FBI: Ende i paqartë motivi i sulmit në Las Vegas

490
Policia e Las Vegasit njoftoi se një 64 vjeçar qëlloi me armë mbi turmën në një koncert të muzikës country të dielën në mbrëmje. Sipas njoftimeve, janë vrarë të paktën 58 persona dhe mbi 515 të tjerë janë plagosur. Personi që shtiu vrau veten, sipas burimeve të policisë.
FBI-ja është angazhuar në hetime, në mbështetje të forcave lokale të rendit. Sipas FBI-së, autori i sulmit nuk ka patur lidhje me terrorizmin ndërkombëtar. Edhe CIA këshilloi të kihet kujdes dhe të mos nxirren përfundime të nxituara, pas një deklarate të bërë prej grupit Shteti Islamik i cili mori përgjegjësinë për tragjedinë në Las Vegas. Zëdhënësi i CIA-s Jonathan Liu tha se agjencitë amerikane të zbulimit janë në dieni të pretendimit të ISIS-it. Por ai shtoi se njerëzit nuk duhet të nxitojnë për të gjykuar “para se të gjenden faktet”.
Shteti Islamik ka thënë se personi që shtiu, Stephen Paddock e kreu sulmin në emër të këtij rrjeti sepse kishte përqafuar fenë islame dhe kishte shprehur besnikëri ndaj kësaj organizate disa ditë më parë, por policia thotë se nuk ka asnjë sinjal, asnjë dëshmi që ai kishte kontakte me rrjete ndërkombëtare terroriste.
Forcat e rendit thonë se ende nuk kanë një shpjegim për këtë akt. Në fakt, personi në fjalë Stephen Paddock, nuk kishte pasur asnjë kontakt me forcat e rendit më parë. Sherifi i Las Vegasit Joseph Lombardo tha se janë kontrolluar të gjitha sistemet kompjuterike dhe se emri i tij nuk ka dalë asnjëherë në skenë. Ai as nuk ka qenë ndëshkuar ndonjëherë qoftë edhe ndonjë me gjobë trafiku rrugor. Polia ka zbuluar se ai ishte i dhënë pas kumarit, por motivi mbetet mister.
Forcat e policisë arritën të futen në banesën e tij sot dhe reagimi i tyre ishte habia që nuk gjetën asnjë të veçantë, asgjë të pazakontë që lidhej me këtë akt tronditës.
Sipas sherifit të Las Vegasit, policia kishte gjetur pak municion, por asgjë të përmasave dhe natyrës makabre të sulmit. Personi hapi zjarr nga kati 32 i Hotelit Mandalay Bay në Las Vegas, pasi theu xhamin e dritares së dhomës së Hotelit. Ai shtiu mbi turmën prej rreth 22 mijë njerëzish që kishte ardhur për të ndjekur koncertin.
Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes në pjesën jugore të qytetit, e njohur si Las Vegas Strip, ku ndodhen hotelet dhe kazinotë më të famshme të qytetit, tregonin njerëzit që fshiheshin për t’u mbrojtur dhe vraponin duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna armësh.
“Të shtënat vazhdonin pa pushim. Kishte vetëm pauza të shkurtra. Por, dukej se vazhduan për rreth 20 minuta. Sapo krijohej një pauzë, vraponim dhe vetëm vraponim. Nuk isha e sigurtë nëse ishin realisht plumba, por njëri prej miqve tanë na tha se u godit dikush pranë nesh”, tregon Vanessa, vizitore nga Kalifornia.
Sherifi i policisë së Las Vegasit, Joseph Lombardo, u tha gazetarëve se sulmuesi ndodhej në katin e 32-të të kazinosë Mandala Bay, përballë vendit të ngjarjes.
“Mendojmë se ai është vendas. Nuk mundem t’jua them ende vendbanimin e tij, pasi po zhvillohet hetimi. Nuk dimë se në çfarë besonte”, tha sherifi Lombardo.
Autoritetet ishin gjithashtu në kërkim të një gruaje që mendohej se ishte shoqëruese e të dyshuarit 64-vjeçar, Stephen Paddock.
Ndër të vrarët janë edhe disa oficerë policie që po ndiqnin koncertin.
Ndërsa ngjarjet zhvilloheshin, njerëzit kërkuan strehim në hotelet e shumtë përgjatë distriktit turistik. Në zonë ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i Las Vegasit, ku fluturimet u pezulluan.
Ylli i muzikës country, Jason Aldean, ishte duke kënduar në skenë kur filluan të shtënat. Disa orë më vonë, ai shkruajti në Instagram, duke e përshkruar momentin “të llahtarshëm”.
Sigal