Turqi, vriten 7 xhihadistë të ISIS dhe dy policë

404
Dy oficerë policie dhe 7 militantë të Shtetit Islamik kanë mbetur të vdekur si pasojë e shkëmbimzjarrit mes tyre, pasi policia turke mësyu rreth një duzinë shtëpish në juglindje të vendit, gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurisë dhe zëdhënësi i qeverisë turke, Numan Kurtulmus.
Përplasja ndodhi në periferinë e Kayapinarit, në qytetin Diyarbakir të dominuar nga kurdët. Ky incident shënon edhe të parin rast të konfliktit mes forcave të sigurisë së Turqisë dhe militantëve të dyshuar të Shtetit Islamik brenda kufijve të vendit, pasi përballjet e mëhershme kanë ndodhur gjithnjë nga përtej kufirit Turqi-Siri. Pesë oficerë policie u plagosën, ndërsa 12 militantë xhihadistë u kapën rob, shtoi më tej zëdhënësi qeveritar Kurtulmus.
“Kemi neutralizuar një qelizë tepër të rëndësishme të Shtetit Islamik, – tha ai për reporterët e pranishëm. – Puna për të identifikuar militantët dhe për të zbuluar lidhjet e tyre me qytete të tjera në Turqi është duke u zhvilluar me intensitet të plotë”.
Sigal