Fermerët në Greqi po vazhdojnë të intensifikojnë protestat, duke përforcuar dhjetëra bllokada rrugore në shumë zona të vendit. Demonstratat, të cilat sot janë zgjeruar edhe në Kretë, kanë sjellë tensione serioze, sidomos pranë aeroporteve të Heraklionit dhe Hanias, ku janë shënuar përplasje të forta ndërmjet protestuesve dhe policisë.
Aeroporti “Nikos Kazantzakis” në Heraklion është i mbyllur në të dyja hyrjet, pasi fermerët janë mbledhur me traktorë dhe automjete të tjera, duke e kthyer zonën në një pikë të bllokuar plotësisht. Situata ka degraduar me përdorimin e kimikateve nga policia dhe përpjekjet e protestuesve për të çarë kordonin e sigurisë.
Incidentet janë edhe më të rënda në Hania, ku fermerët përmbysën një makinë patrullimi dhe shkaktuan dëme në një tjetër automjet të policisë pas hedhjes së gurëve. Dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur. Pamjet nga vendngjarja tregojnë rrugë të mbushura me gurë dhe mjete të dëmtuara.
Në rrugën Senetaki të Heraklionit, fermerët u përpoqën të çajnë bllokadën policore, duke këmbëngulur se do të mbërrijnë deri në aeroport “me çdo mjet të nevojshëm”.
Përdorimi i agjentëve kimikë nga policia ndezi më tej situatën, ndërsa trafiku në zonë është bërë pothuajse i pakalueshëm, veçanërisht në segmentin VOAK, ku qindra mjete bujqësore janë të parkuara.
Në Hania, protestuesit u mblodhën fillimisht në kryqëzimin e Soudës dhe më pas u drejtuan drejt aeroportit “I. Daskalogiannis”, me qëllim ta bllokonin për disa orë. Megjithatë, policia vendosi barriera dhe forca të shumta të rendit në Rrugën Kombëtare të Aeroportit, duke mos lejuar protestuesit të hyjnë në zonë.
Pasi kërkesa e fermerëve për të bllokuar aeroportin në mënyrë paqësore nuk u pranua, ata tentuan të thyejnë kordonin, çka solli përdorimin e sërishëm të kimikateve dhe përplasje të dhunshme.
Tensionet mbeten të larta dhe protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa fermerët kërkojnë ndryshime në politikat bujqësore dhe mbështetje më të madhe nga qeveria greke.
FOTO GALERI
























