Urdhri i Elefantit të Bardhë” për “ndershmërinë, besnikërinë dhe përgjegjësinë … përkushtimin dhe sakrificën”.

Ajo rrallë fotografohej me Vajiralongkorn dhe shtypi tajlandez – i cili është censuruar rëndë nga monarkia – nuk kishte publikuar asgjë për marrëdhënien e tyre deri para pak ditësh.

Megjithatë, disa fotografi qarkulluan në vitin 2016, ku Vajiralongkorn po hipte në një avion në Gjermani së bashku me Suthidën. Ajo ishte e veshur me taka të larta, pantallona të ngushta dhe mbante qenin FuFu në dorë. Vajiralongkorn nga ana tjetër ishte i veshur me xhinse dhe me një kanotiere të shkurtër.

Kjo është dasma e katërt për mbretin e ri Maha Vajiralongkorn.