Franca votoi për presidentin e ri, në 10.04.2022, por asnjë nga kandidatët nuk arriti shumicën e nevojshme. Emmanuel Macron mori 54 % dhe nuk arriti suksesin e jashtëzakonshëm si para pesë vitesh me fitoren e dukshme ndaj populistes Le Pen, e cila e konkuroi dhe mori 46 % të votave. Strategët zgjedhorë të tij ishin këtë vit më të kujdesshëm. Zgjedhjet presidenciale në Francë dëshmuan për problemet e vërteta aktuale të popullit dhe pamundësinë e kandidatëve për të bindur shumicën e zgjedhësive për politikat e tyre. Si kudo në Europë, në fund janë shqetësimet e përditshme qytetare që vendosin për zgjedhjet. Francezët dënuan luftën e Rusisë në Ukrainë dhe po nxirren mësime, por kryesore mbeten siguria sociale, mbrojtja e mjedisit dhe fuqia blerëse. Çmimet e larta e kanë shqetësuar popullin. Gati gjysma e francezëve kanë frikë për rënien e standardit jetësor, shumë i tremben humbjes së traditës të ndihmës sociale dhe kanë frikë nga pasojat e modernizimit. Emigracioni ishte tema e parë e zgjedhjeve lokale, në 2021, tani mbetet në vendin e pestë. Nuk flitet për kthimin e emigrantëve në vendet e tyre, siç propogandonte Sarkozy në vitin 2007. Në këto 30 vjetët e fundit shoqëria franceze është bërë më tolerante. Zgjedhësit francezë ndjekin me vëmëndje programet politike me premtimet e kandidatëve dhe dinë t’i analizojnë ato me gjendjen konkrete. Fakt është se edhe një shenjë e vogël e keqqeverisjes ndikon dukshëm në fushatën presidenciale dhe shërben si argument për kundërshtarët politikë.
1.Macron premtoi ruajtjen e politikës sociale, por që në fillim të mandatit tregoi se u vu në shërbim të të pasurve, pasi uli tatimet e sipërmarrjeve dhe u etiketua se ai është president i të pasurve. Kjo nxiti edhe protestat e atëhershme të jelekëve të verdhë, që shpërthyen pastaj me rritjen e çmimit të karburanteve në dimrin e vitit 2018/2019.
- Presidenti reflektoi si pasojë e protestave të fuqishme dhe u tërhoq nga reforma e tij më themelore, ajo e pensioneve, mjaft e vjetëruar dhe e shtrenjtë për Francën. Patosi i tij i modernizimit morri goditjen e parë. Papritur ndodhi pandemia e Coronës, që goditi rëndë si Francën edhe Europën. Në fazën e parë situata doli nga kontrolli. Më pas Macron arriti të menaxhojë mirë fushatën e vaksinimit. Me miliardat e buxhetit të shtetit u kompensuan dhe u mënjanuan vështirësitë për punonjësit dhe sipërmarrjet.
- Në këtë fushatë ndikoi edhe afera McKinsey që shtoi dyshimet për korrupsion. Qeveria e Macron ofroi në 5 vitet e fundit më shumë se 1 miliardë euro për firmat konsultuese, që duhej të përgatisnin për qeverinë ekspertiza për projektet e reformave. Akuza e fundit janë shpërdorimi i parave të taksapaguesve. Vetë këto firma nuk kanë paguar sa duhet tatime në Francë.

