Presidenti Trump pranë të dëmtuarve nga uragani

498
Presidenti Donald Trump e kaloi ditën e djeshme duke vizituar viktimat e uraganit. Ndalesën e fundit, ai e bëri në Lake Charles, të Luizianës, ku shtrëngoi duart me njerëzit dhe bëri fotografi me ekipet e reagimit të emergjencave.
Presidenti Trump nuk bëri komente publike gjatë ndalesës së tij të shkurtër, por u takua me viktimat e furtunës dhe premtoi një rimëkëmbje të shpejtë nga shkatërrimet e uraganit Harvey.
Më herët, ai foli dje përpara një grupi të mbijetuarish në Kishën e Parë të Pearland, të Hjustonit.
“Uji po tërhiqet dhe megjithatë ne kemi shumë për të bërë. I pamë sërish lagjet të cilat deri dje ishin të mbuluara nga uji. Sot uji është larguar dhe rrugët janë pastruar. Duket se keni shumë njerëz punëtorë këtu”, tha Presidenti Trump.
Kjo ishte vizita e dytë brenda një jave e Presidentit në Teksas, për t’u dhënë mbështetje teksanëve që po përballen me përmbytjet masive në qytetin e Hjustonit. Zonja e Parë Melania Trump e shoqëroi gjatë të gjithë vizitës.
Çifti presidencial vizitoi edhe një qendër strehimi, ku qëndruan me fëmijët dhe u dhuruan atyre libra, lapsa me ngjyra dhe lojëra.
Ata vizituan edhe qendrën e shpërndarjes së ndihmave të kishës, ku Zonja e Parë dhuroi ndërresa për fëmijët.
Presidenti Trump u takua me banorët dhe vullnetarët, një veprim që nuk e pati bërë gjatë vizitës së parë ditën e martë, kur ai u përqëndrua tek reagimi i qeverisë ndaj stuhisë dhe për pasojë u kritikua se nuk tregoi ndjeshmëri gjatë një situate krize.
Po dje, Presidenti Trump shtoi ndihmën federale, nga 75% në 90%, të destinuar për përpjekjet e pastrimit të zonës. Gjithashtu, Shtëpia e Bardhë informoi se 100% të shpenzimeve për masat parandaluese të shërbimeve të emergjencës do të mbulohen nga fonde federale.
Sigal