Prof. Dr. Qemal Lame: Kosova ka të drejtë për Euron si monedhë e vetme

28

Valuta e Serbisë, dinari është sjellur në Kosovë përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën më veriore të Kosovës, në Leposaviq. Dinarët serbë në Kosovë qarkullojnë edhe përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë”, e cila ka filiale në vendbanimet e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Sigal

Banka Qendrore e Kosovës, më 27 dhjetor 2023,  miratoi një rregullore për operacionet me para të gatshme, që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e transaksioneve. Ky vendim hyn në fuqi më 1 shkurt. Në rregullore nuk përmendet specifikisht ndalimi i dinarit serb. Mendohet se do të rritet transprenca e dërgimit të parave dhe do të zvogëlohet hapёsira e madhe pёr keqpёrdorim nё emёr tё mbёshtetjes e ndihmave sociale, të njihen zyrtarisht përfituesit, të mos lejohet transporti klandestin i monedhave pёrmes zyrave tё paregjistruara e të palicensuara etj. Në të gjitha vendbanimet në Kosovë ku shumicë janë serbët, qytetarët e përdorin dinarin serb për të kryer pagesa. Serbët që punojnë për institucionet paralele serbe në Kosovë, pagat i marrin me dinarë. Me dinarë të Serbisë paguhen edhe pensionet, shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Dinari i Serbisë përdoret edhe në objektet tregtare në zonat e banuara me serbë. Valuta e Serbisë, dinari është sjellur në Kosovë përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën më veriore të Kosovës, në Leposaviq. Dinarët serbë në Kosovë qarkullojnë edhe përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë”, e cila ka filiale në vendbanimet e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Në rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, thuhet se “importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive vetëm e saj”.

