Sulm masiv kibernetik ndaj serverave të Microsoft / Perëndimi akuzon Kinën

43
Sigal

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian akuzojnë Kinën për një sulm masiv kibernetik në fillim të këtij viti, në shënjestër të të cilit ishin serverat e Microsoft të bursave, që sipas përllogaritjeve të hetimeve ka prekur 30 mijë organizata në mbarë botën.

Shërbimet e sigurisë kibernetike perëndimore besojnë se sulmi nuk lidhej me shumë me objektivin e spiunazhit, por ngjason me një skemë “sulmo e grabit”, duke ngritur shqetësimet për sjelljet e Kinës në fushën e sigurisë kibernetike dhe zotimeve të saj për zbatimin e normave ndërkombëtare në këtë fushë.

Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit akuzohet gjithashtu për aktivitete të shkujdesura dhe të gjera spiunazhi. Kina ka hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se është kundër çdo forme krimi kibernetik.

Sulmet kanë nisur në janar, kur hakera të lidhur me grupin kinez të njohur si Hafnium nisën të shfrytëzojnë një “pikë të dobët” të Microsoft Exchange. Ata i shfrytëzuan këto hapësira për të siguruar akses në sistem.

Britania e Madhe tha se sulmi me shumë mundësi lidhur me spiunazhin, përfshirë këtu sigurimin e informacioneve personale dhe pronësisë intelektuale. Në shënjestër kanë qenë sisteme specifike, që janë në një linjë me sulmet e mëhershme të grupit Hafnium, që kanë qenë kontraktorët e sigurisë dhe ushtarake, deri te institutet e universitetet.

“Ne besojmë se operatorët kibernetike që punojnë nën kontrollin e inteligjencës kinenze janë vënë në dijeni të pikës së dobët të microsoft në fillim të janarit dhe nisën garën për ta shfrytëzuar këtë dobësi, para se ajo të bëhej publike”, tha për BBC një ekspert i sigurisë britanike.

Deri në këtë moment, shërbimet e sigurisë së BE, Britanisë dhe SHBA besonin se bëhej fjalë për një tjetër sulm me objektiv spinazhin. Por në fund të shkurtit gjithçka ndryshoi.

Grupe të tjera hakerash kinezë nisën të sulmojnë masivisht serverat e Microsoft dhe nga një mision spiunazhi gjithçka u shndërrua në një operacion plaçkitje e shkatërrimi. Inteligjenca perëndimore beson se Hafnium u vu në dijeni se Microsoft e dinte këtë problematikë dhe përhapi fjalën te grupet e tjera kineze të hakerave për të përfituar në maksimum para se kjo derë të mbyllej.

Pikërisht ky koordinim shtoi dyshimet e ekspertëve të sigurisë dhe agjencive perëndimore se bëhej fjalë për një sulm të koordinuar dhe me mbrojtje të garantuar nga strukturat shtetërore kineze, me shumë mundësi shërbimi inteligjent i Pekinit.