SHBA, shpërthim i dyfishtë në Boston, dyshohet për sulm terrorist

582
Sigal

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje, në Boston që hedh dyshime për një sulm terrorist. Dy shpërthime kanë tronditur maratonën e këtij qyteti, duke lënë të paktën tre të vdekur dhe disa persona të plagosur. Videot dhe fotografitë e publikuara tregonin konfuzion dhe shumë ambulanca në vendin e ngjarjes ndërkohë që shumë spektatore janë dërguar në spital. Një dëshmitar deklaroi për agjencinë e lajmeve Associated Press se shumë njerëz ndodheshin të rrëzuar ndërkohë që shpërthimet kanë ndodhur pranë vijës së finishit. Ndërkohë autoritetet janë në gjendje alarmi edhe në Nju Jork për shkak të situates së krijuar në Boston por edhe alarmit për shpërthime të mundshme. Nuk dihet ende se kush qendron pas këtyre sulmeve, ndërkohë që situata bëhet më delikate për shkak të kërcënimeve të herë pas hershme për sulme terroriste. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Obama ishte njoftuar për ngjarjen e krijuar dhe kishte urdhëruar dërgimin e menjëhereshëm të forcave të shpetimit. Autoritetet kanë gjetur edhe një pajisje të pashpërthyer duke shtuar frikë për ndonjë sulm të mundshëm terrorist edhe pse kjo nuk është konfirmur ende. Sipas mediave amerikane janë rritur masat e sigurisë edhe përreth Shtepisë se Bardhë në Uashington.