“Si guxon të vish këtu dhe…”/ U nisën për mirë por ministrat e Greqisë dhe Turqisë përplasen në konferencë

99
Sigal

Ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Greqisë u përplasën hapur të enjten në një konferencë të përbashkët shtypi në Ankara, e cila filloi me shpresat për përmirësimin e marrëdhënieve por degjeneroi në akuza të ashpra nga të dyja palët.

Në përpjekje për të zbutur tensionet rreth mosmarrëveshjeve territoriale në Mesdheun lindor, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, vizita e parë kjo mes dy palëve që nga viti i kaluar, kur flotat e dy vendeve ishin në prag të përplasjeve.

Por atmosfera, që nisi e përzemërt në një paraqitje mediatike pas takimeve, u acarua shpejt, kur ministri Dendias tha se shkeljet e sovranitetit grek do të përballeshin me sanksione dhe ministri Çavusoglu i quajti komentet e tij “të papranueshme”.

“Ju vini këtu dhe përpiqeni të akuzoni Turqinë, për t’i dhënë një mesazh vendit tuaj. Unë nuk mund ta pranoj këtë,” tha Çavusoglu në përgjigje të komenteve.

Dy vendet janë aleatë në NATO por kanë mosmarrëveshje për shumë çështje, të tilla si pretendimet për shtrirjen e shelfeve të tyre kontinentale në Mesdhe, hapësirën ajrore, burimet e energjisë, Qipron e ndarë etnikisht dhe statusin e disa ishujve në Egje.

Tensionet u ndezën verën e kaluar kur Turqia dërgoi një anije eksplorimesh në ujërat e diskutueshme të Mesdheut, por janë zbutur pak pasi Ankaraja tërhoqi anijen dhe dy vendet rinisën bisedimet mbi mosmarrëveshjet mes tyre pas një ndërprerje pesë-vjeçare.

Pasi shprehu fillimisht mbështetjen e Greqisë ndaj aspiratave turke për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ofroi një axhendë të re për të ringjallur marrëdhëniet, Dendias akuzoi Turqinë për dërgimin e përsëritur të avionëve mbi territorin grek.

“Pozicioni i Greqisë është i qartë. Turqia ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ligjin detar në Egje dhe në Mesdheun lindor,” tha ai.

Cavusoglu e hodhi poshtë akuzën, duke thënë se Turqia nuk ka shkelur sovranitetin grek në punimet e saj të shpim-kërkimit. Ai e Athinën se po i kthen mbrapsht migrantët në Egje.

“Kur hyjmë në akuza të ndërsjella, ne kemi shumë për t’i thënë njëri-tjetrit. Nëse doni të vazhdoni me këto argumente dhe tensione, jeni i lirë ta bëni, por do ta bëjmë edhe ne,” shtoi ai.

Megjithatë, të dyja palët thanë se dëshirojnë të vazhdojnë të përpiqen për të zgjidhur mosmarrëveshjet me dialog.