Marinë Le Pen nga Partia Rassemblement National ishte Fronti National i dikurshëm, po kandidon për herë të tretë dhe është e dyta në garën presidenciale ashtu si në zgjedhjet e mëparshme. Ajo është përqëndruar në shqetësimet ditore të votuesve, si kostoja e jetesës dhe më pak për propozimet e saj të diskutueshme si ndalimi i grave myslimane të mbajnë shami dhe rolin e reduktuar të Francës në NATO dhe në BE. Emigracionin, integrimin dhe identetin kombëtar, e kushtëzon me të qenin francez. Le Pen cilësohet si Kameleonja pasi punoi me këmbëngulje për ndryshimin e imazhit të saj në media, për ta bërë të harrohet e shkuara e saj ekstremiste e djathtë dhe të hiqej efekti negativ që kish lënë pas babai i saj, Jean-Marie le Pen, ish-kreu i Front National. Në ndryshim nga programi i fushatës së mëparshme kundër Bashkimit Evropian dhe shkëputjes nga bashkësia, Le Pen tani tregohet më e kujdesshme dhe flet për një rol të reduktuar mbështetës të politikës evropiane dhe deklaron se nuk do të dalë nga euro dhe as nga BE. Kjo politikane e ekstremit të djathtë është e njohur si pro ruse. Megjithatë, ajo ia doli të shpëtojë edhe në lidhje me presidentin Putin, që në vitin 2017 i huazoi fonde për fushatën e saj. Në fushatë deklaroi, se e dënonte pushtimin e Ukrainës dhe ka ndryshuar mendimin për Putinin dhe përkrahësit e saj as nuk i zemërohen për këtë. Në lidhje me politikën e jashtme, shprehet, se do një marrëdhënie normale me Rusinë, ashtu si me Britaninë e Madhe. Në një konferencë shtypi, ajo bëri thirrje për një “afrim strategjik” midis NATO-s dhe Rusisë, për të pasur marrëdhënie më të afërta, pas mbarimit të luftës në Ukrainë. Ndër të tjera, sipas publikimit nga BBC, në 12.04.2022, ajo shtoi se do ta tërhiqte Francën nga struktura e komandës ushtarake të NATO-s, nëse do të rezultonte fituese. Megjithatë, edhe në rast tërheqjeje nga aleanca, ajo theksoi se do të vazhdojë të respektojë një pakt kyç të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari të aleancës ushtarake shihet si një sulm ndaj të 30 anëtarëve. Deklarata për tërheqjen nga NATO krijon problem për politikën ushtarake franceze dhe gjithë partnerët euroatllantikë, pasi është mbështetje direkte e pretendimeve të Rusisë për aleancën. Macron do të detyrohet të sqarojë qëndrimin e tij për këtë deklaratë. Marine Le Pen u përkushtua konkretisht në fushatën zgjedhore dhe javët e fundit rriti mbështetësit, ndërsa Macron nuk arriti ta bëjë sa duhet. Në kohën kur Macron telefononte me Putinin dhe u profilizua në skenën botërore, ajo vazhdonte turet e saj elektorale nëpër Francë për të biseduar me qytetarët. Vetëm 51% e francezëve e shohin Le Pen ndërkohë si kërcënim, tregues ky i suksesit të fushatës së saj për ndryshimin e imazhit. Nëse në vitin 2017, Le Pen thoshte, se “vijat kryesore politike janë ato me presidentin Trump dhe Putin”, në këtë fushatë ajo flet për problemet sociale, fuqinë blerëse dhe nuk lodhet së shtrënguari duart me qytetarë në tregje dhe i siguron francezët se do të kufizojë rritjen e çmimeve të energjisë. Le Penit i erdhi në ndihmë pa dashur ish-publicisti dhe ekstremisti i djathtë, Eric Zemmour, i dënuar disa herë për predikime urrejtjeje. Në fillim ai fitoi vëmendje me retorikën e tij pa kufi kundër islamit dhe migracionit duke zënë kështu skajin ekstremist të djathtë e duke bërë që Le Pen ta paraqiste veten si politikane të moderuar të qendrës. Ndërkohë vlerat e Eric Zemmour nga 15% kanë rënë në rezultate njëshifrore. Media luajti rol pozitiv për ndërgjegjësimin e zgjedhësve dhe distancimin nga e djathta ekstreme. Gazeta e njohur “Le Monde” javën e kaluar i kujtoi francezët, se