Shteti skeptik i liberalizimit të vizave uron Kurtin, Rutte: E mbështesim me gjithë zemër Kosovën

197
Sigal

Një nga shtetet skeptike të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën është Holanda, por kryeministri Mark Rutte, i ka dërguar një letër homologut të tij kosovar, ku shprehet se Holanda e mbështet Kosovën me gjithë zemër. Në letrën e tij kryeministri Rutte e ka uruar Kurtin, duke thënë se ka marrë mandat të fortë dhe se shteti i tij është i përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt Integrimit Europian.

Letra e plotë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër urim nga homologu i tij holanez, Mark Rutte. Në letrën e tij, kryeministri Rutte e ka uruar kryeministrin Kurti për pozitën e re dhe i ka dëshiruar suksese në detyrat e rëndësishme që e presin.

Vendet tona, sikurse edhe pjesa tjetër e Evropës, janë duke u përballur me një sfidë të papërshkrueshme siç është ajo nga Covid-19, thuhet në letër. Kryeministri Rutte shprehet i kënaqur që Bashkimi Evropian ka pasur mundësinë që t’i ndihmojë Kosovës nëpërmjet pakos ndihmuese për Ballkanin Perëndimor dhe mekanizmit COVAX për sigurimin e vaksinave të sigurta kundër Covid-19.

Ngjashëm i kishte dalë në ndihmë vitin e kaluar Kosovës Holanda edhe nëpërmjet donacionit bilateral për pajisje personale mbrojtëse për Qendrën e Klinikave Universitare të Kosovës. Kryeminstri Rutte e ka siguruar kryeministrin Kurti se Holanda e mbështetë Kosovën me gjithë zemër në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit.

Për këtë thotë ai, ju si kryeministër e keni marrë një mandat të fortë nga populli i Kosovës, që së bashku me zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore përbëjnë elementet kryesore të Kosovës drejt Evropës dhe integrimit evropian. Holanda është e përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian, thuhet në letër urimin e kryeministrit të Holandës, Mark Rutte.