Trump në Filadelfia, rendit aspiratat kryesore politike

542
Presidenti i SHBA Donald Trump bëri të enjten udhëtimin e tij të parë me avionin presidencial Air Force One duke shkuar në Filadelfia për një takim me Kryeministren britanike Theresa May dhe për të marrë pjesë në një konferencë të anëtarëve republikanë të Kongresit.
Zoti Trump, i cili më parë udhëtonte me avionin e tij privat, u prit në Filadelfia nga një numër i vogël protestuesish përpara ndërtesës ku republikanët po mbanin konferencën.
Menjëherë pas mbërritjes, zoti Trump mbajti një fjalim në të cilin kujtoi fitoren e tij befasuese në zgjedhje në shtetin e Pensilvanisë. Ai tha se fitorja në këtë shtet ishte diçka e këndshme, duke e quajtur Pensilvaninë shtetin që “u kishte shpëtuar” republikanëve në zgjedhjet e mëparshme.
Presidenti renditi pastaj aspiratat e tij kryesore poltike, duke përfshirë planin për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit jugor të SHBA si dhe një hetim rreth dyshimeve për mashtrim në votimet e vitit 2016.
“Ne do të mbrojmë integritetin e kutive të votimit, do të mbrojnë votat e qytetarit amerikan. Kjo është shumë e rëndësishme,” tha ai.
Zoti Trump tha se ai dhe presidenti meksikan Enrique Pena Nieto kanë rënë të dy dakord për të anuluar një takim të planifikuar për javën e ardhshme, pasi presidenti meksikan përsëriti se vendi i tij nuk do të paguajë për murin.
“Nëse Meksika nuk i trajton Shtetet e Bashkuara në mënyrë të drejtë dhe me respekt, një takim i tillë do të ishte i kotë. Unë dua të ndjek një rrugë të ndryshme, nuk kam asnjë alternativë tjetër”, tha zoti Trump.
Republikanët janë mbledhur për një konferencë tre-ditore, ku do të planifikojnë axhendën legjislative për vitet e ardhshme, në të cilën do të kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit, krahas Shtëpisë së Bardhë.
Zoti Trump po u paraqet ligjvënësve ato që ai dëshiron të arrijë në çështje si emigracioni dhe kujdesi shëndetësor. Ai mund të përpiqet t’i nxisë republikanët të mbështesin idetë e tij shumë të debatueshme, si ndërtimi i murit apo ngadalësimi i imigracionit.
Duke folur për gazetarët të enjten, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se Presidenti Trump nuk ka vendosur ende nëse do të shkurtojë fondet për organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara. Disa njoftime në media lënë të kuptohet se presidenti po përpiqet për të zvogëluar rolin e SHBA në këto organizata.
Sigal