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë, që të shmangin veprimet e pakoordinuara. “Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë. Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara, që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”,- tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Sipas tij, “të dyja palët këtë çështje duhet ta adresojnë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve”, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ambasada amerikane në Prishtinë në një deklaratë thekson, se qeveria e Kosovës duhet të konsultohet me komunitetet e prekura nga ky vendim, dhe t’i adresojë shqetësimet e shprehura nga komuniteti ndërkombëtar. “Ne jemi të shqetësuar që rregullorja e miratuar më 27 dhjetor, do të ketë ndikim negativ tek komuniteti serb në Kosovë. Sipas ligjeve të Kosovës, si dhe në bazë të zotimeve që ka marrë Kosova me Planin e Ahtisarit, Serbia ka të drejtë t’iu dërgojë ndihmë financiare pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë”,- u tha në reagimin e ambasadës amerikane. Serbia reagon duke manovruar me politikën e saj të njohur në kundërvënie të çdo vendimi sovran të institucioneve kushtetuese që mbrojnë interesat kombëtare të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se këtë shqetësim ia ka transmetuar të dërguarit të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak gjatë një takimi përgjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. “Unë i paralajmërova dhe u kërkova që të ndihmojnë në ndalimin e përpjekjes së (Albin) Kurtit për të shkatërruar dialogun, sepse Kurti dëshiron të pengojë pagesën e pagave dhe pensioneve për njerëzit tanë në shëndetësi, arsim, të institucioneve të Serbisë, që do të thoshte jo një heshtje, por një largim me zë të lartë i serbëve nga Kosova”,- tha ai duke nënvizuar se ky vendim është kërcënimi më serioz dhe më i madh ndaj dialogut deri më tani. Beogradi bën presion të drejtpërdrejtë për ruajtjen e gjendjes aktuale të dinarit, që kupton realisht mbajtjen e pushtetit të paligjshëm që ka instaluar me strukturat ilegale të saj. Me anë të dinarit, strukturave ilegale dhe shtrirjes së paligjshme të sistemit monetar serb e ruajtjes së gjendjes së korrupsionit, kontrabandës e kriminalitetit që nxitet artificialisht nga militantët serbë, vepron fantazma e Republikës Srpska. Beogradi manovron me të gjitha mundësitë që të ushtrohet presion i drejtpërdrejtë ndaj Qeverisë së Kosovës për ta ligjëruar. Për këto arsye, presidenti serb Vuçiç ju kundërvihet vendimeve të institucioneve të Kosovës edhe masave të ndërmarra nga partnerët ndërkombëtarë për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen de fakto të pavarësisë e sovranitetit shtetëror të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksojnë shqetësimet e Beogradit e të pakicës serbe dhe kërkojnë rishikimin e vendimit për kohë të mjaftueshme për zbatimin. Theksohet se: “I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të këshillohet me komunitetet e prekura, t’u përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme për zbatim të vendimeve në mënyrë që të zbusë ndikimin që mund të kenë te qytetarët”,- thuhet në përgjigje në të cilën nënvizohet se sipas ligjit, Serbia ka të drejtë të ofrojë ndihmë financiare për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë. Zëdhënësi i ambasadës amerikane tha se Shtetet e Bashkuara e njohin autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës si entiteti i vetëm legjitim i administrimit financiar dhe se mbështesin plotësisht përpjekjet për të frenuar pastrimin e parave dhe për të ndaluar mekanizmat për financimin e terrorizmit brenda territorit të Kosovës. Megjithatë ky qëndrim lidhet me Asociacionin serb. Në përgjigje thuhet se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe është mekanizmi parësor përmes të cilit Serbia në mënyrë transparente mund të ofrojë mbështetje financiare për institucionet dhe individët sipas kuadrit ligjor të Kosovës. “Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë t’i kërkojmë Kosovës që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”,- thuhet në përgjigje. Mendoj se Qeveria dhe Banka Qëndrore e Kosovës është e nevojshme të reflektojnë në kërkesat e parashtruara nga SHBA dhe BE për të mos krijuar shqetësime të reja në marrëdhëniet me partnerët strategjikë si dhe në vazhdimin e bisedimeve me Serbinë. Përdorimi i dinarit mund të jetë një fazë ndërmjetëse ose të bëhen në kohë shkëmbimet monetare nga dinar në euro. Kështu qytetarët serbë nuk do ta ndiejnë ndryshimin. Kjo do të kërkojë vendim të veçantë nga Banka Qëndrore për zgjatjen e kohës së zbatimit dhe krijimin e kushteve për shkëmbimin në kohë të dinarit me euro. Autoritetet e Kosovës të bashkërendohen në tërësi me Bashkimin Evropian për zbatimin e tij. Një marrëveshje e drejtpërdrejtë me autoritetet serbe për këtë çështje është vështirë e arritshme. Ky problem mund të jetë edhe si temë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, megjithëse monedha euro është e parashikuar në Planin e Ahtisarit e në Kushtetutë. Kosova ka pranuar të nënshkruajë Planin e Brukselit dhe të Ohrit për normalizimin e marëdhënieve. Vuçiç i pranoi zyrtarisht në Ohër, por nuk donte t’i firmoste me pretendimin se kishte dhimbje në dorë! Më pas ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë masë që çon drejt njohjes së Kosovës. Në këto kushte, Asociacioni serb nuk është e domosdoshme të krijohet kur të pranohen 10 pikat e planit evropian. Serbia do të krijohet më parë Asociacioni që të realizojë qëllimin për Republikën Srbska dhe të mos zbatojë marrëveshjet. Është me vend të theksohet se është e domosdoshme të respektohet e zbatohet në tërësi Kushtetuta e Kosovës. Po kështu edhe neni 11 i Kushtetutës për një monedhë të vetme në qarkullim në Kosovë. Me kriteret kushtetuese kërkohet të mbrohen edhe interesat sovrane dhe integriteti teritorial nga pretendimet serbe siç është rasti i tokës për manastirin e Deçanit. Megjithë kujdesin e partnerëve për moskeqësimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, kuptohet se bashkësia ndërkombëtare po përdor standarde të dyfishta sa u takon kërkesave për respektimin e vendimeve sovrane të institucioneve shtetërore e financiare. Kushtetuta e Kosovës është e domosdoshme të zbatohet në tërësi me përpikmëri dhe pa u ndikuar nga interesat e njëanshme që favorizojnë vazhdimin e politikës serbe. Nuk është e drejtë që të zbatohen qëndrime të ndryshme nga ndërkombëtarët në përshtatje me situata që ndryshojnë vazhdimisht.