Rusia kërkon kthimin e komplekseve diplomatike në SHBA

591
Rusia kërkoi të hënën që Shtetet e Bashkuara t’i kthejnë dy qendrat e saj që u mbyllën vitin e kaluar pasi agjencitë amerikane të zbulimitarritën në përfundimin se Moska kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e quajti mbylljen e pronave në Nju Jork dhe Merilend një “vjedhje në mes të ditës”.
Presidenti i atëhershëm amerikan, Barak Obama në dhjetor mbylli komplekset diplomatike dhe dëboi 35 diplomatë rusë që u akuzuan për spiunazh, më pak se një muaj para se t’i mbaronte mandati, në përgjigje të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane, një akuzë që Moska e ka hedhur poshtë.
Rusia nuk u hakmorr me masa reciproke, por ministri Lavrov tha javën e kaluar se “nëse Uashingtoni vendos të mos e zgjidhë këtë çështje, atëherë ne do të duhet të ndërmarrim kundërveprime”, ndoshta duke bllokuar një shtëpi dhe mjediset e magazinimit të përdorura nga personeli i ambasadës amerikane në Moskë.
Ka patur spekullime politike në Uashington se Presidenti Donald Trump shpejt do t’ia kthente komplekset Rusisë pasi ai mori detyrën në fund të janarit, por kjo nuk ndodhi.
Presidenti Trump tani është në qendër të një hetimi të kongresit dhe një hetimi kriminal nëse ndihmës të tij gjatë fushatës elektorale kanë bashkëpunuar me Rusinë për ta ndihmuar atë në garën ndaj demokrates Hillary Clinton dhe nëse ai ka penguar drejtësinë kur shkarkoi drejtorin e FBI-sëJames Comey, i cili po drejtonte hetimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Që atëherë, Robert Mueller, një tjetër ish-shef i FBI-së, pavarësisht kundërshtimeve të Presidentit Trump, u emërua në postin e Prokurorit Special për të hetuar këtë çështje.
Çështja e mbylljes së dy shtëpive ruse të hënën përsëri ishte në axhendën e Uashingtonit, në një takim mes Nënsekretarit të Shtetit, Thomas Shannon dhe zv/ministrit të Jashtëm rus, Sergei Ryabkov. Ministri i jashtëm rus Lavrov, gjatë një vizite në Bjellorusi, tha se “ndjenjat anti-ruse” në Shtetet e Bashkuara e bëjnë të paqartë mundësinë e bashkëpunimit mes Moskës dhe Uashingtonit mbi çështjet botërore.
Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov u tha gazetarëve: “Ne e konsiderojmë absolutisht të papranueshme vendosjen e kushteve për kthimin e pronës diplomatike, ne konsiderojmë se ato duhet të kthehen pa asnjë kusht dhe përmes bisedimeve”.
Zëdhënësi Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putin, i cili është fajësuar nga agjencitë amerikane të zbulimit se personalisht ka dhënë urdhërin për ndërhyrje në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, “e ka ngritur në mënyrë të qartë” çështjen e mbylljes së komplekseve diplomatike ruse kur u takua me presidentin Trump në takimin e G-20ës në Gjermani.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se Rusia ende ka shpresë se “kolegët tanë amerikanë do të tregojnë mençuri politike dhe vullnet politik” dhe do t’i kthejnë pronat ruse.
Sigal