Shkatërrohet banda e kokainës në Greqi, mes të arrestuarve gjashtë shqiptarë

229
Sigal

Një bandë që trafikonte drogë, furnizonte me armë dhe kryente vjedhje në Atikë, u shpërbë nga Nën-Drejtoria e Sigurisë së Athinës.

Policia greke, pas një operacioni të koordinuar dy-ditor, i cili u zhvillua në Atikë dhe Korint, arrestoi një grek 25-vjeç dhe gjashtë shqiptarë, të moshës midis 27 dhe 38, si anëtarë të organizatës kriminale.

Të arrestuarit akuzohen për vrasje pa dashje, dhunë ndaj punonjësve, pastrim parash, etj. E arrestuar është edhe një grua nga Shqipëria, e cila ishte pjesë e organizatës kriminale.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat fqinje pjesë e bandës është edhe një 34-vjeçar, i cili për të shmangur arrestimin, u largua me shpejtësi dhe goditi me makinë një oficer policie, duke e plagosur.

Ai u kap më vonë, së bashku me dy anëtarë të tjerë të bandës, mes të cilëve edhe “koka” e grupit, një 38-vjeçar shqiptar.

Nga hetimet janë zbuluar 260 raste të shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit nga anëtarët e grupit.

Gjatë kontrolleve të policisë u gjetën dhe konfiskuan: Pushkë Kallashnikov, 2 pistoleta, një karabinë, 226 gëzhoja të kalibrit të ndryshëm, 468 gram kanabis, 5 gram kokainë, një laborator i pajisur plotësisht për kultivimin e kanabisit hidroponik me 6 fidanë.