Raporton “DnV”: Deri tani në Kosovë kanë votuar mbi 37% e zgjedhësve, pati fotografim të votës

139
Sigal

Ndonëse nisi me një pjesëmarrje të ulët të votimeve, shifrat e votuesve në orët e fundit flasin për një rritje të tyre.

Sipas rrjetit të organizatave “Demokracia në Veprim” deri më tani kanë votuar 37,3% e shtetasve, që përbën një shifër më të lartë se sa në vitin 2019-të.

Raporti i plote

Sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, që nga fillimi i procesit të votimit deri në orën 16:00, dalja e qytetarëve në zgjedhje në nivel vendi është raportuar të jetë 37.3% (margjina e gabimit 0.72%).

Rajoni i Prishtinës dhe i Ferizajt prijnë me përqindjen më të lartë të daljes së votuesve, përkatësisht me rreth 40% ashtu edhe sikur komunat me shumicë serbe (me rreth 50%). Ndërsa, në rajonin e Prizrenit është shënuar dalja më e ulët krahasuar me rajonet e tjera.

Respektimi i masave kundër COVID-19 gjatë votimit

Deri në ora 16:00, në 70% të vendvotimeve, është raportuar për zbatim të pjesërishëm të masave për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19 gjatë votimit, ndërsa në 1% të vendvotimeve këto masa nuk po respektohen fare.

Në 41% të vendvotimeve, kërkesa për të hequr maskën për nevoja identifikimi është bërë vetëm pjesërisht, ndërsa në 26% të vendvotimeve votuesve nuk u është kërkuar fare heqja e maskës.

 Parregullësitë më të shprehura

Votimi me dokumente jovalide

Sa i përket identifikimit të votuesve me dokumente valide, DnV vlerëson që vendimi i KQZ-së për lejimin e votimit me dokumente me afat të skaduar është i pazakontë, ad-hoc dhe i bazuar në një interpretim shumë të gjerë të ligjit. Ky vendim ka ndikuar në rritjen e konfuzionit tek qytetarët dhe komisionerët dhe në esencë ka diskrimuar qytetarët të cilët para orës 15:00 nuk janë lejuar të votojnë me po këto dokumente. Kjo ka ndikuar që kjo dukuri të shënohet në 22% të vendvotimeve në nivel vendi në raste të izoluara deri në 10 raste.

Megjithatë, deri në orën 16:00, në 77% të vendvotimeve nuk ka pasur asnjë rast të votimit me dokumente jo valide.

Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit Deri në orën 16:00, në 35% të vendvotimeve nuk është raportuar për vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Sidoqoftë në 49% të vendvotimeve këto vështirësi kanë qenë evidente deri në 10 raste.

Votimi me asistencë

Deri në orën 16:00, vetëm në 3% të vendvotimeve nuk ka pasur votim me asistencë të regjistuar. Ndërsa, në 66% të vendvotimeve është raportuar për votim me asistencë e cila është regjistruar në Librin e Votimit, dhe atë me mbi 11 raste.  Ndërsa, raste kur votimi me asistencë nuk është regjistruar në Librin e Votimit ashtu siç e përcaktojnë rregullat është evidentuar në 15% të vendvotimeve në raste të izoluara (deri në 10 raste).

Raste kur një person ka asistuar më shumë se një herë, janë hasur në 6% të vendvotimeve (deri në 4 raste).

Fotografimi i votës

Deri në orën 16:00, po vërehet një rritje e lehtë e fenomenit të fotografimit votës përkatësisht në 5% të vendvotimeve (në 1-4 raste).

Incidente serioze

Është raportuar edhe për një incident në komunën e Skenderajt, ku në vendvotimin 2101B/04R kanë qëndruar dy vëzhgues të LVV ndërsa kryesuesi ka kundërshtuar qëndrimin e më shumë se një personi në klasë dhe e ka kapur për krahu duke e nxjerrë jashtë njërin nga vëzhguesit. Për këtë rast ka reaguar dhe Policia.

DnV u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e  tyre për të votuar tani kur kanë mbetur edhe 1 orë deri në mbyllje të vendvotimeve.

DnV kërkon nga Komisionerët që pavarësisht rradhëve të gjata që janë krijuar në qendrat e votimit, t’ua mundësojnë të gjithë qytetarëve ushtrimin e të drejtës së votës.