pas fasadës së moderuar të Le Penit ende fshihet një ekstremiste e djathtë. Dhe Emmanuel Macron paralajmëroi zgjedhësit në takimin e madh elektoral në La Defense Arena në Paris nga rreziku djathtist. “Rreziku i ekstremizmit ka arritur kulme të reja (…) sepse urrejtja dhe të vërtetat alternative janë normalizuar.” Zgjedhësit njohin dhe kanë normalizuar qëndrimet e pritshme për të dy kandidatët kryesorë. Macron synon, atë që nuk ia ka dalë më asnjë president francez, prej 20 vjetësh, që kur Jacques Chirach u rizgjodh për një mandat të dytë. Pas fillimit të luftës në Ukrainë, u duk se ai ishte shumë pranë fitores dhe mendohej se rizgjedhja ishte e sigurtë. Sondazhe u rritën në 33%. Por në ditët e fundit gjendja sociale u bë tema më e rëndsishme dhe vlerat e Macronit në sondazhe kanë rënë nën 30%. Macron duket se është më pranë fitores dhe sondazhet e shohin si fitues të votimit të dytë në fund të prillit. Por rezultati pritet të jetë më i vogël se para 5 vjetësh. Francezët distancohen në shumicë nga e djathta konservatore. Prandaj, tani gjithçka varet nëse, Macron do t’ia dalë të mobilizojë votuesit, pasi një e katërta e zgjedhësve me të drejtë vote nuk janë të vendosur dhe nuk morën pjesë në votime. Analizat politike tërheqin vëmëndjen që Macron të mos mjaftohet me rezultain e deritanishëm për fitore të sigurtë. Shumë francezë e shohin Macronin si të aftë dhe president me rezultate gjatë pesë vjetëve, por edhe si anëtar arrogant të elitës së urryer. Prandaj, e para, ai duhet të mënjanojë distancën e krijuar me zgjedhësit dhe të përfshihet gjerësisht në fushatën zgjedhore, të jetë kudo, të bisedojë me të gjithë, të trajtojë të gjitha çështjet dhe të mënjanojë gabimet e fillimit me vonesë të saj. Ai veproi drejt duke qëndruar larg betejës baltosëse mes kandidatëve të ekstremit të majtë e të djathtë. Por, duhet të mënjanojë imazhin e arrogantit borgjez që i është ngjitur si etiketë. E dyta, të bëjë më shumë për të bindur zgjedhësit për politikën e tij dhe të flasi konkretisht për problemet sociale, punësimin, pagat, qiratë, çmimet e energjisë etj. E treta, qartësimi i politikës ndaj Rusisë. Macron po përpiqet me sulme të ashpra kundër krahut të djathtë të fitojë sërish terren. Kritikës së qeverisë polake, se ende vazhdon të mbetet në kontakt me Putinin, Macron iu kundërpërgjigj. “Unë i mbetem zgjedhjes sime, të flas më Rusinë (…) dhe unë nuk kam qenë kurrë bashkëpunëtor (i Putinit), si disa të tjerë.” Nënkuptohej që fjala ishte për Marinë Le Pen. Kandidatët e tjerë mbeten jashtë loje. Dështuan të djathtët Valérie Pécresse. Valerie, që donte të çonte partinë konservatore në fitore, si dhe Éric Zemmour. Po kështu edhe kandidatët e majtë socialistë, që nuk arritën mirëkuptimin për një grua si kandidate. Ashtu si në zgjedhjet e mëparëshme kandidatët e majtë që nuk fituan bënë thirrje për t’u bashkuar kundër të djathtës ekstreme dhe të votojnë për presidentin Macron. Por nuk janë të gjithë me të njejtin mendim. Specialistët shprehin mendimin se kjo është në favor të Le Pen. Populli francez do të vendosi me votën e tij të lirë për presdientin e ri. Rizgjedhja e Macron është pozitive edhe për forcimin e Bashkimit Evropian dhe politikën e zgjerimit e integrimit të bllokuar për shkak të zgjedhjeve presidenciale. Do të mënjanohen pengesat për fillimin e bisedimeve për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zgjedhësit shqiptarë e vlerësojnë Francën si partnere strategjike, mësojnë për të vlerësuar programet e partive politike, aftësitë e anën morale të politikanëve, realizimin e reformave duke respektuar e mbrojtur interesat e popullit.



















