Një krim i rëndë brenda familjes tronditi mëngjesin e sotëm Prizrenin. Një person ka goditur me thikë 2 vajzat e tij të mitura, duke bërë që një 15-vjeçare të humbë jetën. Ndërsa e plagosur në gjendje të rëndë është vajza tjetër 10 vjeçe.
Ngjarja e rëndë ndodhi, në orën 5:00, ku autori, shtetas turk, sipas policisë, i ka shkaktuar lëndime në trup edhe bashkëshortes dhe më pas goditi edhe veten me thikë, duke pësuar lëndime në trup.
Kreu i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, nuk dha ndonjë pistë konkrete hetimi në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
Policia njoftoi se ka arrestuar autorin. Vajza e plagosur mësohet se ka plagë në pjesën e qafës, e pas trajtimit mjekësor në Prizren, është dërguar për Qendrën Spitalore te Prishtinës.
Nëna e vajzave, veç ndihmës mjekësore është trajtuar nga psikologu për shkak të gjendjes së rënduar mendore, e më pas është dërguar për në shtëpi.
Familja turke kishte gjashtë muaj që qëndronte në Kosovë.