Putin akuzon Perëndimin: Ndërhyn në punët e brendshme ruse

462
Nga Forumi Ekonomik i Shën Peterburgut, presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar amerikanëve të ndalojnë “histerinë” e tyre mbi marrëveshjen e pretenduar mes Rusisë dhe presidentit amerikan Donald Trump.

I pyetur nga një gazetar amerikan nëse Rusia kishte arritur një marrëveshje sekrete me zotin Trump për zbutjen e sanksioneve amerikane ndaj Moskës, Putin sërish mohoi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e fituara nga zoti Trump.

Presidenti u shpreh se këto pretendime janë të dëmshme për marrëdhëniet ndërkombëtare, sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit. Ai madje e konsideroi këtë situatë një përpjekje për të zgjidhur çështjet e brendshme politike me instrumenta të politikës së jashtme.

Agjensitë amerikane të inteligjencës thonë se sulmi pirat i vitit të kaluar ndaj fushatës së demokratëve, përmbante shenja dalluese të shërbimeve të sigurimit të shtetit rus.

Ndihmësit e fushatës së presidentit Trump aktualisht po hetohen për bashkëpunim të mundshëm me qeverinë ruse. Jashtë dyshimeve nuk mbetet as ambasadori rus në SHBA, Sergei Kislyak për kontaktet që ai ka patur me skuadrën Trump.

Me tone tallëse, Putin u ndal edhe tek kjo çështje teksa u shpreh se detyra e një ambasadori është pikërisht të takohet me njerëz. Jashtë kritikave të presidentit rus nuk mbeti as Perëndimi, që ai e akuzoi se prej kohësh ka ndërhyrë në mënyrë sistematike e të ashpër në çështjet e brendshme ruse.
Sigal