Presidenti Trump bën thirrje për ligje më të forta të identifikimit të votuesve

549
Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje të enjten për ligje më të forta të identifikimit të votuesve, një ditë pas shpërbërjes së komisionit të ngarkuar me hetimin e pretendimeve të tij për mashtrime masive me votat.
Presidenti nuk ka paraqitur ndonjë provë për të mbështetur pretendimet e tij se miliona njerëz votuan në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e vitit 2016. Ai e fitoi presidencën nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor, ndërsa humbi votën popullore përballë demokratës Hillary Clinton me rreth 3 milionë vota.
Në një seri postimesh në twiter të enjten, zoti Trump fajësoi komisionin se dështoi në “shumicën e shteteve me prirje demokrate”, të cilat nuk dorëzuan informacione për votuesit.
“Ne si amerikanë na nevojitet identifikimi, ndonjëherë në një formë shumë strikte, për pothuajse çdo gjë që bëjmë, përveçse kur bëhet fjalë për gjënë më të rëndësishme, siç është votimi për ata që drejtojnë vendin. Duhet nxitur çështja e dokumentit të identifikimit”, shkruan zoti Trump.
Zyrtarët shtetërorë ishin shprehur të shqetësuar në lidhje me privatësinë e të dhënave që kërkonte komisioni, ku përfshiheshin emrat, një pjesë e numrave personalë të sigurimeve shoqërore, historia e votimit dhe përkatësia partiake e popullsisë. Kritikët e komisionit patën shprehur gjithashtu frikën se komisioni po punonte si për të justifikuar pretendimet për mashtrim të ngritura nga zoti Trump, por edhe për ta bërë më të vështirë për votuesit e varfër dhe të pakicat, të marrin pjesë në zgjedhje.
Të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se zoti Trump kishte vendosur ta shpërndante komisionin “në vend që administrata të angazhohej në beteja të pafundme ligjore në kurriz të taksapaguesve”. Ajo shtoi se departamenti i Sigurisë Kombëtare do ta shqyrtojë punën e komisionit dhe “do të përcaktojë kursin e ardhshëm të veprimit”.
Sigal