Senati amerikan nuk e miraton projektligjin për kufirin

28
Sigal

Republikanët në Senatin amerikan kanë bllokuar paketën për kufirin, që ishte negociuar për muaj të tërë me demokratët për një legjislacion që synonte të zvogëlonte numrin rekord të kalimeve të paligjshme kufitare.

Shumë republikanë thanë se kompromisi gjatë vitit zgjedhor nuk ishte i mjaftueshëm, edhe pse mbështetësit e projektligjit këmbëngulën se ai ishte më i miri i mundshëm që mund të paraqitej para ligjvënësve nga një Qeveri e ndarë. Me 49 vota për dhe 50 kundër, Senati nuk arriti të siguronte 60 votat e nevojshme për të kaluar projektligjin. Shumë republikanë thanë se do të votonin kundër projektligjit, që parasheh edhe ndihmën për Ukrainën në vlerë prej 60 miliardë dollarësh dhe 14 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin. Ligjvënësit republikanë kishin insistuar se paratë për këto dy shtete që janë në luftë të bëheshin bashkë me fondin që duhej ndarë për kufirin amerikan. Para votimit, udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, deklaroi se do të përpiqej të shpëtonte fondet e luftës dhe më pas të vendoste në votim ndihmën për Kievin dhe Izraelin dhe aleatët e tjerë të SHBA-së, përmes një pakete të modifikuar, ku nuk do të përfshiheshin fondet për kufirin.

Është e paqartë nëse ka mjaftueshëm ligjvënës republikanë që do të mbështesnin ndihmën për Ukrainën dhe nëse do të kalonte, do të duheshin disa ditë para se Senati të mbante votimin përfundimtar. Për muaj të tërë, ndihma prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën është bllokuar në Kongres për shkak të kundërshtimit në rritje nga konservatorët e linjës së ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, të cilët kërkojnë një strategji të re për t’i dhënë fund luftës.

“Ne na duhet të sigurojmë kufijtë e Amerikës përpara se të dërgojmë ndonjë centë jashtë shtetit”, tha senatori republikan, Mike Lee.

Bllokimi i ndihmës për Ukrainën nënkupton që SHBA-ja ka ndaluar dërgimin e armëve për Kievin, në një kohë kritike kur lufta e Rusisë kundër Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë, duke lënë ushtarët ukrainas pa municione dhe pa raketa, teksa forcat e Moskës po vazhdojnë sulmet e tyre. Kauza për Ukrainën ende gëzon mbështetjen e shumë republikanëve në Senat, përfshirë edhe liderit Mitch McConnell, por ligjvënësit gjithmonë janë përballur me dilemën se si të dizajnojnë një paketë që do të merrte miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët.

Bashkimi i politikave kufitare dhe ndihmës për aleatët – që fillimisht ishte propozuar nga republikanët – kishte për qëllim të ndihmonte në kalimin e paketën në Dhomë. Por, senatorët republikanë kanë refuzuar kompromisin e arritur gjatë negociatave. Në fondin për luftën po ashtu përfshihen edhe investime për prodhimin e brendshëm të mbrojtjes, dërgimi i ndihmës tek aleatët në Azi dhe ofrimi i 10 miliardë dollarëve për përpjekje humanitare në Ukrainë, Izrael, Gazë dhe vende të tjera. Schumer tha se paketa e re do të përfshijë edhe legjislacionin për të lejuar sanksione dhe mjete kundër pastrimit të parave ndaj ndërmarrjeve kriminale që kontrabandojnë fentanil në SHBA. Në një seksion të ndarë të legjislacionit për kufi ai tha se është paraparë të jepet një rrugë e shumëpritur për t’iu ofruar qëndrim në SHBA dhjetëra mijëra refugjatëve afganë.

Është e paqartë nëse plani i ri, edhe nëse do të kalonte në Senat, do të kishte mbështetje nga kryetari i Dhomës, Mike Johnson./ REL