Shkup, policia nis hetimet për helmimi e nxënësve: Dy persona hodhën gaz në shkollë

482
Autoritetet në Maqedoni kanë nisur hetimet për helmimin e 11 nxënësve dhe mësuesve në një shkollë të mesme në Shkup. Policia tha se nuk është përcaktuar ende lloji i gazit që u hodh në shkollë, ndërsa është në kërkim të dy personave të dyshuar. Nxënësit e helmuar janë kryesisht shqiptarë, por edhe boshnjakë e maqedonas. Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar se kanë nisur hetimet për helmimin e 11-nxënësve dhe mësuesve në shkollën e mesme ekonomike, “Arseni Jonkov”. Policia maqedonase bëri të ditur se ka dyshime që dy persona hodhën gaz në ambjentet e shkollës, dhe kanë arritur të largohen ndërsa ende nuk është përcaktuar lloji i gazit.
Ekipet e ndihmës së shpejtë ndërhynë menjëherë, duke i transportuar të lënduarit në klinikën e toksikologjisë në Shkup.

Mjeku, Nestor Popovski, u shpreh se nxënësit shfaqën disa probleme, por fatmirësisht situata u stabilizua shpejt dhe pas trajtimit mjekësor gjendje e tyre shëndetsore u përmirësua. “Kemi të bëjmë me shenja të lehta helmimi. Ka patur nxënës nga të gjitha nacionalitetet përfshirë shqiptarë, maqedonas dhe boshnjakë. Nuk mendoj se flitet për çështje etnike. Besoj se është e gjitha një lojë mes nxënësish.” Nxënësit dhe profesorët janë vizituar nga Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi, kryetari i Bashkisë së Shkupit, Koce Trajanovski si dhe nga Drejtoresha e shkollës, të cilët u interesuan për gjëndjen e tyre shëndetsore dhe shprehën bindjen se ngjarja do të zbardhet shumë shpejt nga policia.
Sigal