SHBA, vazhdojnë debatet për projekt-ligjin e buxhetit

613
Në Senat rifilluan debatet mbi një projekt-ligj të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, për financimin e qeverisë që ka për synim të shmangë mbylljen e qeverisë në mesnatë.
Para se Senati të mblidhej të premten, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve tha se demokratët do të fajësoheshin nëse projektligji për financimin e qeverisë nuk miratohet nga Senati.
“Unë i kam kërkuar popullit amerikan që ta kuptojë këtë. Të vetmit njerëz që mund të pengojnë përpjekjet për ta mbajtur qeverinë të hapur janë demokratët në senat. Varet plotësisht nga ata nëse do të ketë mbyllje të qeveriës apo jo”, tha ai.
“Unë mendoj se problemi i vërtetë është Presidenti. Në mëngjes ai ka një mendim, ndërsa pasdite një tjetër. Ka pak diskutime, koordinim mes Presidentit dhe udhëheqjes republikane në kongres. Është e vështirë të negociosh kur objektivi lëviz vazhdimisht, kur presidenti nuk e ka një ide të qartë dhe e ndryshon mendjen në varësi të personit të fundit me të cilin flet. Presidenti e krijoi këtë rrëmujë praktikisht duke shfuqizuar programin DACA dhe duke krijuar këtë krizë artificiale. Ata duhet të punojnë me ne për ta zgjidhur këtë çështje”, thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.
Ligjvënësit kanë dy opsione: ose të bien dakord për një masë të përkohshme një mujore mbi financimin e qeverisë, ose mbylljen e pjesshme të qeverisë deri në arritjen e një marrëveshjeje mbi buxhetin.
Masa e përkohshme përballet me një rrugë të vështirë të miratimit në Senat, ku republikanët kryesojnë me një diferencë tepër të ngushtë, 51 me 49. Për miratimin e masës duhen 60 vota, kështu që republikanët kanë nevojë për mbështetjen e të paktën 9 senatorëve demokratë. Deri më tani shumica e senatorëve demokratë kanë thënë se do të votojnë kundër kësaj mase.
Nëse projekt-ligji për financimin e përkohshëm miratohet, ligjvënësit do të shfrytëzojnë muajin e ardhshëm për të negociuar buxhetin për pjesën e mbetur të vitit fiskal 2018, i cili përfundon më 30 shtator.
Sigal