Trepça, Mustafa: Nuk negociojmë me askënd për asnjë pjesë të vendit

518
Sigal

PRISHTINE – “Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç po tenton ta bartë krizën ekonomike të Serbisë në Kosovë”. Kështu e ka komentuar Isa Mustafa vendimin për minierën e Trepçës, duke theksuar se ai është marrë nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe jo nga Serbia.

“Askujt nuk i nevojitet leje me hy në pronën e vet, por Vuçiçit i duhet leje me hy në çdo pjesë të Kosovës, sepse ne jemi zotët e këtij vendi, dhe nuk negociojmë për pronën e asnjë pjese të vendit tonë me askënd”, ka komentuar Mustafa ndaj fjalës së Vuçiç i cili ka thënë se “Nuk merret kështu prona e tjetrit’.

Ndërkaq, protestat për Trepçën duket se nuk do të ndalin. Studentët në Gjilan po bëjnë përgatitje për një marshim të madh paqësor për mbrojtjen e Trepçës si dhe shkarkimin e ministrit serb për komunitete dhe kthim, Aleksandër Jabllanoviç.

Më poshtë postimi i plotë në rrjetet sociale i Kryeministrit Isa Mustafa: 
Vuçiq, krizën e tij ekonomike në Serbi po tenton ta bartë në Kosovë. Dhe për fat të keq, në opinion po plasohet më shumë se çfarë po thotë ai, sesa si po veprojmë ne në vendin tonë dhe me pronat tona. Ai mund të thotë që të gjitha ndërmarrjet shoqërore janë të tij, për ta mashtruar qytetarin serb, por ne e dimë që të gjitha ato janë tonat dhe s’ka pse brengoset askush. Askujt nuk I nevojitet leje me hy në pronën e vet, por Vuçiqit i duhet leje me hy në çdo pjesë të Kosovës, sepse ne jemi zotët e këtij vendi, dhe nuk negociojmë për pronën e asnjë pjese të vendit tonë me askënd. Vendimin, i cili krijoi kushte që Trepça të ballafaqohet me falimentim nga data 2 shkurt, nuk e solli Serbia, por Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovë, vendorët dhe ndërkombëtarët. Por Kuvendi i Republikës së Kosovës, me ndryshimin e ligjit për organizimin e ndërmarrjeve evitoi mundësinë e falimentimit. Qeveria dhe Kuvendi janë të ndërgjegjshme të marrin të gjitha vendimet dhe masat më të mira për këtë kombinat dhe për ardhmërinë e këtij vendi. Ne duhet ti zgjidhim problemet tona duke i peshuar mirë, pa kushtëzime dhe jo me politika populliste, sepse ky vend duhet të stabilizohet dhe të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm për nevojën e stabilizimit të tij.