Mustafa merr përkrahjen e Bullgarisë për Kosovën në UNESCO

385
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev. Në takim, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për përkrahjen e Bullgarisë për Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian. Kryeministri Mustafa e njoftoi presidentin bullgar për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës dhe progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës. Mustafa veçoi përkushtimin e Kosovës në proceset e integruese evropiane, duke e njoftuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe për liberalizimin e vizave.
“Ne, me të drejtë presim që këto procese të finalizohen shumë shpejt, pasi që Kosova ka kryer obligimet e saj dhe tashmë i mbetet Bashkimit Evropian që të marr vendimin politik për finalizimin e këtyre proceseve”, theksoi kryeministri Mustafa. Mustafa e njoftoi presidentin Plevneliev edhe për angazhimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, në INTERPOL, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e Bullgarisë. Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, duke përgëzuar Qeverinë e Kosovës për progresin që po arrihet në Kosovë dhe rolin e saj në rajon dhe më gjerë, shprehu përkrahjen e Bullgarisë për Kosovën në të gjitha fushat. Plevneliev theksoi se Bullgaria do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INETRPOL, për avancimin e proceseve integruese evropiane si dhe premtoi përkrahje për Kosovën në fuqizimin e subjektivitetit dhe rolit ndërkombëtar dhe rajonal.
Sigal