Serbia shfrytëzon situatën ndërkombëtare të krijuar nga gjeopolitika dhe orvatet të ndryshojë në favor të saj realitetin politik në rajon. Prej disa muajsh janë shtuar kërcënimet shqetësuese nga Aleksandar Vuçiç dhe nga bashkëpunëtori i tij, Milorad Dodik.
Politika regresive
Pak para Pashkëve, Vuçiç shkroi në Instagram për “ditët e vështira” përpara Serbisë. “Ata kërcënojnë drejtpërdrejt interesin tonë kombëtar, si atë të Serbisë ashtu edhe atë të Srpskës Republik. Ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë”. Më tej thekson: “Bosnja është një vend pa kushtetutë sepse boshnjakët e themeluan vendin me ndihmën e të huajve… Unë sugjeroj që të ulemi dhe të diskutojmë se si duhet të ndahemi ne në mënyrë paqësore. Boshnjakët mund të jetojnë në 25 për qind të tokës dhe kjo u mjafton atyre, nuk u nevojitet më. Nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë”. Me këto deklarime pompoze, ai bëri thirrje për luftë, jo për paqe, nuk foli për bashkëpunim e miqësi midis kombeve që jetojnë në të njejtin rajon dhe meritojnë të kenë të ardhmen jo të ndarë, por të përbashkët evropiane.
Politika e vjetër me tone të reja kërcënuese
Deklaratat janë pjesë e një zinxhiri të gjatë kërcënimesh, të cilat dallohen për qartësinë dhe radikalizmin e tyre. Vepra e dënueshme në Bosnje e mohimit të gjenocidit para parlamentit të Republikës Srpska në Banja Luka dhe deklarata se boshnjakët, të cilët përbëjnë rreth 55 për qind të popullsisë, duhet të jetojnë në një të katërtën e territorit, janë pretendime agresive të njohura nga skenari i luftës i paraardhësit dhe modelit të Dodik, Radovan Karaxhiç.
Në vitin 1992, me nxitjen dhe ndihmën konkrete politike e ushtarake të presidentit kriminel serb Slobodan Millosheviç, Karaxhiç zhvilloi luftë dhe gjenocid në Bosnje. Me të nejtën mendësi, Vuçiç tani përshkruan një pjesë të Bosnjës, Republika Srpska, si “interes kombëtar” të Beogradit, pretendon qartë se Republika Srpska tashmë është pjesë e Serbisë dhe do të veprojë për shpërbërjen e Bosnje-Herzegovinës. Ky është një hap i ri i politikës agresive serbe.
Historikisht, sinjalet e alarmit që tregojnë për një përsëritje të historisë luftarake të viteve 1990 janë tronditëse. Këto barbarizma konstatojmë fatkeqësisht se janë inskenuar aktualisht nga politikanët serbomëdhenj. Rikujtojmë se Vuçiç ashtu edhe paraardhësi i Dodik njoftuan luftën dhe gjenocidin paraprakisht në televizion: në vitin 1989. Millosheviçi mbajti një fjalim nxitës në memorialin afër Prishtinës në Kosova në 600 vjetorin e Betejës së Fushë Kosovës. Para më shumë se një milion serbëve të nxehur nga emocionet nacionaliste, ai shpalli synimet për të përgatitur e armatosur për “luftëra të reja” në të ardhmen.
Karaxhiç madje kërcënoi me gjenocid veçanërisht ndaj boshnjakëve myslimanë në një fjalim në parlament në Sarajevë më 14 tetor 1991. “Populli mysliman” do të “shkatërrohet sepse ata nuk mund të mbrojnë veten,” u tha Karaxhiç parlamentarëve, transmetuar drejtpërdrejt në televizion.
Inkurajimi i dy lidërve serbomëdhenj
Tërheq vëmëndjen pyetja, pse po postulohen hapur tani synimet e dy liderëve serbomëdhenj? Sepse ata përfitojnë nga ndryshimet që ka shkaktuar gjeopolitika në rendin botëror, pasojat e Luftës në Ukrainë dhe keqpërdorin parimet e demokracisë evropaine e amerikane. Në Perëndim zbatohet politike për të afruar sa më shumë që jetë e mundur Serbinë në Aleancën Euroatllanitke, duke i bërë lëshime në dëm të stabilitetit në rajon dhe veçanërisht në Kosovë. Herë pas here shihet si një mundësi për të “përfshirë Vuçiçin” si një faktor stabiliteti. Dhe pikërisht kjo u jep atyre vetëbesimin për t’u bërë gjithnjë e më imponues dhe agresivë.
