Raffaele Nigro/Edhe nga Pulia për të votuar në Shqipëri

463
Sigal

E kaluara si përcaktuese për të ardhmen

Gazeta e njohur italiane “Gazzeta del Mezzogiorno” në Pulia, ka publikuar dje një reportazh të shruajtur nga Raffaele Nigro – gazetar, shkrimtar i njohur italian, për vizitën që pati aty para disa ditësh deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Toçi. Deputeti socialist i qytetit të Vlorës nuk harroi të tregonte kujdesin dhe vëmendjen e tij për votuesit shqiptarë, që janë jashtë trevave tona, dhe kreu disa takime dhe diskutime me emigrantët që jetojnë në Pulia. Takimi i tij me emigrantët shqiptarë në Itali ishte edhe shkas i këtij reportazhi të shkruar në gazetën italiane, të cilën po e japim të plotë më poshtë.

Bari – Botuesi, parlamentari, ekonomisti, Fatmir Toçi – mbështetës i madh i së majtës, merr tragetin në Durrës, sepse ka frikë nga fluturimi, dhe niset për në Bari në një takim me konsullin Pintucci. Edhe këtë herë ka ardhur për të folur me emigrantët shqiptarë. Më ftoi në rrugën “Zara”, te këndi i emigrantëve i drejtuar nga parlamentari i Partisë Demokratike Dario Ginefra. Janë disa qindra të rinj, vajza e djem që duan të shkojnë në Tiranë dhe Vlorë për të votuar. Berisha ka premtuar se do të paguajë fluturimin për këdo që do të vendosë të shkojë në Shqipëri për të votuar. Socialistët nuk premtojnë para, dhe këtë gjë nuk e bëjnë, por premtojnë se në qoftë se do të fitojnë do të sigurojnë të drejtën e votës në vendet e rezidencës për të gjithë emigrantët. Do të jetë ligji i parë që do të votojnë në Parlamentin e ardhshëm Shqiptar.

