SHBA, Franca, Gjermania, Britania, dënojnë përdorimin e armëve kimike nga Siria

564
Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson dhe disa diplomatë të tjerë nënshkruan një deklaratë të mërkurën, e cila dënon përdorimin e armëve kimike nga qeveria siriane ndaj shtetasve të saj.
Ajo pason një raport të hetuesve të Kombeve të Bashkuara që zbuluan se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad shkeli ligjin ndërkombëtar kur përdori gazin sarin në qytetin Khan Sheikhoun të kontrolluar nga rebelët, më herët gjatë këtij viti.
“E dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhe kërkojmë që regjimi sirian të ndalë menjëherë përdorimin e armëve kimike. Gjithashtu Siria, duhet t’i bëjë të ditur Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, të gjitha armët kimike që posedon”, thuhet në deklaratën e përbashkët të sekretarit amerikan të shtetit Tillerson, me ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë.
Zoti Tillerson dhe diplomatët e tjerë thanë se është e rëndësishme që të mbahen nën vëzhgim rastet e përdorimit të armëve kimike në Siri dhe i kërkuam Kombeve të Bashkuara të ruajnë Mekanizmin e Përbashkët Hetimor (JIM) të krijuar në bashkëpunim me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).
Sipas deklaratës, hetuesit e JIM-it kanë raportuar se një sulm tjetër me gaz sarin ka ndodhur “më shumë gjasë” në qytetin sirian të Al Lataminah-it, vetëm një javë para sulmit në Khan Sheikhoun.
“Një reagim i fuqishëm ndërkombëtar tani është thelbësor në mënyrë që përgjegjësit të japin llogari, për të kërkuar drejtësi për viktimat e këtyre sulmeve të neveritshme dhe për të parandaluar që ato të ndodhin përsëri”, thuhet në deklaratë.
Muajin e kaluar, përpara lëshimit të raportit më të fundit mbi armët kimike, Rusia përdori veton e saj në Kombet e Bashkuara për të bllokuar një rezolutë për t’i zgjatur mandatin hetuesve të JIM-t.
Gjetjet e raport ishin politikisht të turpshme për Rusinë, një aleat i vendosur i presidentit sirian.
Në Siri, qeveria është e vetmja palë në konflikt e pajisur me kapacitete ajrore. Zyrtarët rusë patën pohuar më parë, se gazi ishte lëshua nga një bombë në tokë dhe jo nga ajri.
Sigal