Paralajmërohet Donald Trump nga Nato: S’ka opsione për të ecur i vetëm

425
Sigal

Sekretari i përgjithshëm i Nato-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump se nuk mund të ketë një opsion për të ecur i vetëm, as për Europën dhe as për Amerikën. Reagimi i Stoltenberg erdhi pas deklaratave të bëra në fushatë nga Trump, se aleanca veri-atlantike është një organizëm i vjetruar. Në një artikull për gazetën britanike The Observer, Stoltenberg pranoi se Trump ka të drejtë kur thotë se disa vende anëtare duhet të japin kontribute financiare më të mëdha, pasi aktualisht Shtetet e Bashkuara mbulojnë thuajse 70 për qind të shpenzimeve të NATO-s.

Megjithatë, ai shtoi se udhëheqësit amerikanë kanë pranuar gjithnjë interesin e thellë dhe strategjik për një Europë të qëndrueshme dhe të sigurt.

“Në këto kohë të paqarta ne kemi nevojë për një udhëheqje më të fortë amerikane, ndërsa kemi po ashtu nevojë që europianët të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë. Por mbi të gjitha, ne duhet të pranojmë vlerat e partneritetit mes Europës dhe Amerikës, pasi kjo mbetet e detyrueshme. Të qenit të ndarë nuk është një opsion as për Europën, as për Shtetet e Bashkuara. Ne përballemi sot me sfidat më të mëdha të sigurisë ndër breza. Të paktën nuk është ky momenti i duhur për të vënë në pikëpyetje vlerat e partneritetit mes Europës dhe SHBA-ve”.

Të premten një zëdhënës i presidentit Putin, tha se zoti Trump mund të ndihmojë për të ndërtuar besimin me Rusinë, duke bindur NATO- për të tërhequr forcat e saj nga kufiri me Rusinë.