Për më tepër, sukseset aktuale të pushtuesve rusë në disa sektorë ukrainas të frontit dhe perspektiva e rizgjedhjes së Donald Trump po inkurajojnë synimet e Vuçiçit dhe Dodikut për të bashkuar të gjithë serbët që jetojnë në shtetet fqinje të Serbisë nën çatinë e Beogradit. Kjo dëshmohet plotësisht nga deklaratat e rregullta të përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe serbeve të Bosnjës.
Vuçiç tha më 20 nëntor 2023, në 182 vjetorin e themelimit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU): “Kam frikë se ky vit (2024) do të sjellë vetëm shumë më tepër konflikte dhe trazira se ai i mëparshmi. , (…) E kam fjalën për çdo lloj kërcënimi në Republikën Srpska, në Kosovë dhe në pjesë të tjera të rajonit.
Përpara se Millosheviçi të niste shpërbërjen e Jugosllavisë me heqjen e statusit autonom të Kosovës në vitin 1989, i cili njesohej me atë rë republikave, ai eliminoi mentorin e tij politik, atëherë presidentin serb Ivan Stambolić, në vitin 1987. Ai synonte të gjente një kompromis me shqiptarët e Kosovës. Fatalisht, ai emëroi dorën e tij të djathtë Millosheviçin si “ndërmjetësin e tij të ndershëm” dhe e dërgoi në Fushë Kosovë. Koha tregoi se ky ishte një vendim i gabuar katastrofik.
Millosheviçi fillimisht e eliminoi politikisht mentorin e tij përpara se ta vriste në vitin 2000. Stambolic ishte një politikan largpamës dhe racional, i cili, në vitin 1986, kishte sjellë tashmë fundin e pashmangshëm të Jgosllavisë. Në atë vit, SANU shpërndau një memorandum që në thelb kërkonte Serbinë e Madhe dhe akuzonte shqiptarët në Kosovë për “gjenocid demografik” ndaj serbëve. Stambolic dënoi tezat e SANU dhe i quajti ato “një rekuiem për Jugosllavinë”.
Ironia e historisë është se pasardhësi i Millosheviçit, Vuçiç, i cili atëherë ishte ministri i tij i informacionit, tani po mbante një fjalim dhe po parashikonte “konflikt” në vetë akademinë SANU, e cila hartoi planin për shkatërrimin e Jugosllavisë. Kuptohet se ky qëndrim është një paralajmërim luftënxitës dhe të dënohet nga politikanët perëndimore.
NATO të rrisi forcat e KFOR
Pas sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s në Kosovë nga paraushtarakët serbë në maj dhe forcat e sigurisë së Kosovës në shtator të vitit të kaluar në Kosovë, NATO rriti forcat e saj mbrojtëse të KFOR-it nga 3,800 në pothuajse 4,500 brenda disa ditësh, të cilët tani po patrullojnë edhe kufirin me Serbinë.
Pa reagimin e shpejtë dhe të qartë të NATO-s, konflikti me shumë gjasa do të ishte përshkallëzuar në një luftë të re, sepse Serbia shumë e armatosur dhe e fuqishme ushtarakisht kishte dërguar tashmë mijëra ushtarë në marshimin drejt Kosovës. Në vijën kufitare me Kosovën, janë dislokuar 14 baza ushtarake me 60 për qind të Forcave të Armatosura të Serbisë. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë ndërhyrë me biseda telefonike dhe kanë paralajmëruar Vuçiçin me pasoja në rast të përshkallëzimeve të mëtejshme.
Aleanca Perëndimore kërkohet të veprojë me përparësi. Një pyetje që po del gjithnjë e më shumë në pah: Si mund të mbrohet dhe të shpëtohet Bosnja e përfshirë nga kriza? Me forcën paqeruajtëse EUFOR/Althea që aktualisht ka vetëm rreth 1,300 ushtarë, konfliktet në Bosnje, e cila është pesë herë më e madhe se Kosova, do të ishte shumë më e vështirë të viheshin nën kontroll. Një tjetër lajm në shkurt: shërbimet e inteligjencës amerikane vlerësuan në një raport se kërcënimet secesioniste të Dodik mund të çonin në “konflikte të dhunshme”.
Në dhjetor 1989, shërbimi amerikan i inteligjencës së jashtme CIA parashikoi se konflikti i armatosur do të ishte i mundshëm “brenda 18 muajsh” nëse Jugosllavia do të shembet. Në qershor 1991, Beogradi dhe Ushtria Popullore e tij Jugosllave pushtuan fillimisht Slloveninë dhe më pas Kroacinë.