Sigal

Burrat me prirje të thella homoseksuale nuk duhet të pranohen në mesin e klerikëve katolikë, dhe do të ishte më mirë për priftërinjtë që janë gay aktivë që më mirë të largohen sesa të zhvillojnë jetë të dyfishtë, kështu shkruan Papa Françesku në librin e tij të ri.

Këto komente Papa Françesku i ka bërë në intervistën e treguar në këtë libër, me priftin spanjoll Fernando Prado, të quajtur si “Forca e Vokacionit”, në të cilin flitet për sfidat e të qenit prift apo murgeshë në ditët e sotme.

Ai edhe më herët kishte bërë thirrje për hulumtim më të hollësishëm të personave që synojnë të bëhen pjesë e jetës kishtare. Komentet e tij të fundit për largim të priftërinjve me sjellje të tilla vlerësohen si më të drejtpërdrejtat që ai i ka bërë ndonjëherë. Këto komente janë pjesë e librit “Fuqia e Përkushtimit”, i cili është në formë të një interviste të gjatë, ku Papa flet për sfidat e priftërinjve dhe murgeshave në kohën moderne.

Ky libër pritet të publikohet gjatë kësaj jave dhe do të përkthehet në disa gjuhë.

“Çështja e homoseksualizmit është shumë serioze. Personeli që i trajnon meshkujt për t’u bërë priftërinj duhet të sigurohet se kandidatët janë të pjekur emocionalisht dhe njerëzisht”, thotë ai.

Sipas Papës, e njëjta gjë duhet të zbatohet edhe për femrat që synojnë të bëhen murgesha.

Papa kërkon nga homoseksualët që tashmë janë në detyrën e priftërinjve që t’i shmangin kontaktet me gjininë e njëjtë, në të kundërtën të largohen nga shërbimi kishtar.

“Është më mirë të largohen, sesa të jetojnë jetë të dyfishtë”, thotë ai, shkruan “Reuters” ndër të tjera.