Rritja e çmimit të energjisë, flet Kurti: Fajin e kanë qeveritë e kaluara!

73
Sigal

Kryeministri Albin Kurti në konferencën e thirrur për media së bashku me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka thënë se politikbërja e 20 viteve të kaluara është fajtore për gjendjen e krijuar me energjinë elektrike, e që krejt kjo rezultoi me shtrenjëtimin e rrymës, që tani është aprovuar nga qeveria e tij.

Edhe për vendimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike, që nxiti shume reagime, kryeministri Kurti, e ka ndërlidhur fajin me qeverisjet para tij.

“Me vite janë mbajtur kosto fiktive për qëllime elektorale, për më tepër janë larguar masat siç janë bllok tarifat. Heqja e bllok tarifave ka qenë gabim shumë i madh dëmet të cilat i kemi ndjerë tani, kjo krizë vetëm sa ka thelluar atë që po paguajmë. Fatura që po paguajmë është ajo e mosveprimit të mëse 2 dekadave në zhvillimin e qëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Në të njëjtën kohë jemi duke ndjerë vjetërsinë e termocentraleve. Në vend se të investohet në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qëndrore kanë bërë ndërtimin e mijërave banesave që varen nga energjia elektrike”, tha Kurti.

Ai tha se bordi i ZRRE-së është i pavarur në vendimet e saja.

“Si pasojë e krizës globale që ka shkaktuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe për shkak të avarive në termocentralet e KEK-ut që e kanë rritur nevojën për importin e energjisë ZRRE ka filluar me shqyrtimin e tarifave.Ligjërisht ZRRE dhe bordi i saj janë të pavarura dhe s’mund të ndikohen nga qeveria në marrjen e vendimeve të tyre.  Qeveria e Kosovës ka shprehur gadishmërinë që të ndajë një subvencion deri në 75 milionë euro që për konsumatorët shtëpiakë deri në 600 kwh dhe ata biznesorë të mos ketë shtrenjtim të çmimit të energjisë” ,tha Kurti.

Ai poashtu u shpreh se janë dy faktorë që kanë shkaktuar krizën energjetike. Një nga ta e ka konsideruar politikbërjen e 20 vjetëve të fundit.

“E kemi thënë edhe në konferencat e mëhershme, se janë dy faktorë që kanë bërë që të kemi këtë krizë njëri është i jashtëm, Kosova një sasi të kërkesës e mbulon nga importi, rrjedhimisht çmimet e larta në bursën ishin jashtëzakonisht të mëdha, faktori tjetër është edhe fakti se Kosova u është lënë në mëshirë tregtarëve të energjisë në vend se të investohet në zgjerimin e gjenerimit të energjisë politikanët i kanë dhënë prodhuesve të tjerë në shtetet e rajonit”, tha ai.