Polonia dhe Hungaria bllokuan 1,8 trilionë dollarë / BE kërkon zgjidhjen e ngërçit të buxhetit

270
Sigal

Bashkimi Europian ende nuk ka arritur kompromis për buxhetin mbi 1,8 trilionë euro për shkak të vetos së Polonisë dhe Hungarisë. Një skenar i ri parashikon përjashtimin e dy vendeve nga diskutimet.

Brukseli duket se do e zgjidhë ngërçin rreth buxhetit të rimëkëmbjes dhe atij shtatëvjeçar të bllokuar nga Polonia dhe Hungaria.

Dy vendet kanë vendosur veton për miratimin e buxhetit afatgjatë prej 1,1 trilionë euro dhe për fondin special 750 miliardë euro për pasojat e koronavirusit pasi paratë do u shpërndahen 27 shteteve anëtare në bazë të respektimit të parimit të shtetit të së drejtës.

Si Varshava, edhe Budapesti vlerësohet se kanë probleme me pavarësinë e gjykatave, mediave dhe organizatave joqeveritare, ndaj rrezikojnë të humbasin miliarda dollarë fonde.

Komisioneri i BE-së për çështjet e buxhetit, Johanes Han, tha të premten se Brukseli nuk do të presë më gjatë nëse ato vijojnë t’i mbajnë peng planet financiare të unionit.

Brukseli parashikon të shfrytëzojë precedentin e vitit 1988 për buxhetin e emergjencës, që do i përjashtonte dy shtetet nga bisedimet, me të vetmen pasojë zvogëlimin e buxhetit aktual.

Për vitin e ardhshëm, mungesa e kompromisit do sillte shkurtimin e rreth 30 miliardë eurove nga plani.

Komisioneri Han theksoi se në këtë situatë, do të jetë vetë Polonia dhe Hungaria ato që me kalimin e muajve do të vuajnë mungesën e financimeve për qytetarët.

Polonia deklaroi të enjten nëpërmjet zv.Kryeministrit të saj se vendi është gati ta heqë veton për buxhetin nëse BE-ja nuk do i kushtëzojë më financimet me mekanizmin për shtetin e së drejtës.

Më 10 dhe 11 dhjetor, liderët e unionit europian do të mblidhen në Bruksel për të zbuluar edhe një herë hapësirat për kompromis me dy shtetet ish-komuniste.