Disa të rinj të Noicattaro-s i kërkojnë z. Toçi të shkojë të ata për t’u takuar me të tjerët. Është ora 19:00 dhe trageti niset pas 4 orësh. “Duhet shkuar, – thekson Fatmiri, – duhet shkuar për të folur me këta djem”. Mbrëmjen e shkuar ai ishte në Altamura, ku ndodheshin rreth treqind emigrantë. “Në Pulja janë tridhjetë mijë emigrantë – është një vatër elektorale e jashtëzakonshme”. Ulemi në një lokal në qendër të qytezës. Në heshtje pimë birra që të gjithë. Janë të rinj dhe të moshuar që punojnë këtu – në bujqësi dhe ndërtim, madje shumë prej tyre janë integruar për mrekulli me kulturën e vendit mikpritës. Por të gjithë kanë një lidhje shumë të fortë me atdheun. “Edi Rama do të fitojë”, siguron Fatmiri. “Do të risjellë në vend atë klimë rinovimi që kishte nisur si kryetar bashkie. Veçanërisht, nuk duhet të harroni se pasuria e Shqipërisë është ushqyer nga prurjet e emigrantëve dhe do të propozojë në Parlament një ligj që të sigurojë një pension special për të gjithë ata që kanë punuar jashtë vendit. Pastaj festohet, bëhen foto për kujtim dhe premtohen takime të mëtejshme se kush nuk do të ketë mundësinë për t’u kthyer duhet të kontaktojë familjarët për t’i drejtuar në kutitë e votimit. Tirana është entuziaste dhe, pavarësisht vapës, qytetarët shkojnë të votojnë me një pjesëmarrje të gjerë. Në ajër zotëron një dëshirë e madhe për ndryshim. Berisha ka premtuar një parajsë prej qumështi dhe mjalti, por nuk është kjo hera e parë që bën të tilla premtime. Në vazhdim premtimin e ka mbajtur vetëm për mbështetësit e tij, duke garantuar elitën dhe të pasurit. Në fakt, është mbështetur vazhdimisht nga Berluskoni gjatë fushatave dhe ka besuar se mund të instalonte edhe në Shqipëri modelin “berluskonian”. Por këtu ka ende shumë për të bërë, ndërhyrje në shëndetësi, në qarkullim, në integrim me Europën, në sistemin e pensioneve dhe në punësim. Kjo nuk është pak. Të dielën në mbrëmje Rai ka transmetuar dokumentarin La nave dolce e Vicarit (“Anija e ëmbël e Vicarit”). Kujtimi i trishtë i një arratisje, një rrugëtim shprese i përfunduar në Bari me riatdhesimin e shqiptarëve të arratisur nga porti i Durrësit. Ndoshta ishin 18 000, por u riatdhesuan 16 500. Pas turpit të mungesës së institucioneve tona, të paktën të atyre qendrore, pas mosveprimit të Kosiga-s që e quajti injorant kryebashkiakun e Barit Enrico Dalfino. Sidoqoftë, ishte ajo forma e parë e shpërthimit, pas arratisjeve të para të peshkarexhave në bregun e Brindisit. Më pas Shqipëria nuk ishte më e njëjta dhe turma pati kurajën që të rrëzonte në Tiranë statujën e Enver Hoxhës e të bënte ndryshimin. Nga veriu mbërriti Sali Berisha. Në fillim dha përshtypjen e një çlirimtari, por më pas u shndërrua në një padron, një absolutist, siç ishte në traditën shqiptare, nga Zogu te Alia. Me Berishën zbritën nga veriu mbështetësit e tij, të gjithë njerëz reaksionarë, të lidhur në një projekt arkaik dhe klientelist për administrimin e pushtetit. Tirana shpërtheu me një milion banorë. Qytete, si Shkodra e Lezha janë edhe sot bastione të së djathtës. Për në këto zgjedhje janë prezantuar dy koalicione të mëdha, e majta e Edi Ramës dhe e djathta e Sali Berishës. Përkrah edhe lista emërore e Bamir Topit. Por këtë herë janë parë mbërritje të mëdha të emigrantëve në aeroporte dhe portet e Durrësit dhe Vlorës dhe në pikëkalimet e kufirit, me Greqinë në jug dhe në veri me Kosovën dhe Malin e Zi. Dhjetëra mijëra shqiptarë janë kthyer vetëm për kohën e votimeve. Fatmiri zbriti në jug, në qendrën e tij elektorale në Vlorë. I telefonoj për ta pyetur si po shkojnë punët dhe më thotë që exit-poll japin të dhëna për një fitore plebishitare për socialistët, të paktën 70 %. E njëjta gjë ndodh edhe në Shkodër, më jep siguri Diana Çuli, ish-parlamentare dhe kryetare e Unionit të Gruas. “Tirana ishte më e avashtë, – sipas shkrimtarit Piro Misha, – por hapja e kutive ka lënë të kuptosh se të paktën 60 % e votave do të shkojnë për të majtën. Po krijohet një Shqipëri e socializmit demokratik. Epoka e Edi Ramës, një njeri me dhunti e fantazi të madhe dhe që si kryebashkiak kishte filluar rikonceptimin dhe rindërtimin e Tiranës, përshtatjen e saj me qytetet europiane”. Një pikë e rëndësishme  kthese për vendin, thonë në Tiranë, një vend me dëshirë të madhe për ndryshim të furishëm, por që deri tani ka qenë e mbyllur në makthin e oligarkisë.

Promovim i produkteve gastronomike spanjolle në Shqipëri

Sot, në datën 26 Qershor 2013 në orën 19:00, në rezidencën e Ambasadës së Spanjës, do të organizohet një pritje për të prezantuar në Shqipëri disa nga produktet gastronomike spanjolle më përfaqësuese. Bëhet fjalë për eventin e parë të kësaj natyre që zhvillohet në vend, i cili i drejtohet, jo vetëm importuesve, distributorëve, pronarëve të restoranteve dhe profesionistëve të tjerë të tregut të verërave dhe shpërndarjes agroushqimore, por edhe të gjithë dashamirësve të tavolinës së mirë dhe produkteve të cilësisë së parë. Në këtë event, i cili do të shoqërohet me pjesë muzikore nga kompozitorë spanjollë interpretuar nga kitaristi i njohur Admir Doçi, do të degustohet një përzgjedhje e kujdesshme e verërave, djathërave dhe proshutës së ardhur nga Spanja, me demonstrimin e ofruar nga një mjeshtër prerës spanjoll, i specializuar në artin e prerjes së proshutës spanjolle. Duke marrë parasysh interesin që mund të zgjojë ky takim dhe pritjen e madhe që mund të kenë këto produkte spanjolle në tregun shqiptar, jeni të mirëpritur të mbuloni këtë event.