Presidenti Thaçi në SHBA për takim me nënpresidentin Pence

581
Zëvendëspresidenti amerikan Michael Pence do të presë të premten paradite Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë, konfirmoi zyra e nënpresidentit të SHBA.
Zyrtarët në Prishtinë thanë se zoti Thaçi do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, zhvillimin e saj ekonomik dhe integrimin e saj në institucionet euroatlantike.
Presidenti Thaçi do të kërkojë edhe përfshirjen e SHBA në fazën e fundit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, si garanci për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon, tha zyra e tij.
Të enjten, Presidenti i Kosovës u prit në Vatikan nga Papa Françesku. Sipas zyrës së Presidentit, në bisedimet me Papën ai kërkoi njohjen e Kosovës nga Vatikani.
Ai tha se është i lumtur dhe mirënjohës që Kosova ka ndërtuar marrëdhënie miqësore me Selinë e Shenjtë, por shtoi se “do të dëshironim që këto të ngrihen në nivel të njëjtë që e gëzojnë të gjithë popujt e tjerë të botës”.
Sipas zyrës së Presidenit, zoti Thaçi e informoi Atin e Shenjtë për konsolidimin e shtetit të Kosovës, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve dhe feve të ndryshme. “Kosova është shembull i dialogut ndërmjet komuniteteve dhe bashkëjetesës fetare”, tha ai.
Sigal