Prodhonin kanabis në një fermë në Britani, pranga 3 shqiptarëve

310
Sigal

Mediat britanike raportojnë se tre shqiptarë kanë pranuar përfshirjen në një zinxhir të rritjes së kanabisit me një vlerë totale prej 140 mijë paund, në Blackpool.

Dorjan Gjana, 21 vjeç, Shkëlzen Madani, 22 vjeç, dhe Velson Neza, 32 vjeç, të tre banues në Londër, në një vendbanim jo të përhershëm, pranojnë prodhimin e kanabisit në tre fermat e ngritura në Ribble Road, Ashburton Road dhe Uestminster Road, raportojnë mediat britanike.

Policia gjatë kontrollit sekuestroi fillimisht një sasi lëndë narkotike që shkonte në vlerën 40 mijë paund, kurse më tej edhe një sasi që vlente 100 mijë paund. Prokuroria vendore tha se Neza kishte më shumë përgjegjësi, se ai ishte drejtuesi i grupimit që merrej me trafik droge.

Neza dhe Madani u gjetën nga policia në Rrugën Ashburton me çelësat për në Uestminster Road, ku ata kishin ngritur fermat e kanabisit. Gjana u kap duke u përpjekur të ikte nga pjesa e pasme e njërës prej shtëpive. Gjykatësi Andreu Jefferies e dënoi 32 vjeçarin me dy vjet, ndërsa Gjana dhe Madani, u dënuan me nga nëntë muaj, por që do të lirohen për shkak të kryerjes së dënimit në paraburgim.