Shkon mbi 800 numri i të vdekur nga koronavirusi, ndërsa të prekurit dhjetëra mijëra. I tejkalon shifrat e SARS

520
Sigal

Nga të dhënat e fundit, janë mbi 800 persona që kanë humbur jetën në Kinë si pasojë e koronavirusit.

Ndërkohë që numri i të infektuarve ka shkuar 35 mijë. Raste me koronovirus janë regjistruar edhe në 26 shtete të tjera, veç Kinës, dhe harta e vendeve që raportojnë të infektuar, rritet ditë pas dite.

Megjithatë, nga 803 viktima, vetëm dy prej tyre janë regjistruar jashtë territorit kinez.

Mjekët kanë bërë të qartë se koronavirusi ka rezultuar fatal në radhët e atyre personave që vuajnë nga sëmundje bashkëshoqëruese, siç janë sëmundjet e zemrës, diabeti, hipertensioni etj.

Rritja e numrit të viktimave e ka tejkaluar tanimë atë të virusit Sars, (Sindromi i Ashpër Akut i Traktit Respirator), i cili në vitin 2003, shënoi 774 viktima.

Vetëm gjatë 27 orëve të fundit, zyrtarët shëndetësor në Hubei raportuan për 81 persona të vdekur. Kështu, 801 vdekje deri më tash janë regjistruar në Kinë, një në Hong Kong dhe një tjetër në Filipine.

Autoritetet në Hong Kong kanë marrë vendim që të gjithë personat që vijnë nga Kina të vendosën në karantinë të obligueshme për një periudhë dyjavore.

Të shtunën, në Francë u konfirmuan pesë raste të reja të infektimit në rajonin Haute-Savoie, duke e çuar në njëmbëdhjetë numrin e përgjithshëm të personave të infektuar.

Masat e marra në vendin tonë

Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar nga koronavirusi i ri. Bazuar në informacionin e deritanishëm, si dhe në mungesën e linjave ajrore direkte me Kinën, udhëtimin e shtetasve tanë atje dhe anasjelltas, rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët. Pas shpalljes së emergjencës globale nga OBSH-ja dhe në zbatim të urdhrit të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe portuale është përforcuar survejanca dhe janë ndërmarrë masa të shtuara higjieno-sanitare. Ministria e Shëndetësisë ka rritur këshillimin për qytetarët, që të mos udhëtojnë drejt Kinës, nëse nuk e kanë të domosdoshme. Mbi koronavirusin Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, koronaviruset (CoV) janë një familje e madhe e viruseve që shkaktojnë sëmundje, duke filluar nga ftohja e zakonshme deri te sëmundjet më të rënda, siç janë Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (MERSCoV). Një koronavirus i ri (nCoV) është një lloj i ri që nuk është identifikuar më parë te njerëzit. Koronaviruset transmetohen midis kafshëve dhe njerëzve. Shenjat e zakonshme të infeksionit përfshijnë simptoma të frymëmarrjes, ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë akute të frymëmarrjes, insuficiencë renale, madje edhe vdekje. Rekomandimet standarde për të parandaluar përhapjen e infeksionit përfshijnë larjen e rregullt të duarve, mbulimin e gojës dhe hundës kur kollitet dhe teshtini, shmangni kontaktin e ngushtë me këdo që tregon simptoma të sëmundjes së frymëmarrjes, si kollitja dhe teshtitja.