Turqia nis sulmet ajrore kundër militantëve kurdë të PKK

438
Një ditë pasi Turqia u godit nga një seri aktesh terroriste, Ankara ka nisur një dallgë sulmesh ajrore kundër militantëve kurdë të PKK-së në juglindje të vendit. Avionët turq kanë shënjestruar 17 objektiva në provincën Hakari, në kufi me Iranin dhe Irakun, zona ku gjenden bazat dhe ku operojnë terroristët kurdë. Sulmet vijnë si raprezaljeve ndaj akteve terroriste kurde të një dite më parë ndaj postave policore dhe të ushtrisë në qytetin më të madh të vendit Stamboll dhe në juglindje të vendit, si pasojë e të cilave humbën jetën nëntë persona.

Gjatë javëve të fundit, Turqia po përjeton një dhunë gjithnjë e më të madhe nga ana e separatistëve kurdë të Abdullah Oçalanit. Në korrik, Ankaraja nisi sulmet ajrore ndaj kampeve të militantëve kurdë në veri të Irakut si dhe ndaj militantëve të ISIS në Siri. Që atëherë, kanë humbur jetën 29 ushtarakë turq dhe mbi 60 militantë kurdë. Turqia, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shumë vende të tjera perëndimore e konsiderojnë Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit organizatë terroriste.
Sigal