Prokuroria e Hagës kërkon kthimin e Vojisllav Sheshelit në paraburgim

405
Sigal

Prokuroria e Hagës ka kërkuar nga Dhoma Gjyqësore që të urdhërojë kthimin e kryetarit të Partisë Radikale Serbe (SRS) Vojisllav Sheshel nga lirimi i përkohshëm në njësinë e paraburgimit të Tribunalit të Hagës.

Siç theksohet në parashtresën e kryeprokurorit, Serge Bramertz, Sheshel në paraqitjet e tij publike gjatë të cilave tha se nuk do të kthehet në Hagë, dhe me kërcënimet ndaj dëshmitarëve të cilët bashkëpunuan me Prokurorinë e Hagës “ka vënë në pikëpyetje besimin e Dhomës Gjyqësore”, e cila miratoi lirim e tij të përkohshëm.

“Sheshel tregoi në mënyrë të qartë se shëndeti i tij i dobët nuk paraqet pengesë për deklaratat publike të papërshtatshme dhe në një mënyrë që është ofenduese për përfaqësuesit e viktimave. Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje vlerësimin e Dhomës Gjyqësore në lidhje me shëndetin e tij”, tha Bramertz.

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) deklaroi se Sheshel duhet të kthehet në Hagë, ku pastaj do të mbajë një seancë të re në të cilën “në mënyrë të qartë do të specifikoheshin kushtet nën të cilat i akuzuari do të mund të lirohet”.

Dhoma gjyqësore e Tribunalit të Hagës në fillim të nëntorit ka marrë vendimin që i akuzuari për krime lufte Sheshel të lirohet përkohësisht për tu shëruar në Serbi. Sheshel më 23 shkurt 2003 u dorëzua vullnetarisht në ICTY në padinë për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo normave të luftës 1991-1993 në Kroaci, Bosnje dhe Vojvodinë.

Që atëherë ai ka qenë në paraburgim në Hagë dhe rasti i tij është ende në gjykim, i cili filloi në vitin 2007. Zyra e Prokurorit në fund të vitit 2010 përfundoi paraqitjen e provave, ndërsa i akuzuari, i cili përfaqëson veten, nuk dëshiron të parashtroj ndonjë argumentet e mbrojtjes.


Anadolu Agency