Raundi i dytë i zgjedhjeve për president në Maqedoni, vota e shqiptarëve vendimtare

510
Sigal

Sot zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Në garë janë kandidatët Gordana Siljanovska-Davkova nga VRMO DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSD.

Kujtojmë se në raundin e parë të zgjedhjeve, asnjë nga tre kandidatët nuk mori shumicën e votave mbi 50%. Në raundin e parë merrte pjesë në garë edhe kandidati shqiptar Blerim Reka, i cili mori vetëm 79921 apo 10.58% të votave.

Gordana Siljanovska-Davkova  nga ana tjetër mori 319.225 apo 42.24% të votave dhe Stevo Pendarovski 323714 apo 42.84% të votave.

Votimet kanë nisur që nga ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00. Në 3.480 vendvotime në vend dhe në 32 jashtë vendit, në zgjedhjet e gjashta presidenciale mund të votojnë 1.808.131 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore.

Zgjedhjet do t’i ndjekin 3.381 vëzhgues të vendit dhe 520 vëzhgues të huaj, si dhe 289 përkthyes dhe 60 gazetarë të huaj të akredituar nga KSHZ-ja.

Kujtojmë që kryeministri Zoran Zaev deklaroi se Maqedonia e Veriut do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme nëse kandidati i koalicionit qeveritar nuk shpallet fitues. Ai u bëri thirrje shqiptarëve që në raundin e dytë të votojnë për Pendarovskin, në garën përballë rivales së VMRO-DPMNE.